E pashë komedinë e Ermal Mamaqit “I love Tropoja”, në Prishtinë. E vlerësoj guximin për një ndërmarrje kaq të vështirë dhe me kosto të lartë, pa asnjë mbështetje financiare, nga ana e shtetit. Më pëlqeu shumë loja e aktorëve, por edhe muzika dhe fotografia.
Në elementët e tjerë themelorë të komedisë, mbeta i zhgënjyer. Në mënyrë të veçantë, vërejtjet e mia kanë të bëjnë me skenarin. Unë nuk pretendoj të flas si ekspert i kësaj fushe, sepse nuk jam kritik i artit kinematografik. Thjesht, po jap mendimet e mia si tropojan.
Së pari, siç e shpreh edhe vet Ermal Mamaqi, në një nga intervistat e tij, skenari i komedisë niset nga ideja e mirë për t`i paraqitur tropojanët, jo si kriminelë, trafikantë, të dhunshëm dhe të pamëshirshëm, si në disa filma të huaj, për shembull, “Taken 1” dhe “Taken 2”, por të butë, të dashur, mikpritës dhe mirënjohës. Për fat të keq, këtë ide, në thelbin e vet pozitive, Mamaqi nuk e materializon, duke u bazuar në realitet, por në fantazinë e tij krijuese, duke sajuar një zot shtëpie si Frroku, i cili, veç faktit që banon në Tropojë, nuk ka asgjë tjetër të përbashkët me këtë trevë. Në përpjekje për të luftuar një stereotip, Mamaqi krijon një stereotip tjetër, po aq negativ për tropojanët. Siç janë të frikshëm në “Taken”, si kriminelë, po aq të frikshëm janë ata edhe në komedinë e Ermal Mamaqit, këtë radhë, si injorantë, të pagdhendur.
Është e vërtetë që komedia nuk është dokumentar, por, kjo nuk do të thotë që të kalohet në ekstremin tjetër-të përçudnohet dhe të tjetërsohet personazhi, deri në atë masë, sa të mos ruaj asnjë element identitar të komunitetit të vet.
Titulli i komedisë është “Unë e dua Tropojën”, pra, që në fillim, bëhet e qartë se ajo i kushtohet një treve të spikatur nga ana e identitetit. Që do të thotë se personazhet e filmit, qoftë edhe komedi, të cilët vijnë nga kjo zonë, duhet të jenë prototipe të saj. Unë kurrë nuk kam njohur një baba tropojan të ngjashëm me Frrokun e Mamaqit, që të jetë, njëkohësisht, sa patriarkal e konservator, aq edhe liberal (që u përgjigjet skenave prej gej të dhëndërrit të tij dhe që i pëlqen bixhozi). Po aq e tjetërsuar, por në mënyrë krejt të shëmtuar, është bashkëshortja e tij, një injorante e kompletuar. Të shëmtuara paraqiten në komedi edhe marrëdhëniet e tyre bashkëshortore, të bazuara jo në dashuri, ose të paktën në respektin e ndërsjellë, por në fyerje e poshërim. Një ndër “komplimentet” e Frrokut për gruan e tij është edhe ky: “ka 40 vjet që flej me një burrë”.
Vajzat dhe gratë tropojane, përgjithësisht, karakterizohen nga zgjuarsia, butësia, dhembshuria dhe feminiliteti. Siç thotë një këngë e jona, ato “i mësojnë zogjtë me fluturue”. Unë nuk kam njohur një nënë tropojane të ngjashme me atë të shpikur nga Mamaqi. Është e pabesueshmë se si një nënë e tjetërsuar, deri në këtë shkallë, që nuk e ka idenë e sjelljes njerëzore, as në shtëpi, as në publik, një shkretëtirë shpirtërore e stisur nga Mamaqi, mund të lindë, të rrisë dhe edukojë një vajzë si Valbona, e cila, megjithëse është ndër personazhet më të arrirë të komedisë, nuk u ka shpëtuar sajesave të skenaristit.
