E pra, te dashur lexues, sot (per Europen neser) dita e 6 Janarit eshte plot dita e 80-vjetorit te lindjes se mikut te revistes ZemraShqiptare, (e i te gjithe atyre qe kane vertete zemer shqiptare), publicistit, historianit, piktorit, multikulturologut shkodran Fritz Radovani. Biri i Shirokes historike, nipi i te madhit Luigj Gurakuqi, intelektuali vertete i pavaruar e atdhetar Fritz Radovani ka nje biografi te lakmueshme atdhetare. Valet e jetes e hodhen shume larg ne Australi ku edhe feston sot me mall dekaden e 8-te te jetes por hapat e Fritzit ndjehen perdite bregut te Bunes, rreze mureve te Rozafes, kalldremeve te Shkoderloces e deri nalt ne Cukal, Juban, Velecik e Kelmend, Hot e Grude… e muzika e atyre hapave (hapa jete) sikur redaktohet e rikompozohet aty, mbi Taraboshin gjigand e sikur na flet te gjitheve FRITZIN E KEMI KETU!

Per te nderuar vellin, shokun, mikun tone Fritzin sot, ne kete dite te shenuar po botojme pak biografi dhe nje interviste qe para do vitesh kemi zhvilluar sebashku po ne ZSh. Nuk po kerkojme gjera te reja se vet Fritzi eshte dite per dite e me i ri, me i bereqetshem, me i nevojshem, me afirmatv, me i dashur per lexuesit, me atdhetar.

Te pacim Fritz Djali i shkoderloces historike kryeqendres shumeshekullore te Gegnise Shqiptare. Puna jote e ka kapercyer shekullin e sot po te urojme ta kapercesh edhe Ti.

***

Fritz Radovani u lind në Shkodër me 6 janar 1940. Në bombardimin e bamë nga Aleatët me 13 tetor 1943 në Tiranë, ìu vra i ati Kol Radovani, major i policisë shqiptare dhe u rrit me t’ëmën. Në vitin 1956, në Shkodër ka përfunduar shkollën e mesme Pedagogjike. U emënue nga Ministria e Arsimit në Burrel, në fshatin Macukull. Për nevoja shendetsore u kthye në Shkodër dhe u emënue disenjator në Kabinetin Pedagogjik, ku punoi 4 vjet. Mbas katër vjetësh,kaloi mësues në lagjen Liria po në Shkodër. Gjatë asaj kohë pra, në vitin 1965 ka përfunduar Liceun artistik me korrespondencë në Tiranë. Nuk ìu dha e drejta me vazhdue shkollë të lartë për arsye biografie. Në vitin 1968 në periudhën e Revolucionit Kultural, mbas arrestimit të dytë të vëllaut të madh, u transferua në fshatin Kosmaç, mësues në klasat fillore. Në vitin 1969, u largua nga arsimi dhe u emënue piktor në fabrikën e Tekstilit Shkodër. Aty nuk vazhdoi vetëm dy vjet me titull Piktor dhe kaloi në organikën e asaj fabrike si punëtor reparti stampimi deri me daljen në pension të parakohshëm në vitin 1992.

Që nga viti 1967 nuk ka pas të drejtë as me marrë pjesë në ekspozita pikture.

Që nga viti 1945 dhe deri në vitin 1998 (tue përjashtua vitet 1961–1964) ka pas vazhdimisht një njeri të familjes në burgjet e kampet e shfarosjes, prandej edhe ka qenë gjithmonë i përfshimë në “luftën e klasave” të pushtetit komunist. Në vitet 1945 janë arrestuar dy dajat Paulin e Mikel Prennushi. Paulini ka ba 5 vjet burg e 5 vjet internim. Mikeli ka ba 10 vjet burg. Në vitin 1946 është arrestuar axha i nënës At Mati Prennushi, Provincial i Françeskanëve të Shqipërisë, i cili është pushkatuar me 11 mars 1948. Në vitin 1948 është arrestuar daja tjetër prift Don Kolec Prennushi, i cili mbas hetuesisë ka vdekur në vitin 1950. Në vitin 1950 është arrestuar vëllau Alfonsi, dhe është dënue 8 vjet burg me grupin e studenteve të Gjimnazit Shkodër. Eshtë arrestuar prapë në vitin 1967 dhe është dënue me grupin e klerikëve të Tiranës, me 10 vjet burg për pikëpamje fetare tue u përfshi në nenin e “Agjitacionit e Propagandës kundër pushtetit”.

