Ndërsa udhëheqësit botërorë takohen me ekzekutivët miliarderë në Forumin Ekonomik Botëror të Davosit në Zvicër, dhjetëra mijëra njerëz kanë dalë në rrugët e qyteteve në mbarë botën me thirrje kundër pabarazisë në rritje.

Forumi i Davosit është një ngjarje vjetore për elitën më të pasur të botës që nga themelimi i tij në vitin 1971. Ai është bërë gjithashtu një objekt kritikash për ata që thonë se pabarazia globale ka dalë jashtë kontrollit. Në qytete të ndryshme të botës, si Nairobi, Nju Delhi, Manila dhe Londra, mijëra njerëz iu bashkuan protestave në rrugë, përpara fillimit të forumit.

Antonia Musonga, bashkërendon protestat në Kenia.

“Koha për të hequr qafe miliarderët është tani,” i tha Musonga Zërit të Amerikës. “Këta njerëz me shumë pasuri, kanë gjithashtu qasje te pushteti, privilegjet; ata ndikojnë mbi demokracinë tonë dhe mbi mënyrën se si ne jetojmë sot.”

Në botë ka mbi 2.100 miliarderë. Sipas një raporti të grupit bamirës Oxfam, ata posedojnë më shumë pasuri sesa 4,6 miliardë njerëzit më të varfër të botës dhe hendeku midis të pasurve dhe të varfërve po zgjerohet, ndërkohë që gjysma e popullsisë së globit jeton në varfëri.

Muajt e fundit, demonstrata antiqeveritare kanë shpërthyer në më shumë se 30 vende, nga Kili në Francë, Afrikën e Jugut e deri në Korenë e Jugut. Synimet e tyre politike mund të ndryshojnë, por ata ndajnë të njëjtin zemërim, thotë Amitabh Behar i organizatës Oxfam.

“Në të gjithë botën ka zemërim” thotë Behar. “Njerëzit dalin në rrugë dhe në thelb shtrojnë pyetjen: A kemi nevojë për miliarderë në këtë botë? Dhe kjo është pyetja kritike që duhet t’i përgjigjet Forumi Ekonomik Botëror. Miliarderët duhet të paguajnë taksat e tyre, por unë mendoj se përgjegjësia e vërtetë i takon qeverisë. Qeveria duhet të sigurojë që të gjithë të paguajnë taksat që u takojnë.”

Një studim në shkallë globale nga firma amerikane për marrëdhëniet me publikun Edelman tregon se rritja e pabarazisë së të ardhurave po minon besimin te kapitalizmi në të gjithë botën. Ndër të anketuarit, 56 përqind thonë se pabarazia po sjell më shumë të këqia se sa të mira, pavarësisht rritjes ekonomike në shumë vende të zhvilluara gjatë këtij viti.

“Mendoj se njerëzit në vendet e zhvilluara kishin idenë se, duke punuar më shumë, është e mundur të kalohet në një nivel më të lartë të ardhurash në gjeneratën tjetër. Kjo nuk është më e vërtetë,” thotë Richard Edelman, shef ekzekutiv i firmës Edelman.

Themeluesi i forumit, Klaus Schwab, ngul këmbë se Davosi nuk është thjesht një festë miliarderesh në majën e një mali.

“Është një vend ku vërtet mund të bisedosh me udhëheqësit e qeverive, bizneseve e të tjera. Dhe do të gjesh veshë të hapur për të të dëgjuar dhe për të vepruar bashkë me ty,” tha zoti Schwab në prag të samitit.