Shqipëria përkujtoi dje 100 vjetorin e parlamentit të saj, i krijuar së pari nga Kongresi i Lushnjes, krahas qeverisë dhe institucioneve shtetërore. Një ceremoni ceremonish, ekspozita dhe konferenca shkencore në Tiranë e Lushnje.

“Vendimet e këtij Kuvendi Kombëtar janë mesazhe për reflektim, për të mbrojtur Kushtetutën, pluralizmin, integritetin e institucioneve shtetërore si dhe vlerat reale, pluraliste demokratike të parlamentarizmit shqiptar” – theksoi presidenti i Republikës, Ilir Meta në mesazhin e tij.

Kongresi i Lushnjës vlerësohet si ngjarja më e rëndësishme në historinë e shtetit shqiptar, pas shpalljes së Pavarësisë më 28 nëntor 1912 në Vlorë. Aty u rithemelua shteti shqiptar i pavarur, u krijua parlamenti e qeveria dhe shqiptarët shprehën vendosmërinë për të mbrojtur pavarësinë, sovranitetin dhe tërësinë territoriale të shtetit.

“Kongresi mori vendime historike për të mos lejuar copëtimin e mëtejshëm të trojeve shqiptare, dhe u dërguan kancelarive europiane dhe SHBA-ve mesazhin se shqiptarët janë të vendosur të luftojnë deri në fund për të qënë të lirë e të pavarur. Ishte vetëm zëri shpëtimtar i Presidentit Udro Uillson që ndali projektin famëkeq evropian për copëtimin e Shqipërisë” – tha në një konferencë shkencore kryetari i parlamentit Gramoz Ruçi.

Parlamenti ishte i përbërë nga anëtarë me bindje të ndryshme politike, të cilët bashkëpunuan për të shpëtuar dhe zhvilluar Shqipërinë. Ata vlerësohen si burra themelues patriotë e idealistë, që mbrojtën vendin e tyre në ditët më të errëta.

“Kontributi i tyre është edhe sot një leksion që duhet përsëritur, në mënyrë që çdo shqiptar, qytetar i thjeshtë, aktivist, politikan a klerik të mos harrojnë se në fillim është kombi dhe mbrothësia e tij, më pas vijnë individët dhe karrierat e tyre. Respekti për qytetarin, për të drejtat dhe interesat e tij dhe përpjekja për të mbrojtur ligjet që sanksionojnë dinjitetin e tij janë detyrime të përhershme që na vijnë nga Kongresi i Lushnjes” – theksoi në një mesazh kryetari i Partisë Demokratike të opozitës, Lulzim Basha.

Kongresi i Lushnjes dhe institucionet që krijoi ai i dha fund në janar 1920 qeverisë së përkohshme të Durrësit, që ishte krijuar një vit më parë.

Qeveria dhe institucionet e tjera të formuara në Lushnje u zhvendosën më pas në Tiranën kryeqytet, ku vazhdojnë edhe sot funksionimin e tyre prej 100 vjetësh.