Në vitin 1991, në muajin janar u zgjedh Kryetar i Sindikatës së Fabrikës Pëlhurave të Shkodrës, në periudhën e lëvizjes antikomuniste në Shqipëri. Po këtë kohë u zgjedh edhe anëtar i Kryesisë BSPSh (Bashkimi i Sindikatave të Pavaruna Shqiptare) në Shkodër, për sektorin e propagandës dhe marrëdhënieve mes besimeve. Ka kontribuuar në përmbysjen e qeverisë komuniste të Ramiz Alisë, tue organizuar mbledhje, mitingje, greva dhe në radio “Shkodra” e gazeta, me artikuj kundër komunizmit. Nuk u pajtue asnjëherë me demagogët dhe komunistët e konvertuem në “demokrat” e “socialist”, për këtë arsye edhe nuk kam ba pjesë asnjëherë në asnjë parti politike të djathtë as të majtë. Kjo e ka shtye që në vitin 1997 me u larguar nga Shqipëria ilegalisht, mbasi u kercnue me vrasje. Në vitin 1998 u kthye në Tiranë dhe në vitin 2000 ka emigruar në Australi. Edhe këtu nuk kanë munguar veprimet kundër tij nga metastazat e Sigurimit famëkeq të komunistëve të Tiranës. Falë Shtetit Australian që i ka siguruar jetën.

Këtu ka përfunduar në vitin 2002 librin “Një monument nën dhe” dhe ka vazhduar punën për një botim të dytë të librit “At Pjetër Meshkalla S.J.”, i botuem për të parën herë në Shqipëri në vitin 1993. Në vitin 1992-1993 është bashkautor i librit “Martirizimi i Kishës Katolike Shqiptare 1944-1990”, libër i cili i është dhurue Papës Gjon Pali II, me rastin e vizitës në Shqipëri me 25 prill 1993. Kam përfundue edhe librin “Gurt’ e Parë” dhe është futë në “labirintet e demokracisë përparimtare”, me mujtë me i dhanë rinisë një punë tjetër modeste nga ana eme. Dy të fundit janë dorëshkrime. Përveç “publicistikës” tashti Radovani po punon mbi një libër të vogël (xhepi) për mësimin e bazave të para të GJUHËS SHQIPE (Gegërishtja e sotme), për nxënësit e rritun në Australi që kanë përfunduar shkollat e ulëta e nuk njohin Gegërishten.

***

Zeqir Lushaj: Intervistë ekskluzive me publicistin Fritz Radovani

28.10.2012

-THUEJ DY FJALË PËR VEDI, MORE BURRË!

-28 pyetje-përgjigje, me të nderuarin Fritz Radovani-

Nga Zeqir Lushaj

-Ne gazetarët, jemi diçka si puna e mjeshtërve. E dini si thonë për mjeshtërit? “Rregullojnë tërë jetën shtëpitë e të tjerëve dhe harrojnë shtëpinë e vet”. Edhe gazetari shkruan tërë jeten për të tjerët (dhe mirë bën), por për vet gazetarin, thuajse nuk kujtohet kush! Mjafton që i shihet emri në gazeta a libra dhe kaq.

Ndaj edhe unë sot, ju drejtova me shumë deshirë për një intervistë, gazetarit, publicistit, shkrimtarit, artistit, politikanit, historianit, aktivistit të gjithanshem shoqror , bashkpunëtorit të shquar të revistës emërmirë “ZemraShqiptare”, zotit Fritz Radovani. Titullin e kësaj interviste, si rrallë herë në praktiken time të gazetarisë, e paracaktova: -Thuej dy fjalë për vedi, more burrë!

