Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu tha të dielën se shpreson të ”bëjë histori” gjatë vizitës së tij të ardhshme në Shtëpinë e Bardhë ku pritet të bëhet publik plani i paqes për Lindjen e Mesme i Presidentit Donald Trump.

Duke iu drejtuar kabinetit të tij qeveritar pak përpara nisjes për në Uashington, zoti Netanjahu e përshkroi situatën aktuale, të karakterizuar nga lidhje të ngushta me zotin Trump, si një mundësi që të jepet një herë në jetë e që nuk “nuk duhet humbur” siç tha ai.

Plani i zotit Trump pritet të jetë jashtëzakonisht i favorshëm për Izraelin.

Po shkoj në Uashington me një përgjegjësi e mundësi të madhe e shpresoj se do të mund të bëjmë histori‘’, tha ai.

Publikimi planit është shtyrë vazhdimisht dhe duket se ka pak mundësi të jetë i suksesshëm. Palestinezët e kanë refuzuar tashmë atë, duke akuzuar zotin Trump se është i njëanshëm dhe i padrejtë.

Në një deklaratë të dielën, ministria e Jashtme e Autoritetit Palestinez bëri thirrje për “një deklaratë të qartë ndërkombëtare që kundërshton marrëveshjen e shekullit” që siç tha më tej “do të vinte në rrezik stabilitetin rajonal”.

Plani mund t’i japë zotit Netanjahu, i cili ndodhet në mesin e fushatës së tretë për rizgjedhje brenda një viti, një ngritje në përpjekjet për të qëndruar në detyrë ndërsa vazhdon përballjen me akuzat penale për mashtrim, shkelje të besimit dhe pranim ryshfeti.