Ballina Ravijëzime KA RA BORË NË TROPOJË – Nga Ramiz LUSHAJ

KA RA BORË NË TROPOJË – Nga Ramiz LUSHAJ

I thinjur, po më merr malli të lodroj si fëmijë mbi borë,
Si dikur, me kluca me i nxanë tricat me i trohë bukë.
Po peni nyjelidhun i kësaj kohe më ndjek çdo orë,
Vet vitet e jetës e hapat në rrugë më kanë fut në klucë…

Dua të rrëshqas me koritë druri mbi Alpe e hapësirave të globit,
Mbi thinjat e mija çapërpik në letra e në orbitat e kohës.
Pas çdo boheme drejt Tiranës, Johanesburgut e Nju Jorkut.
T’i rikthehem engjëllor e mëkatar, i ri e i mplakur, Tropojës.

Dua të ngjitem mbi kullen time alpine me e çplue prej borës.
Aty lotët e mallit deri në maje të oxhakut kallkin janë tuj ngri’
O, më kanë mbetë vetëm kulla e fëmijëria në fijatje të kohës.
Shpesh rikthehem i thinjur, me mirësi, si Babagjysh i Vitit të Ri.

Dua t’i mbathi rrathët e borës e të fluturoj mbi borën e dimrit alpin.
Të luaj me topa bore në Tropojën hyjnore si dikur kur isha fëmi.
T’ia shkrijë sa të muj ortiqet e politikës që i dalin para në udhëtim.
Të gjuaj me topa akulli ata që vendlindjes m’i bahen zhingaxhi…