Hajt pra, ta ndjekim këtë bisedë me shkodranin që na flet nga njëri prej cepave më të largët të Globit, nga Melbourne – Australi-

A. Fritzi-prindërit- Shkodra

1. Zotni Fritz: Emri juaj tingëllon diçka si emër i huaj! Ndaj, sëpari, na fol pak për veten dhe emrin tend.

Përgjigje: Ju falnderoj që jeni kujtue per këte intervistë në këto ditë feste nder ma të paharrueshmet dhe të perjetshmet për Shqiptarë kudo që janë! Baba, Kolë Tomë Radovani, i perket fisit Ejllori, të ikun mbas vdekjes së Gjergj Kastriotit në kater anët e Botës…Një degë e vendosun në Dalmaci, nga plaku Rrok, mori këte mbiemen Radovani. Në shtëpi të Radovanëve në vitin 1874, në pjesën e mbrapme të saj, thëmelet e së cilës janë kenë deri në vitët 1965, asht kenë hapë edhe shkolla e parë shqipe, e cila dokumentohet me shenimet e asaj Famulli të bame nga Don Zef Ashta, që e hapi i pari atë shkollë, tue mbetë një nga ngjarjet ma me vlerë në historinë e Rilindjes kombëtare per arësimin tonë Shqiptar.

Në rregjistrin e Famullisë së Shirokës, në faqen 22, për fat ruhet shenimi edhe sot: “Shkolla ose Mësonjtoria për djelm xu fill në vjetin 1874 e, kje çilë e mbajtë prej Meshtarve që shërbenin si famullitarë. Kështu, djelmënia e Shirokës pat rasë të mirë me xanë me shkrue, me lexue e pak aritmetikë.” (Nga studjuesit Gjush Sheldija, Sander Troshani dhe Gjovalin Pavaci, për këte shkollë shqipe.)

Nana e Babës tim ishte Gjystja Gurakuqi, bash vajza e axhës së Atdhetarit Luigj Gurakuqi. Nana ime Viktoria, ishte e fisit Prennushi nga Shkodra.

Miqsia e Babes me një oficer austriak tek gazermat nalt Shirokës, ku Baba u njoh me jeten ushtarake të Austrisë, trashigoi emnin tim Federik (shkurt Fritz).

2. Ku të dhemb zemra më shumë, kur kujton prindërit?

Përgjigje: Ndoshta pak kush kujtimet e para i fillon me gjakun e derdhun të Babës në korridorin e shtëpisë, në 13 Tetorin e 1943, kur Ai ishte 40 vjeç…në Tiranë, por kur Nana merrte rrugat me shkue nder kampet e shfarosjes komuniste me i çue pak gja vllaut të madh, që u dënue dy herë apo dajave tanë, të burgosun njenimbastjetrit ishin shumë ma pak se kur u kthye nga burgu i Fretenëve të Shkodres, me një strajcë tesha të flliquna e të gjakosuna nga torturat e xhelatëve…me 11 Mars 1948, kur i kishin pushkatue axhen e Saj, At Mati Prennushin… Dhe tregoi, se Dulaç Lekiqi, tek dera e Burgut i kishte thanë me kapadaillek: “Mos sill ma ushqime se e kemi pushkatue!”

3. Ç’farë mendon se ke korigjuar tek fëmijtë e tu, kur kujton fëmijërinë tënde?

Përgjigje: Vetem “harresen” e sofratasave! Ndersa, frika ndaj “Besimit tek Zoti” ishte e pranishme deri në 1990, kur djalin e paditen se mban Kryq në qafë…

Vajza kur ishte maturante per fat nuk më ka tregue se me daten 2 Prill 1991, Ajo do të shkonte para komitetit partisë, ku u bane vrasjet e mnershme në prani të nxansave të shkollës “Jordan Misja” , ku ishte edhe vajza ime në rreshtin e parë…

4. E di se je i kënaqur me jetën në Australi, por guxoj të të pyes se: -a mund të ketë në botë ndonjë vend më të bukur se Shkodërlocja për djalin e Radovanëve?

Përgjigje: – Shkodra, Rozafa, Shiroka, Zalli i Kirit dhe Rrëmaji i 11 Nandorit 1990, kur Kleriku Don Simon Jubani, shpalli Demokracinë…Nuk persëriten Kurrma!

5. Kur udhëton me biçikletë nëpër qytet, a fishkëllon, (si pa dashur), këngë popullore qytetare shkodrane…?!

Përgjigje: Më pelqejnë fjalët e atyne kangëve…e shpesh kujtoj një prej Tyne, me të cilen më lidhin shumë kujtime:”Në Shkodren tonë ka ra një dritë!”…E kur merzitem, këndoj nënza: Nga “Juda Makabe”… “tradhëtarët na lanë pa Atdhe!”

