” Me dhanë pushkën pa luftue !

…ma mirë vdekë se me u marrue…”!

VISARET E KOMBIT

Tiranë,1939 / IV, f.88

Nga Nuredin Lushaj

Mark Deda (1840-1910) është dëshmori i parë që Berisha dhe Puka dhanë për liri e Pavarësi i cili është pinjoll i një prej kullave të Malësisë, që bijtë e saj kanë lënë histori të lavdishme ndër breza në luftë për liri e pavarësi me pushtuesit osmanë, serbë e malazezë, duke ia kushtuar jetën atdheut tonë të dashur. Kullë e cila gjendet në lagjen Belshina të fshatit Berishë të rrethit të Pukës, kontributi i së cilës për liri e pavarësi Kombëtare shtrihet që nga koha e Tanzimatit.


Mark Deda (Dëshmor i Atdheut), nga martesa e tij me Lenën, bijë Toplane nga dera e Dedë Kolës kishte tre djem: Ndoc Mark Deda (Dëshmor i Atdheut); Mëhill Mark Deda (Dëshmor i Atdheut); Gjergj Mark Deda (Qytetar Nderi Komuna Iballë).
Marku,
u rrit në Berishë në luginën e Drinit, në zemër të maleve kreshnike shqiptare, në një prej zonave të njohura për bujari, trimëri dhe atdhetari, që u bënë virtyt i formimit të tij, shembull për brezat pasardhës. Marku, ishte bashkëmbrojtës i traditave në autonominë e maleve që prej zbatimit të Reformave të Tanzimatit.Ai nuk u tërhoq nga idealet për liri e pavarësi as nga presioni i madh që ushtronte Porta e Lartë.
Mark Deda bashkë me trimat e tjerë të zonës, u bë përkrahës i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit për mbrojtjen e trojeve shqiptare deri në Plavë e Guci dhe të udhëheqësve të Lidhjes, Dega Pukë, si Ismail Agë Kryeziu, Musa Puka, etj. Edhe në vitin 1882-1885 Mark Deda merr pjesë në kryengritjen për lirimin e krerëve të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit ( Xhemal Meçi, Gazeta “Koha Jonë” Tiranë me 04 .06. 2016, f.14) Musa Puka, Ismail Agë Kryeziu (Dekoruar për veprimtari patriotike me 1978) kryengritje e organizuar nga Mustaf Agë Kryeziu, etj. (Dokomentat arkivorë Nr3/1Prot.,datë 18.08.2014 dhe Nr.5/2Prot., datë 04.03.2016, Muzeu Historik Pukë) me qëndrimin e tij të guximshëm, tëhoqi rreth vetes luftëtar liridashës me të cilët u bë simbol i qëndresës në viset për rreth Drinit, në anën veriperëndimore të Pukës e jashtë saj.
Luftrat e pareshtura të malësorëve kundër pushtuesit osman tregonin revoltën e tyre në rritje në shkallën më të lartë të ndërgjegjësimit kombëtar për liri e pavarësi. Megjithatë pushtuesit Osmanë nuk hoqën dorë për shtypjen e këtyre kryengritjeve dhe çarmatosjen e popullit. Për këtë qëllim ata dërguan herë pas here ekspedita të dhunëshme të cilat ushtronin terror ndaj banorëve dhe kërkonin çarmatosjen. Në këtë periudhë të vështirë e plot rreziqe djaloshi trim i berishës, Dëshmor i Atdheut Ndoc Mark Deda, duke kaluar fshatrave e lagjeve të Berishës, duke shprehur edhe mendimin e vendosur të popullit , deklaroi haptas se “nuk do t’i dorëzoj armët për së gjalli”. Më 1910, kur u kërkua me forcë zbatimi i ligjeve të Qeverisë Xhon Turke, Ndoci, prijësi i një prej çetave të kësaj zone, nuk pranoi, as taksa, as çarmatosje, as nizamërinë , detyrim ushtarak. Në Korrik të këtij viti, me ardhjen në Pukë të Shefqet Turgut Pashës në krye të një ushtrie të madhe, u bë presion i fortë ushtarak për dorëzimin e armëve që mbaheshin në popull. Në ato zona ku kishte prijës, si