Si trinca e bores mbi krevat e rrushit, ditës së dimnit, si hardhuci zbathun zhegut të verës nan mrizin e lisit, a bjeshkës si gjeli i egër mbi qetina e ahe, degë më degë kacavjerrë, cakullin a strajcën ku mblidhnim mjedrra zharinave, kupnim dhe gaca mbi rrasa me kuka muzgut kuqrremë mbi maja për të trembur ujkun, me hhee, ku je moreee, prisnim vrritarët, që prej katundi ngjiteshin, hera-herës, në puse lumi, në va e valëza, me kosha në va pas troftash ngjitun.. Ortigjesh, në shpella e lugje tuj ngarkue mbi hunj ahu copa bore të ngrime që më pas I shkrinim në tamlin e deleve, akulloret magjike të bjeshkëve tona..Gerat dhe ketrat që na sfidonin mbi trungjet e nalta të pishave e aheve, natën futeshin nga birat e murit në stane e hurbnin tamel në korita.
Rrezet e diellit thërmuar mbi maja, dramca në sofrën e shpirtit,
lodrat me cingla, me kluca për trinca, ngrehca për thëllanza,
krahnoqi pas shpine, kungulli me kos, leqenik kollomoqi, dhën e dhi malluar në shpate, ogiçi me kumonë sjapi me cigare, si koçakë prijës, rogave, rudinave e shpatinave..
Rruga e shkollës, mes lugjesh e kreshtash mbi borë dhe akull,
Jeta plot halle, arrnuar me dhimbje, varfëria në skaje,
këngët e njoma, sythe të thame, vallëzime në menca konvikti e më pas,
shtegtimi pas dritës, si mësues në katund, ushtar diku në pyjet e Divjakës,
ditaret që shkruheshin në verbtinë e pishshtarëve, në cujtë bungu, që shkrumoheshin oxhaqeve.. Ferterja e gështenjave, e bacrungat mbas darke, në dimnat me netë të gjata, prrallat e tregueme e legjëndat me dragoj e kulçedra nga goja e dadës.
Homerin dhe Danten, që i zbërtheva, në netët e lodhuna prej ortigjeve, në dritën e pishtarëve, mbi muret e nxime,
në këthellat e kullave, ku lahuta s`prante..
me qirin në shpirt, me flakën në sy, me shpresën si vetima, që vret , a kthjellë pragjeve..Mjeda dhe Migjeni, ungjilli në gji..
Rendja ku munda shtigjeve, në udhën e universiteteve thyerandrre, i mohuar prej shtetit si bursant, korospondent i arave, shtigjeve, sokakve…
Vargun e shëjtnimit e rendita si kokërrat e arrave dhe gështënjave, krah e qafë, kreshtave dhe majave, ujëvarave e rrgallëve..
Fushës kur zbrita, me detin u lidha e shkrimë kufirin e ofshamave,
mes gëzimit , hidhërimit, dasmave dhe gjamëve, dëshprimeve, halleve..
Stacionet e mia, dashuria, fisnikëria, bujaria, e njerëzve , kujtimet e ambla, të hidhura, të trishta, agut e mramjëve..
Pragmrritja ; një strajcë me libra, truni e zemra, ndjenjat e shtrydhura,
esenca e jetës sime , thjeshtë një kasolle , ku hyn rrezja e zverdhun e diellit agimeve, hana zbathur në maje të këmbëve,
në ambicje me milingonjat që rendin në korsi, mbi samar kokërra meli a fije kashte..
Kultura dhe arti, etnogjëneza, veriut dhe jugut, më moren në krahë, nuk më lanë të dremitem, tanë jetën time, e shkokëluan në valle, në muzikë edhe kangë, shpesh retë e idhta, qiejtë m`i davaritën..Tash e sa të jam, me dorë e me kamë, mesy e me mend, skllav e bujkërob i lidhun me penën në arën libër, shqytar besnik I fjalës me amë, arbnores kullueme, si lulës mbi gëm, kullës kështjellë ku gur më dhëmb.
Autostrada ime e zbardhur, argjëndi i një unaze në gishtin e dytë të dorës së majtë, që të djathtës m`i bën naze!
Familja, burrë e grua, dy shpend të thinjun pranë oxhakut, djemtë, nuset, nipi e mbesa, Hermesi, Iliana, sfidues yjesh e lajmëtaresh,
të afërm, miq e dashamirë , mrizi ku pijë musht jete, ec e s`ndalem..
Curulitëm motesh e nuk di ku është stacioni i kësaj autostrade!
Nuk di, i bardhë, i murrmë a i zi ! Nuk po di, se pat thane nji filozof i bjeshkëve tona, Alpeve përmbi : “Burri ka kohë boll me u koritë”.
Kjo kurrë mos ndodhtë, o Zot ! Amin!