B. Botkuptimi për religjjonin

1. Ç’është feja, për zotin Radovani?

Përgjigije: Do të persërisë njohjen e parë me Fenë Katolike nga fjalët e dajës tim Don Kolec Prennushi, kur ishe 5 ose 6 vjeç në qelen e Tij, në Dajç të Bregut Bunës së Shkodres, dy vjet mbasi “kishin hy këta”(komunistët) në 1946, kur më mësoi:
“Na kemi le Shqiptarë dhe jemi të gjakut Gjergj Kastriotit, mbasi jemi Pagzue jemi ba Katolik…unë u bana prift…ti neser do të rritesh, do të shkosh nder shkolla…

Por, “Emnin Shqiptar dhe Besimin Katolik” ASNJEHERË mos i ndrysho as mos i tradhëto ashtu si i tradhëtojnë komunistët!”…

2. Një Dikush i ditur ka thenë se: “feja është një skllavëri e nevojshme shpirtërore”. A jeni dakort?

Përgjigjie: Jo, absolutisht jo! Feja cilado kjoftë Ajo, që besohet me vetdije dhe e padhunueme, asht optimizmi i jetës, asht sigurija në të ardhmen dhe asht Ajo, që ushqen nder damart e gjakut Dashninë, Miqsinë, Bujarinë, trimninë dhe të domosdoshmen tolerancë nga Familja e deri tek Shoqnia dhe Shteti.

3. Pse nuk e vrau Zoti Enver Hoxhën që shkaterroj fenë dhe institucionet fetare?

Përgjigje:- Më vjen shumë keq që nuk e dini sesi ka perfundue diktatori!

Ai kishte disa vite që nuk shihte me sy, mandej, në sofer ku ishin të gjitha të mirat, ai nga viti 1972 me që vuente nga diabeti, ushqehej me pak ushqime pa kripë, dhe nuk shijonte asgja…E mbylli jeten pa mend në kokë…budallë! Ai nuk dinte ku asht dhe ku po shkon…persa vite e vite! Si do me të vra Zoti ndryshej?…

4. A mos është më tolerant vet Zoti, se sa ne krijesat e tij? Nese “Po”, pse kështu?

Përgjigje: Zoti asht Dashnia e Pafund. Çdo njeri asht Krijesë e Tij. Ati falë edhe kur nuk di me kerkue ndjesë fajtori. Po kur fajtori “nuk do me kerkue falje” dhe, jo vetem asht i pandreqshem, por bahet edhe dhunues e vrasës i Veprave të Tij, atëherë zemrimi i Zotit, asht “mos e provoftë Njeriu”…

Ate, që kanë provue per 47 vjet Shqiptarët!

5. Përfytyro veten një çast përpara Jezu Krishtit. Ç’farë do t’i kërkoje Atij?

Përgjigje:-Populli Shqiptar per 47 vjet Kristjanë dhe Muslimanë kanë ndjekë rrugen e Lindjes,rrugen e mundimeve të Jezusit drejtë Golgotës! Mbi gjysë miljoni edhe janë Kryqzue! Unë Jezusit i kerkoj vazhdimisht Këthimin e të gjithë Shqiptarëve në Kopshtin e Tij, Aty ku Ai …fali Pjetrin dhe Juden!

C. F. Radovani dhe politika

1. Për një të përndjekur politik, a krijon fjala “politikë” alergji?

Përgjigje: Jo, fjala politikë nuk më krijon aspak alergji. Sa mora mend, kam mesue fjalen politikë. Alergji më krijojnë “politikanët” shqiptarë!

Gjergj Kastrioti ka thanë: “Madhështia e një udhëheqësi të Shtetit, asht lumtunia e Popullit të Tij!”…Ai “politikan” që nuk punon per këte që la testament Gjergj Kastrioti, per mue asht i neveritshem dhe i pashpirtë.

2. Mbas gjysëm shekulli shtypje e përsekutimi, e mbas 22 vjetësh liri-demokraci, pse nuk u organizuan si duhet klasa e ish të përndjekurve?

Përgjigje: – Në Shtatorin e vitit 1991 jam unë që kerkova në Komitetit Ekzekutiv të Shkodres formimin e “Shoqates së të Perndjekunëve dhe të Persekutuemëve Politik të Shqipnisë”. U aprovue atëherë nga z. Gramoz Pashko. Kryetari i Parë i saj në Shkoder u caktue i Ndjeri Lin Martini, një Burrë që e nderonte ate.