në Berishë: Ndoc Mark Deda i cili kishte rënë në sy nga pushtuesit si drejtues çete, organizues dhe prijës popullor, kundër pushtuesit, mblidhnin burrat dhe në qendër të fshatit i torturonin egërsisht, si e si që fshatarët nëpërmjet keqtrajtimit e dhunës të dorëzonin prijësit e çetave. Kur nuk ia arrinin qëllimit as kështu, merrnin masa të tjera me anë të xhandarmërisë e prej forcash ushtarake që t’i ndiqnin kudo duke përdorur edhe pabesira e pusira nga më të ndryshmet. Në këto kushte Ndoci së bashku me dy vëllezërit e tij Mëhillin dhe Gjergjin u arratisën në mal. Arratia në këto kohëra të vështira që po kalonte vendi ishte bërë një dukuri e zakonshme, por pas disa muajsh arratije, ata vendosën që të ktheheshin në shtëpi me datën 5 dhjetor 1910 pasi ishte një “Natë e Madhe” dhe populli e festonte sipas traditës Natën e Shënkollit, por një spiun, kishte njoftuar xhandarmërinë duke thënë se “Ndoci gjendej në shtëpi”. Kështu pa vonuar Kulla u rrethua nga forca të shumta ushtarake e të xhandarmërisë, të armatosura me mjetet luftarake më të mira të kohës. Ndoci vet i treti vëlla: me Mëhillin ,Gjergjin dhe babë Markun, vendosën së bashku që kurrësesi të mos dorëzoheshin. Luftimet filluan dhe forcat armike qëllonin mbi shtëpi nga të gjitha anët, por Ndoci doli me të shpejtë përmes të shtënave të armëve të zjarrit të forcave pushtuese duke hapur një front të ri në sulmin ndaj armikut, të cilët po qëllonin mbi shtëpi pa pushim, ai për të dalë u ndihmua edhe nga pema e manit e cila ndodhet në cep të shtëpisë dhe i shërbeu si mburojë i cili nga plumbat dhe gjylet e topave gjysma e tij më vonë u tha dhe gjysma tjetër ruhet edhe sot, i cili njihet si “Mani i Ndoc Mark Dedës”.
Me hapjen e frontit të ri të luftimeve nga Ndoci u zhvillua një betejë tepër e ashpër jehona e armëve ushtuan në luginën e Drinit, trimat nuk u mposhtën, por goditën pa pushim armikun, aq sa në kampin e zaptive filloi tërheqja në panik duke marrë mbi shpinë trupat e viktimave dhe të plagosurve të tyre, ndërsa Ndoc Mark Deda me vëllezërit e tij dhe pjesëtarët e çetës që i erdhën në ndihmë si Mehmet Ali Doçi, Demë Prendi, Koc Marku (ish korrier i Bajram Currit), Vëllezërit Koliku, Vat Martini i ndoqën zaptitë më luftime në mbi 2km, deri te “Lisi i Lekës”. Gjatë kësaj beteje u plagos Ndoci me të dy vëllezërit e tij Mëhillin dhe Gjergjin, ndërsa i ati i tyre Mark Deda gjatë luftimeve ra dëshmor në moshën mbi 70 vjeçare, dëshmori më plak i çetës. Porosia e fundit para vdekjes e atdhetarit trim Mark Deda për të bijtë që:
“Për të gjallë mos me u dorzue, / por me vdekë tuj luftue !”
Kjo porosi shprehet edhe në Këngën popullore e botuar tek VISARET E KOMBIT,Tiranë, 1939, IV,  f.88. Në këto vargje që vijnë nga shekujt në ditët tona shprehet qartë Atdhetaria e bijvë të tokës iliro-arbënore, teksa plaku legjendar i bjeshkëve tona Mark Deda është në grahmat e fundit të jetës nga plagët e luftës ai u drejtohet të bijve: ecni, mos e ndërprisni luftimin vazhdoni, luftoni e jetoni në atdhenun e lirë. Kështu gjatë luftimeve në kullë e cila u bë kala e pamposhtur ra dëshmor Mark Deda, por jeta dhe vepra e tij u gdhend në vargje (Ndrec Mustafa,”Vargjet e Këndueme”, Antologji poetike, Tiranë 2015,  f.134-135)

