“Mbusheni trurin tuaj me ëndrra të mëdha, që të mos ketë hapësirë për gjëra të vogla”, thotë shkrimtari, Robin Sharma. Dhe ne sot në këtë puntatë të emisionit Imagjinatë, do ta përdorim trurin në kapacitetin e plotë të tij.

Imagjinoni sikur ju mund të bëni çdo gjë! Pikturoni një vepër madhështore në një minutë, mësoni çdo gjuhë brenda një ore, ndërtoni një kompani që gjeneron miliona dollarë brenda natës dhe të sundoni botën të nesërmen.

Por çfarë po ju pengon? Pse nuk po bëni atë që dëshironi? Ndoshta s’keni dëgjuar mjaftueshëm Mozart-in kur ishit të vegjël? Nuk keni konsumuar mjaftueshëm ushqim të shëndetshëm teksa rriteshit? Apo nuk po përdorni trurin në kapacitetin e tij të plotë? Dëshiron të mësosh se si mundesh?

Truri është një pjesë shumë e ndërlikuar e njeriut. E kemi studiuar atë për shekuj me radhë, dhe akoma po mësojmë çdo ditë nga sekretet e tij edhe sot.

“Truri i njeriut përbëhet nga mbi 100 miliardë neurone dhe mbi 1000 miliardë qeliza gliale. Dhe kjo diferencë ka qenë pikërisht pikënisja e mendimit se ne përdorim një pjesë më të vogël të trurit se sa kapaciteti ynë tërësor”, thotë doktoreshë Arminda Avdulaj.

Por duhet të tregojmë kujdes, pasi kërkimi për fakte, ndonjëherë mund të çojë dhe në imagjinatë. Që të jesh i zgjuar, truri juaj duhet të jetë tepër i madh? Kjo është një teori tepër e gabuar.

Madhësia e trurit lidhet më shumë me proporcionin sesa me inteligjencën. Për shembull. Të krahasojmë trurin e njeriut me atë të një balene. Gjejeni pak kush është më i zgjuar? Trupi i kujt ka nevojë për më shumë fuqi procesuese? Truri juaj është më i vogël se sa i balenës, pasi trupi juaj është më i vogël. Megjithatë, është i ndërtuar në një strukturë që na mundëson të mbijetojmë dhe të jemi të suksesshëm.

“Kapaciteti i trurit është diçka dinamike, është i vetmi organ që nuk konsumohet nga mbipërdorimi, ndryshe nga organet e tjera. Kështu që rënia në monotoni, mungesa e gjërave të reja, interesante, apo edhe izolimi nga jeta sociale, mund të bëjë që truri ynë të mos krijojë lidhje të reja nga një neuron te tjetri”, thotë Avdulaj. “Ka mënyra të ndryshme për ta mbajtur aktiv trurin, disa prej të cilave janë tmerrësisht të thjeshta. E para dhe më e rëndësishmja është gjumi.

Por përtej kësaj, a besoni se njerëzit përdorin vetëm 10% të trurit të tyre? Të imagjinojmë sikur ne po përdorim 100% të tij. Ne e kemi parë se çfarë mund të bëjnë njerëzit shumë të zgjuar. Ata na frymëzojnë ne përmes artit, muzikës, letërsisë; ata sfidojnë të gjitha mundësitë në sport. Shpikin pajisje që na e bën jetën tonë më të lehtë, si dhe ndihmojnë në organizimin e shoqërisë në tërësi, duke na bërë të gjithëve ne më të fuqishëm. Për mirë, ose për keq.

Duke pasur qasje në kapacitetin e plotë të trurit tuaj, ju nuk do të kishit limite. Por çfarë do të bënit?

Kryesoret fillimisht, më në fund do të zgjidhnit kubin Rubik që është mbuluar nga pluhuri në sirtarin tuaj. Telefononi mikun më të zgjuar dhe e sfidoni në një lojë shahu. Shah Mat në dy lëvizje. Sigurisht do të përfitoni kënaqësi të madhe. Doktoresha Arminda Avdulaj na tregon se si duhet të kujdesemi më mirë për trurin tonë.

