Shoqata e Turizmit e Kinës tha se vendi do të ndalojë të gjitha grupet turistike dalëse që nga e hëna.

Presidenti i Kinës Xi Jinping tha se parandalimi dhe kontrolli i  shpërthimit të pneumonisë të shkaktuar nga koronavirusi i ri është  aktualisht detyra më e rëndësishme.

Në një takim të nivelit më të lartë të drejtuar nga Xi, u vendos  të formojë një grup pune të nivelit kombëtar për mbikëqyrjen e punëve  përkatëse.

Pneumonia e koronavirusit të ri shpërthye në fillim në Wuhan,  kryeqendrën e Provincës Hubei të Kinës qendrore, dhe më pas u përhap  shpejt në mbarë vendin.

Sipas një deklarate të lëshuar pas takimit, Hubei duhet të marrë  masa më të rrepta për të parandaluar përhapjen e pneumonisë dhe të  garantojë sigurimin e elementeve themelore të jetesës për banorët në  Wuhan dhe gjithë provincën.

Qyteti Wuhan ka vendosur të ndalojë automjetet e zakonshme në  rrugë prej së dielës, si pjesë e përpjekjeve për frenimin e përhapjes së  koronavirusit, me përjashtim të automjeteve zyrtare dhe makinave të  lejuara për transportimin e furnizimeve dhe të transportit falas.

Qyteti gjithashtu ka vënë në dispozicion 6 mijë taksi për të  siguruar udhëtime falas për banorët vendës. Ata do të ofrojnë shërbime  të tilla si shpërndarja e ushqimeve e ilaçeve, si dhe trajtim urgjent  mjekësor për sëmundjet pa temperaturë. Autoritetet sugjerojnë që  pacientët me temperaturë të transportohen me automjete të posaçme nga  Departamenti i Parandalimit të Epidemive.

Në Pekin, Bashkia ka njoftuar se do të pezullojë të gjithë  autobusët ndër-krahinor nga e diela për frenimin e përhapjes së  koronavirusit.

Deri në mesnatën e 25 janarit, Kina ka raportuar 1 975 raste të  konfirmuara të pneumonisë së shkaktuar nga koronavirusi i ri, 324 e të  cilëve në gjendjen e rëndë. Pneumonia ka shkaktuar 56 të vdekur,  ndërkohë 49 veta janë shëruar dhe kanë dalë nga spitali. 26484 veta  dyshohen për infektimin, ndërsa mbi 21 mijë të tjerë janë nën vëzhgimin e  mjekëve.

Raportohen edhe 3 raste të konfirmuara në Francë, 2 në ShBA, 1 në  Australi, 4 në Tajlandë, 2 në Japoni, 2 në Korenë e Jugut, 2 në  Vietnam, 3 në Singapor dhe 1 në Nepal.

Krye-eksperti kinez i rrugëve të frymëmarrjes Zhong Nanshan ka  konfirmuar se disa lloje barnash do të përdoren për trajtimin klinik të  koronavirusit të ri. Ai tha se siguria e barnave është e qartë, por  efikasiteti i tyre duhet të konfirmohet më tej. Ai sugjeron gjithashtu  që masa më efektive për parandalimin dhe kontrollin e epidemisë deri  tani është zbulimi dhe izolimi i hershëm. (Wang Lei/Albana)

/CRI/