“…Çau rrethimin me pushkë në dorë / Baba Mark ra dëshmor
Edhe i vdekur ruante kullën / Si Vrana Konti dikur Krujën…”
Nga ana e armikut pati tetë të vrarë mes të cilëve edhe Çaushi (Komandati i garnizonit ushtarak ) si dhe të plagosur të shumtë. Ndoc Mark Deda e kishte paralajmëruar prej kohësh “Hyqimetin” (Përfaqësuesi i qeverisë osmane, i Portës së Lartë) se Berisha nuk i dorëzon armët për së gjalli dhe se po t’i kërkojë ndokush ato, do të gjakosej nga dora e popullit të saj.
Këto luftime krejt të pabarabarta me forcat armike, ishin traditë në këto male siç tregon Frang Bardhi në vitin 1638 kur e vizitoi zonën e Iballës dhe Berishën i cili shkruante: “…N’Evropë nuk gjendën as nuk janë gjetur trima si këta, që kaq rrënim t’u kenë sjellë osmanëve “…besohet se në Evropë nuk gjendën burra armësh më të mirë se këta kundër armikut. Burrat e kanë për nder të vriten sidomos me ushtri të mëdha, një i vetëm shkon me guxim e futet në mes të 15-20 ushtarëve armik, jo së largut e me zjarr, jo fshehurazi, por ballë për ballë, me siguri gjë e pabesueshme për ata që nuk e dinë.Prej natyre ata janë shumë të fortë, të shpejtë, fluturojnë si kaproj nëpër male e nëpër shkëmbinj, e durojnë urinë, etjen, të ftohtit, të nxehtit dhe të gjitha vuajtjet.Prandaj nuk është çudi që, mbasi sulltani e shtroi Serbinë, Bosnjën, Epirin e vendet e tjera përreth, këto katunde të vogla të Berishës e Iballës kurr nuk arriti me i shtrue nën tiranin e vet, megjithëse vit pas viti ka dërguar sanxhakët e vezirët e vet me forca të mëdha ushtarake që arrinin deri në 10 mijë ushtarë (Frang Bardhi, “RELACIONE mbi gjendjen e Shqipërisë Veriore dhe të Mesme në shekullin XVII”, Vëllimi II, Tiranë 1965, f.155). Këtë ngjarje të rëndësishme, sado me humbje dhe pasoja , gjatë së cilës Ndoci tregoi guxim e vendosmëri, duke dhënë shembull në komunitet, duke u bërë simbol i qëndresës Shqiptare, dhe nje figure e pavdeksehme e vetmbrojtjes Shqiptare, gjë që aq mirë e portretizon “Artist i Merituar” Prendush Gega, bashkëkohës i zhvillimit të ngjarjes në një prej këngëve më të fuqishme të krijimtarisë së tij: “N’at Stamboll po kndon gazata / si nap armët sa të jetë jeta
/ sa të jetë jeta armët si jap / për pa i la zaptit me gjak….”
Kënga e Ndoc Mark Dedës apo siç ndryshe njihet si: Ndoc Mar’ Deda, ku sipas dialektit Gegë, të folmes së Pukës bëhet asimilimi i germës “k” ,apo Ndoc Mardeda, ku pas asimilimit të germës “k” bëhet bashkimi i mbiemrit me emrin,madje ne Kosovë njihet si Ndoc Mark Gega pasi   qëndresa dhe figura e tij bënë jehonë në mbarë vëndin, kështu në Kosovë dhe diasporë i dhanë përmasat e Gegënisë duke e quajtur Ndoc Mark Deda i Gegënisë, Ndoc Mark Gega / Ndoc Mar’ Gega / Ndoc Margega.
Kenga e Ndoc Mark Dedës
është kënduar aq shumë me një shtrirje që nga Shqipëria, Kosova si dhe në të gjitha trevat ku flitet shqip deri SHBA (Shtetet e Bashkuara të Amerikës ) prej emigrantëve që jetojnë atje. Për më tepër, Festivalin Folklorik Kombëtar Gjirokastër, 1983, ansambli artistik i Pukës e ka hapur programin me këngën e Ndoc Mark Dedës. Në këtë festival prej dekadash zbrisnin aty nga brenda e jashtë Atdheut me një bukuri të rrallë veshjesh dhe entuziazëm mahnitës, shoqëruar me veglat muzikore të gjithfarshme, grupet më të mira të ansambleve folklorike për konkurim. Gjithashtu edhe ansambli “Rugova” i Kosovës ka bërë hapjen e Festivalit Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës në vitin 2009 me këngën e Ndoc Mark Deda e përzgjedhur prej tyre pasi këngëtari