Një virus i ri që ka lënë të vdekur nëntë persona mund të pësojë ndryshime dhe të shpërndahet edhe më shumë, kanë paralajmëruar zyrtarët shëndetësorë kinezë, teksa marrin masa kundër shpërndarjes së tij.
Aktualisht është konfirmuar për 440 persona të prekur nga ky virus, që ka origjinën nga tregu i ushqimit të detit.
Virusi është shpërndarë nga qyteti Vuhan në disa provinca tjera kineze, ashtu sikuse në Shtetet e Bashkuara, Tajlandë dhe Korenë Jugore.
Autoritetet kanë pranuar se Kina gjendet në “situatën më kritike” të parandalimit dhe kontrollit të virusit.
Kina ka pranuar se ka filluar shpërndarja e virusit nga një njeri te tjetri.
Virusi që tashmë njihet si 2019-nCoV, është bërë e ditur se është një lloj i ri i koronavirusit, që nuk është identifikuar më parë te njerëzit.
Simptomat e këtij virusi janë probleme me frymëmarrje, koll dhe ethe.
Organizata Botërore e Shëndetësisë ka kërkuar mbajtjen e një takimi urgjent më 22 janar për të diskutuar krizën dhe për të mësuar nëse shpërndarja e virusit përbën urgjencë ndërkombëtare për shëndetin.