Të dhënat e publikuara nga Eurostat kanë të bëjnë me periudhën e vitit 2018, gjatë së cilës Holanda ka rezultuar vendi me përqindjen më të lartë të personave që kanë punuar nga shtëpia me 14 për qind.

Bruksel

5,2 për qind e qytetarëve të Bashkimit Evropian (BE) punojnë nga shtëpia, treguan të dhënat e Zyrës Evropiane të Statistikave (Eurostat), transmeton Anadolu Agency (AA).

Të dhënat e publikuara nga Eurostat kanë të bëjnë me periudhën e vitit 2018, gjatë së cilës Holanda ka rezultuar vendi me përqindjen më të lartë të personave që kanë punuar nga shtëpia në mesin e vendeve anëtare të BE-së. 14 për qind e holandezëve kanë kryer punët nga shtëpia, pasuar nga Finlanda me 13,3 për qind, Luksemburgu me 11 për qind dhe Austria me 10 për qind.

Nga ana tjetër, vendet ku më pak qytetarë kanë punuar nga shtëpia janë Bullgaria me 0,3 për qind, Rumania me 0,4 për qind, Qiproja Greke me 1,2 për qind dhe Kroacia me 1,4 për qind.

Në Gjermani, 5 për qind e qytetarëve kanë punuar nga shtëpia, në Francë 6,6 për qind, në Itali 3,6 për qind dhe në Spanjë 4,3 për qind.

Në Britani, e cila tashmë është larguar nga blloku, 4,4 për qind e qytetarëve kanë punuar nga shtëpia.

Ky numër në Turqi është 2,2 për qind.

Në baza gjinore, në BE, përqindja e punës nga shtëpia te femrat ka qenë 5,5, ndërsa te meshkujt 5.