Lëvizjet politike të periudhës postkomuniste ndër shqiptarët kanë qenë të kontrolluara nga ish shërbimet sekrete të shteteve përkatëse.
Njohësit e mirë të rrethanave duhet t’u shpjegojnë shqiptarëve në Maqedoni, cili nga ish deputetët, ministrat, zëvendësministrat, ambasadorët, kryetarët e komunave, apo drejtorët e ndërmarrjeve shtetërore, të dalë nga zgjedhjet e para shumëpartiake në Maqedoni në vitin 1990, nuk kanë qenë më parë komunistë jugosllavë, disa edhe funksionarë të lartë të partisë dhe pushtetit të mëparshëm diktatorial? Tepër rrallë ndonjë prej tyre mund të jetë rastësi, për t’u përshëndetur dhe nderuar.
Nga kjo bërthamë e sëmurë e lëvizjes politike të shqiptarëve, me të kaluar komuniste, e shitur si demokratike dhe antikomuniste, kanë dalë edhe shumica e partive politike të mëvonshme të shqiptarëve në Maqedoni. Këlyshët e komunizmit ish jugosllav, sado që mund ta lehin dhe kafshojnë me pahir, nuk e hanë nënën e tyre ideologjike!
Secili ka të drejtë personalisht të vendosë për bindjet e veta, ta zgjedh orientimin e tij të preferuar ideologjik, por askush dhe asnjëherë nuk mund t’i shërbejë interesit kombëtar përmes ideologjive të huaja, të cilat e ushqejnë dhe forcojnë ndikimin e huaj në shoqëri dhe në politikat e shtetit.
Shqiptarët në Maqedoni dhe në tërë hapësirën etnike shqiptare kanë nevojë më tepër se kurrë për forcimin e nacionalizmit dhe ideologjisë kombëtare, jashtë ndikimeve të huaja.
(9 janar 2020)