Duke i tjetërsuar tropojanët, megjithatë, Mamaqi nuk i ka shpëtuar stereotipit të vjetër për ta, si njerëz të dhunshëm, të pamëshirshëm dhe trafikantë. Të tillë vijnë në komedi dy djemtë e Frrokut. Ose paraqitja e Tropojës si e militarizuar. Pranë shtëpisë së Frrokut, “vigjilojnë” dy roje të armatosura. Dasma e Landit dhe Valbonës zhvillohet në prani të armëve dhe maskave. Këto skena të sjellin ndërmend imazhet e vitit të mbrapshtë 1997, karakteristikë për gjithë Shqipërinë, por jo për Tropojën 23 vite pas tyre. Karakteri dhe shpirti i tropojanëve nuk mund të pasqyrohen, duke u bazuar në sterotipet e vjetra tё “Taken”, apo ato të reja tё komedisë së Ermal Mamaqit.
Së dyti, në qoftë se Mamaqi ia lejon vetes që të tjetërsojë tropojanët, këtë gjë nuk e bën me KM Rama, i cili në këtë komedi është krejtësisht vetvetja, “i forti”, ai që hiqet se është i tillë edhe si Kryeministër. A e keni parë kur iu turret me kërcënime gazetarëve dhe opozitës, apo kur paraqitet si shpëtimtar në rastet e fatkeqësive natyrore, si tërmeti. Por tjetër gjë është të bësh “të fortin” në parlament, apo ndonjë pjesë tjetër të Shqipërisë dhe krejt tjetër, në mes të Tropojës. Deri tani, në karrierën e tij politike, mbi 20 vjeçare, Rama nuk ka guxuar ta bëjë një gjë të tillë. Me ndihmën e Ermalit, ai e realizoi edhe këtë. Ai vjen me helikopter, i shoqëruar nga shumë bodigardë, “vendos rregullin” në dasmën-tollovi të Landit dhe Valbonës, ku të gjithë luftojnë kundër të gjithëve dhe, në logjikën e “të fortit” kërcënon: “S`ka bir none dhe bir kurve të martojë Landin me zor”. Dhe më tej: “Jemi për paqe, por as luftës nuk ia përtojmë… Dy duar për një kokë janë”. Tropojani i tjetërsuar i Mamaqit, Frroku, e harron burrërinë dhe krenarinë e malësorit dhe me servilizëm i thotë: Po, ti je burrë, jo ai tjetri (babai i Landit). Kjo ndodh në filmin e Ermalit, por jo në realitet. Nuk përjashtohet që të ketë ndonjë tropojan që mund ta vlerësojë Edi Ramën, por jam i bindur se jo për burrëri, as për karakter.
Në gjykimin tim, Edi Rama është figura më e papërshtatshme për t`i dhënë një rol në një film mbi Tropojën. Ermal Mamaqi përpiqet të justifikojë veprimin e tij me interesat e marketingut dhe publicitetit, por ai harron se me këtë veprim i ka provokuar dhe fyer keq vendin dhe njerëzit, të cilëve ua ka “kushtuar” komedinë e tij. Në thelb, ai i shërben KM Rama, duke u përpjekur ta çlirojë atë nga kompleksi i vjetër për të “shkelur” Tropojën.