Kosovar, Bajrush Doda me këtë këngë kishte sukses të jashtëzakonshëm në mbarë Kosovën duke e ngritur publikun në këmbë me brohoritje (Xhemal Meçi, “Poeti i Kabashit”, Puka që në lashtësi – 6,Tiranë 2014, f.201-202; f.202-203; f.233-236). Kjo këngë e shndërruar në hymnin e trevave të Bjeshkëve të Epërme e kënduar përmes fishkëllimave shërbente si sinjal për patriotët e këtyre anëve (Ton Zmali, Shetitari i Buklisit vëllimi II, Tiranë 2017, f.22-23). Nga kjo luftë e përgjakshme dëmet ishin të mëdha, qoftë njerëzore, qoftë materiale. Në situatën e krijuar anëtarët e çetës së Ndocit, Koc Marku e Vat Martinit të plagosurit: Ndocin, Mëhillin dhe Gjergjin, i strehuan në një shpellë në vendin e quajtur “Te then Drini Qafën” e cila mori emrin “Shpella e Ndoc Mark Dedës”. Kjo shpellë me krijimin e liqenit të Komanit mbi lunin Drin u përmbyt pjesërisht. Ndërsa te kulla, në Belshina u mblodh fshati dhe bëri me nderime ceremoninë e varrimit të babë Markut, siç dinë të nderojnë heronjtë e vet populli patriot e fisnik i Berishës. Pas shërimit të tre vëllezërit u kthyen në Belshinë tek trojet e tyre dhe filluan rindërtimin e kullës dhe me tej në vazhdimin e veprimtarisë se tyre patriotike sepse akte të tjera trimërie e guximi i prisnin, siç do të jetë siguria e përcjellja e Arbëreshit Torenz Tocci në prill 1911, etj. (Prof. Dr. Aurel Plasari, “Gazeta 55”, “Si (nuk) u shpall pavarësia me 1911, Tiranë 10 shkurt 2007; M. F. Bajraktari “Coptimi i Shqipnisë dhe Kryengritja e Pukës 1911-1912”, Canada 1967)   
Jeta dhe veprimtaria patriotike në shërbim të atdheut e Mark Dedës është vlerësuar nga Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë përmes Komisionit Qendror të Statusit ” Dëshmori i Atdheut”, me vendim Nr.708 datë 11 Janar 2017 duke e shpallur atë “Dëshmor i Atdheut”, dhe familjes së tij i jep simbolin “Familje e Dëshmorit të Atdheut” .
Simbolet “Familje e Dëshmorit të Atdheut, për Dëshmorit e Belshinës: Mark Deda, Ndoc Mark Deda, Mëhill Mark Deda, Certifikata “Qytetar Nderi” i Komunës Iballë e Gjergj Mark Dedës, si dhe fotoportretet e tyre të përgatituar nga piktori Mahmut Gashi, ruhen nga pasardhësi i tyre, studiuesi, Inxhinier Kol Dedaj,Qytetar nderi Bashkia Pukë, autor i disa librave e botimeve. Në përgaditjen e këtij shkrimi modest për lexuesin u mbështeta në materjale arkivore si dhe në shkrimet e historianit Xhemal Meçi (Mjeshter i Madh) në botimet e mija të mëparëshme,etj., për këtë bërthamë e simbol të vetëtdijes sonë kombëtare. Në mbyllje bashkangjitur gjëndet një poezi e krijuar rishtazi për këtë pishtar të trojeve tona iliro-arbnore-Shqipëtare me titull:Plaku legjendar i bjeshkëve tona.

Autori
Nuredin Sadik Lushaj (studiues-Publicist)
Tiranë, Janar 2020

PLAKU LEGJENDAR I BJESHKËVE TONA

Mark Deda shqipe e malit
Drejt si pushka, lis i trollit,
Me djemët krenaria e vatanit
Të njohur Dëshmorë të Kombit
Ka krisë pushka në Berishë
Zjarr morën lisat në shkrepa
Nana Trimat i lindi me këmishë
Pa liri nuk na duhët asgjë jeta
Trimat e Pukës i lidhi besa
Me zaptit, flet grykholla
Komandant, NDOC MARK DEDA
Komandati, prin nëpër breza.
Mark Deda, vigan malësie
Mbeti pishtar në vatër të vet
I ban dritë Kombit për jetë
Për trimëri historia flet.
Në majë lisi, këndon bilbili:
Mes nesh rron, Mark Deda trimi
Plaku legjëndar, i bjeshkëve tona
Që për Komb u shkri si qiri
Në Evropë shkoi jehona:
“Puka lind djem Sokola.
Krenari për malet tona.”
Dëshmorët e Bleshinës kalojnë epoka.

Autori
Nuredin Sadik Lushaj (studiues-Publicist)
Tiranë, Janar 2020