Sekretari i Përgjithshëm i OKB mbajti një konferencë shtypi në Nju Jork ku foli për prioritetet e punës së tij në vitin 2020. I pyetur për Ballkanin ai kërkoi pajtim të palëve dhe afrimin e vendeve me BE.

Antonio Guterres, Sekretari i Përgjithshëm i OKB, thotë se komuniteti ndërkombëtar duhet të mbështesë Ballkanin. Në një konferencë shtypi mbajtur sot në selinë e OKB në Nju Jork, Guterres tha se OKB do të jetë kooperativ me vendet e rajonit dhe do t’i mbështesë “për të luftuar ndarjet që ekzistojnë dhe për të ecur në procesin e integrimit europian”.

Sekretari i Përgjithshëm tha, se ndjek me shqetësim zhvillimet në Bosnjë Hercegovinë. “Bosnja dhe Hercegovina ka nevojë për komunitetin ndërkombëtar që të kapërcejë situatën mosfunksionuese politike, e cila nxit ndarjet”. Duke vënë theksin në rëndësinë e “pajtimit të vërtetë”, ai anoncoi vajtjen e tij në Bosnjë, në 25 vjetorin e Srebrenicës në mënyrë që “ajo të mos përsëritet kurrë”.

Guterres vlerësoi rëndësinë që ka ngritja e një sistemi global për dënimin e genocideve dhe krimeve kundër njerëzimit. “Ne jemi ende larg një sistemi penal global. Por… është e rëndësishme që ne të mbështesim një system të tillë, që krimet kundër njerëzimit dhe genocidet të mos mbesin pa u dënuar”.

Sekretari i përgjithshëm shtoi se “duhet të jemi kooperativ me të gjitha vendet e rajonit”,  dhe përshëndeti Borrellin, Përfaqësuesin e lartë të BE për politikën e jashtme, i cili e ka shpallur Ballkanin prioritet të punës së tij. Joseph Borrel do të vijë në Nju Jork në fund të këtij muaji, për here të parë në posti e ri. Mes të tjerash ai pritet të marrë pjesë në një takim të Këshillit të Sigurimit, në të cilin do të diskutohen marrëdhëniet midis OKB dhe Bashkimit Europian.