Së treti, kthimi i të qeshurit në qëllim në vetvete, në dëm të përçimit të ideve e mesazheve, e varfëron dhe e vulgarizon skenarin, për pasojë, edhe vet komedinë. Shpesh, humori kërkohet si me zor, jo në mënyrë të natyrshme, por i nxitur, jo si rrjedhojë e situatave komike, por e fjalorit banal, që përdoret nga të gjithë personazhet, përfshirë edhe gratë, sidomos nga vjehrra e Landit dhe nëna e tij, duke krijuar përshtypjen se nuk kemi të bëjmë me një komedi të mirfilltë, por me një montim mekanik të disa anekdotave, apo me një skeç të rëndomtë, pak më të gjatë se të tjerët, të xhiruar në natyrë. Edhe këtu, mbase, qëllimi është i mirë-argëtimi sa më i madh i publikut, i lidhur ky edhe me komercializmin. Sipas Mamaqit, suksesi i filmit varet, pikërisht, nga biletat e shitura. Por duhet sqaruar për çfarë suksesi flet ai. Natyrisht bëhet fjalë për sasinë e parave të arkëtuara nga shitja e filmit. Megjithatë, jo gjithmonë, ky sukses përkon edhe me atë artistik. Aq më keq, kur kërkohet që suksesi të përftohet, duke përbaltur të tjetët. Dakord, të qeshim, por mbi çfarë baze apo motivi dhe çfarë mesazhi synohet që të përçohet nëpërmjet të qeshurës. Në qoftë se këta elementë mungojnë, siç ndodh në filmin e Mamaqit, atëherë komedia vështirë të justifikojë veten. Edhe kamerat e fshehura gazmore, me njerëz të paidentifikuar, edhe shfaqjet me kllounë, të bëjnë të qeshësh. Të dyja më të mira dhe më të lira për argëtim, sesa komedia e zhveshur nga motivet dhe mesazhet.
E madhja Nexhmie Pagarusha, e cila ndërroi jetë këto ditë, më ka treguar se në karrierën e saj të gjatë, i ka ndodhur edhe të vërshëllehet, sepse publikut nuk i pelqente kënga e bukur e saj, por tallavaja. Për fat të keq, edhe sot e kësaj dite, tallavaja shitet mirë, pavarësisht se është me miliona vjet dritë larg “Bareshës” së Pagarushës. Në këtë kuptim edhe filmi i Mamaqit mund të quhet një tallava-komedi për Tropojën.
Në gjykimin tim, problemi kryesor me skenarin është se autorët e tij, nuk e njohin Tropojën dhe banorët e saj, historinë, kulturën dhe psikologjinë e tyre. Është e pafalshme për Ermal Mamaqin, që për të shkruar skenarin e komedisë së tij, mjaftohet, siç shprehet ai, me tregimin në një mejhane të një burri të panjohur, “me bark e me zhul dhe me dorën poshtë pantallonave”. Po të isha në vendin e tij, para se të ulesha për të shkruar një skenar për Tropojën, do të këshillohesha me disa prej intelektualëve të saj, të cilët, mund të gjenden, jo larg, por në mes të Tiranës, si Rektori i Akademisë së Arteve, aktori i njohur, Petrit Malaj; shkrimtari dhe skenaristi Besnik Mustafaj; autorët e disa librave historikë mbi këtë trevë, Ibrahim Kadria dhe Mark Palnikaj;” Mjeshtri i Madh” i humorit tropojan, Ali Mula; poetët dhe studiuesit e artit, Anton Papleka, Mehmet Elezi dhe Hamit Aliaj; publicistët Ramiz Lushaj, Ilir Bucpapaj, etj, etj. Këshillimi me ta do ta çlironte skenarin e Mamaqit nga zhuli i mejhanes dhe personazhet tropojanë të komedisë do të ishin shumë më të natyrshëm dhe më të besueshëm.
Në përfundim, dua të theksoj se, pavarësisht këtyre të metave të komedisë “I love Tropoja”, gjykoj se janë të pajustifikueshme thirrjet për protesta apo për linçimin e autorit të saj. Ajo që duhet të bëjmë është që të shprehim lirisht mendimet tona për këtë film, ashtu siç i kemi, në mënyrë të qetë dhe të kulturuar, për të dëshmuar edhe një herë tjetër se nuk kemi asgjë të përbashkët me stereotipet e tropojanëve të “Taken” apo ato të komedisё sё Ermal Mamaqit.