Një tjetër faktor i rëndësishëm është ushtrimi fizik. Pavarësisht se është deri në 1,4 kg të peshës së trurit tonë, konsumon 1/5-tën e oksigjenit që ne thithim me anë të mushkërive. Kjoi mund të rritet përmes aktivitetit fizik”, thotë Avdulaj. “Një tjetër mënyrë është ushqimi. Sa më pak yndyra dhe alkool ndikojnë në funksionimin më të mirë të trurit. Reduktimi i stresit është një tjetër faktor.”.

Por kur të përfundoni së mburruri më njerëzit që ju njohin, do të kërkonit për sfida të vërteta. Duke qenë se do të jeni shumë të zgjuar, ju nuk do të ndjenit kënaqësi të vazhdueshme me gjërat që na bëjnë ne të thjeshtëve të lumtur. Por çfarë do të ngacmonte interesin tuaj? Arti? Shkenca? Teknologjia? Por duke mos pasur asnjë limit, atëherë pse të zgjidhni?

“Picaso ishte i mbivlerësuar”, “Më vjen keq që jam me vonesë, isha gjithë natën zgjuar duke shëruar kancerin”, “Thashë me vete pse jo, dhe kështu shpika makinën e udhëtimit në kohë”, të gjitha këto fraza do të mund t’i shqiptonim ndërsa nuk do të kishim asnjë limit.

Por çfarë ndodhë me trupin tuaj, ndërsa ju i dedikoni të gjitha energjitë e trurit tuaj një shpikjeje, kure, apo një risije?

Mushkëritë tuaja frymojnë, zemra ju pulson, po tretni ushqimin dhe gjaku juaj po qarkullon. Të gjitha këto i bën truri juaj.

Edhe sikur të kishit qasje në 100% të trurit tuaj, sërish nuk do të ishit në gjendje ta përdorni. Kjo sepse do të ishit të limituar nga nevojat e trupit tuaj për mbijetesë. E mbani mend kur ju pyetëm nëse besoni vërtetë se përdorim vetëm 10% të trurit tonë? A e besuat? 10% është një mit; dhe me shumë mundësi vjen nga një konfuzion shumë i thjeshtë. “Teksti i parw qw e ka thwnw kwtw shifwr wshtw botuar nw vitin 1986”, thotw Avdulaj.

Truri juaj përbëhet nga 10% neurone dhe 90% nga qelizat gliale. Kemi lloje të ndryshme neuronesh që merren me funksione të caktuara. Por kryesisht, neuronet na mundësojnë që të procesojmë dhe transmetojmë informacion, ndërsa qelizat tona gliale rrethojnë neuronet duke i siguruar atyre mbështetje dhe izolim.

Të gjithë njerëzit kanë të njëjtën formë truri. Dhe truri juaj ka të njëjtën sasi neuronesh, sa ka pasur edhe ai i Albert Ajnshtajnit. “Deri në vitet 1950 mendohej se përmasat e trurit kishin lidhje me funksionimin e tij. Pastaj, në momentin që ndërroi jetë Ajnshtajn, në vitin 1955, një ekip i tërë shkencëtarësh u mor me ekzaminimin e autopsisë së trurit të tij. Dhe faktikisht truri i tij u ndaj në 250 pjesëza të vogla. Ajo që u pa ishte se truri i tij ishte më i vogël se mesatarja e moshatarëve të tij, Aty u hodh poshtë teoria që përmasat e trurit kishin lidhje me inteligjencën që ai shfaqte”, thotë Avdulaj.

Por si mund të bëheni më të zgjuar? Stërviteni trurin tuaj si një muskul. Stimulojeni atë. Provoni gjëra të reja. Merrni përsipër sfida. Dhe pushoni mjaftueshëm. Mbani sjellje dhe zakone të shëndetshme; është diçka shumë e shëndetshme për tu bërë!