Ashtu si u veprue në parti demokratike nga pasuesit e Ramiz Alisë, ku kryesitë e tyne u zaptuen nga agjentët e sigurimit, ashtu u shpartalluen edhe Shoqatat…

Formimi i “shoqatave” tjera nga Pjeter Arbnori, Ali Kazazi…etj, ishin perçarëse dhe shkatrruese të organizimit të luftës per Demokraci të vertetë e të drejta të tyne.

3. Në monizëm dihet ajo punë, po në demokraci pse të përndoqen more zotni ?

Përgjigje: -Per të njajten arsye! Unë nuk hyna në ASNJË Parti. U angazhova me Bashkimin e Sindikatave të Pavaruna Shqiptare (BSPSh). Ishe në Kryesinë e Saj, kur komunistët dhe oficerët e sigurimit në Shkoder hoqen nga dyertë e shtëpive e apartamenteve të tyne “etiketat e emnave”. Në qeverinë e parë ku pushteti u nda mes komunistëve dhe “demokratëve”, unë kam dhanë një intervistë në “Zëri i Amerikës” se “nuk kam fare besim në një qeveri ku asht kjoftë edhe një komunist në perbamjen e saj, mbasi ata shkatrrojnë çdo gja demokratike!”

Kur mora vesh se edhe Presidenti Havel, e kishte thanë po këte gja!

4. Shkodra e Fishtës dhe MIgjenit, a mund të quhet edhe Shkodra e Ramiz Alisë e Jozefina Topallit? Nëse “Jo”, pse?

Përgjigje: Shkodra ishte e Teutes, Oso Kukës, At Gjergj Fishtës, Luigj Gurakuqit…

e kur ka ardhë Migjeni, kanë fillue me mendue që në Trojet e Tyne, duhet me hjedhë faren e keqe. Nen kujdesin e komshijëve u pat gjuejtë me top nga malazezët në 1913 Kisha Katedrale…Per me e sheshue Atë Kishë, shovenistët serb sollen nga Bosnja edhe një shegert në Shkoder, Ramiz Alinë…udhëheqës i “Revolucionit Kultural të 1967” dhe themelues i “Muzeut Ateist”, i vetmi në Botë. Jozefina Topalli nuk asht as e Bija e mostrave të Ramiz Alisë dhe as nuse e pjellave të Tij, mbasi Gjenarin Topalli asht kenë “Nderi i Rozafës”në burgjet e Shkodres! Ajo duhet me punue me hjekë vetem “tituj e dekoratat” e kriminelëve.

5. Në këtë 100 vjetor të Pamvarësisë, cilin udhheqës shqiptar e veçoni për mirë gjatë këtij shekulli?

Përgjigje:- Dedë Gjo’ Lulin, At Mati Prennushin, Luigj Gurakuqin, Imz. Kaçorrin, Imz. Lazer Mjeden, Ismail Qemalin,Isa Boletinin, Bajram Currin, Imz. Luigj Bumçin, Mustafa Krujen, Gjelosh Lulin, Prof Ymer Berishen, Prof Ibrahim Rrugoven, Lef Nosin, Arshi Pipen, ndersa, At Anton Harapi ma ka prishë qejfin kur tha se “edhe komunistat janë vllaznit tonë…”

D. Shqiptari në rrugët e botës

1. Ta informojmë pak lexuesin se si jeton Fritz Radovani në Australi?

Përgjigje: -Me të gjitha të drejtat e detyrat e Shtetasit Australian. Australia asht nder Shtetet ma Demokratike të Botës moderne.

2. Sikur po fiton ideja se është atdhe, aty ku njeriu jeton më mirë?!

Përgjigje: -Jo, asht “ide” e gabueme! Ata që harrojnë “lejojnë” persëritjen… Asnjëherë nuk i harroj krizmat e automatikëve në Zallin e Kirit, mbas vitit 1945, kur na zgjonin nga gjumi me Nanen… në oren 05.00 të mengjezit…

Atë çast Një Atdhetar “Naltohej nga Qielli per Atdheun e Tij, Shqipninë”!

Jeta pa kujtime asht si ajo tek grazhdi…ku ndigjohet vetem kafshimi i barit…

Zot mos e premto!

