-Mesazhi i z. Harry Bajraktari dërguar kryetarit të Komisionit të organizimit të Kuvendit të Vatrës, 19 Janar 2020-

I nderuar Agim Rexhaj,
Kryetar i Komisionit për organizimin e Kuvendit zgjedhor të “Vatrës” me 19 Janar, 2020 në Michigan:
Ju falenderoj shumë për respektin dhe ftesën që më dërguat për të marrë pjesë në këtë ngjarje të rëndësishme të Federatës”VATRA”, e cila ka rol të madh për komunitetin tonë shqiptar-amerikan në SHBA. Në pamundësi të marr pjesë e të jem me Ju, Kuvendit zgjedhor dhe delegatëve të tij, i uroj shumë sukses dhe punë të mbarë në realizimin e obligimeve që miraton ky Kuvend.
Më lejoni që në këtë kontekst, para këtij Kuvendi zgjedhor, t’i paraqes disa ide të mia, që kanë të bëjnë me zhvillimin, organizimin dhe zgjerimin e Vatrës, si organizata më e vjetër e shqiptarëve në Amerikë.
Të nderuar Vatranë’
Të gjitëh e dimë se roli i Vatrës, që nga themelimi i saj, ka qenë historik dhe i jashtzakonshëm, ku asnjë organizatë tjetër shqiptare, në Amerikë, si kjo, nuk ka mundur të mbijetojë kaq gjatë e të ketë aq famë e sukses.
Sot, numri i shqiptarëve në Amerikë,është shumë më i madh si asnjëherë më parë. Jemi dëshmitarë se ky numër i shqiptarëve po rritet prej viti në vit, e bashkë me të dhe komuniteti ynë. Sot, veprojmë në rrethana e kushte të reja, kemi biznesmenë e e kompani të sukesshëm gjithandej Amerikës, e disa drejtojnë bizneset në Wall Street, njerëz të profesioneve të ndryshëm si: mjekë, avokatë, drejtues të kompanive dhe profesionistë në vende të ndryshme pune, të rinj që po shkollohen në degë të shumta në Universitetet e njohur amerikane e po marrin detyra me përgjegjësi në sektorë të ndryshëm.Në rrethana të tilla, jam i bindur se mundësitë për krijimin e kushteve për riorganizimin, forcimin dhe zgjerimin e Vatrës, në një organizatë të fuqishme, janë shumë më të mëdha dhe më të volitshme se kurrë më parë.
VATRA, mendoj se duhet të projektojë edhe afate më të gjatë kohore për zhvillimin e ardhshëm të saj. Me këtë dua të them se atë duhet ta kemi edhe pas 100 vitesh, ashtu siç arritën brezat e saj të mbajnë gjallë e të fuqishme tash pas 100 vite.
Ekzistenca e saj, varet nga ajo se sa kemi vullnet të punojmë së bashku, për një qëllim të caktuar, që idealin e atyre që e themeluan para një shekulli, ta çojmë përpara edhe për një shekull tjetër.
Kushtet në të cilat vepron sot Vatra, janë të pamjaftueshme që ajo të jetë në nivelin e dëshiruar, prandaj unë mendoj se kësaj organizate, para së gjithash, i duhet një mbështetje e fuqishme për sigurimin e një objekti “Shtëpi e Vatrës”, që do të krijonte kushte të mira pune, mundësi për pritjen e delegacioneve shtetërore, organizimin e simpoziumeve shkencore-kulturore, si dhe mundësi për mbajtjen e manifestimeve të tjera shqiptare e amerikane.
Ky objekt, sipas meje, do të duhej të kishte: një sallë për pritje, një muzeum,- ku vizitorët do të mësonin historinë e Vatrës dhe të komunitetit tonë, si dhe komponente të tjera për nevojat e kësaj organizate. Sigurimi i një objekti të tillë nuk është i pa arritshëm sot. Sipas bisedave që kam pasur me disa miq e shokë, që janë biznesmenë dhe profesionistë, shprehin dëshirën për të investuar dhe për tu bërë pjesë e Vatrës, ku në Amerikë quhen-Permanent Trustees. Të gjithë këto biznese shqiptare, investitorë të vullnetit të mirë, njerëz të profesioneve të ndryshëm, dhe individë të tjerë, mendoj se kanë gadishmëri, që të mbështesin një projekt të tillë, ku krahas reformave, VATRA do të kishte mundësi ideale të luante një rol tejet të rëndësishëm për komunitetin tonë shqiptaro-amerikan dhe për gjithë shqiptarët që jetojnë në trojet tona etnike në Ballkan. Në këtë mënyrë do t’i siguronim Vatrës edhe 100 vite të tjerë ekzistencë dhe do të lartësonim kontributin historik të gjithë atyre që Vatërn e sollën deri këtu-nga NOLI e KONICA dhe deri sot.
Zoti e bekoftë popullin shqiptar!
Zoti e bekoftë Amerikën?

Me respekt

HARRY BAJRAKTARI