3. Largimet masive të shqiptarëve nëpër botë, a bien ndesh me patriotizmin që ne propagandojmë?

Përgjigje: Deri diku! Po nuk duhet harrue se gjurmët mbesin…

Shqiptarët gjithmonë kanë kenë të Lirë vetem jashta Atdheut! Edhe pse Shqipnia ishte e pushtueme nga turqit, Ata Shqiptarë që ishin në Stamboll, e kishin Lirinë e mendimit dhe të fjalës, e mjaft prej Tyne dhe Lirinë e Besimit. Naim Frashëri atje ka shkrue poezi per Jezu Krishtin…Vaso Pasha prej atje e pat detyrue Manush Myftiun me thanë në Shqipni në 1990: “Feja e Shqiptarit asht Shqiptaria!”

4. Si e kupton sot, shprehjen e vjetër: “Për fe’ e për atdhe”?

Përgjigje: -Ajo nuk asht shprehje e vjeter, sot, ajo asht ma aktuale se kurrë.

Asht e vetmja shprehje që as nuk asht mësue, as nuk kuptohet domethanja e saj sot nga të gjithë qeveritarët e Trojeve Shqiptare. Në se ka me vazhdue mos me u studjue nder të gjitha shkollat shqiptare At Gjergj Fishta, me kryevepren e vet “Lahuta e Malësisë”, shkollat tona do të vazhdojnë me nxjerrë “intelektualë” të gjymtuem. Nuk ka ma të gjymtuem se ata që nuk e dijnë këte Formulë!

5. A kan vlerë amanetet e emigranteve: “më varrosni në atdhe”?

Përgjigje: -Janë pikrisht Ata që nuk kanë harrue Formulen që thame siper!

E. Fritzi –publicist-shkrimtar-artist

1. Jeni një piktor e publicist i spikatur i kohës.(Lum ZemraShqiptare që të ka).Që kur shkruani e botoni?

Përgjigje: Vetem mbas vitit 1991. Nuk jam kenë kurrë Trim. Edhe ky asht kenë një fat tjeter. Ndoshta burgosja e dhuna mund të më “dhuronte” një dosje, që nuk do të më lejonte as me shkrue as me mendue i Lirë. Libri i parë që kam marrë pjesë në grup, ishte ai që Ju dhurue Papës Gjon Pali II, në viziten e Tij në Shkoder, me 25 Prill 1993. I dyti liber asht botue po atë vit (1993), të cilin ia kam kushtue “Martirit Demokracisë dhe Burrit ma Trim Shqiptar”, që nuk e kishte asnjë nga vendet komuniste: At Pjeter Meshkallës…Libri i Tretë asht per Shkodren “Një Monument nën dhe”, dhe i fundit që asht botue vjet asht ai i Trimit të Hotit, në 100 vjetorin e Flamurit në Deçiq: “Dedë Gjo’ Luli”…Kam edhe disa dorshkrime që i kam kalue në internet…

2. A janë më shumë të ndërvarura a të pavarura tek Ju, publicistika dhe politika?

Përgjigje: Në asnjë mënyrë, në mes tyne nuk ka pavarsi, çdo fjalë e shkrueme deri tek “barceletat” në Shkoder, janë kenë dhe janë politikë…ndryshej, ato janë rrena. As Don Lazer Shantoja, as Faik Konica nuk kanë shkrue ndryshej.

3. Do të veçoja në kontributin tuaj sidomos punën për nxjerrjen në dritë të masakres komuniste mbi Klerin Katolik. A mund ta quaj këtë temë si idealin e jetës suaj publicistike në vitet e demokracisë shqiptare?

Përgjigje: Jo, aty nuk kam gjetë masakren! Unë kam studjue Gjenocidin që asht ba kunder Klerit Katolik Shqiptar nga Enver Hoxha dhe Ramiz Alia. Dhe nga Ky Gjenocid jam perballë me Herojt ma të Mëdhaj të Popullit Shqiptar! Ata per mue janë Martirët që me Gjakun e Tyne nuk lejojnë as SOT shperbamjen e Shqipnisë!

4. Në shkrimet tuaja dhe në librat tuaja, keni paraqitur dokumente arkivore tepër të rendësishme, mund të them të pakundërshtueshme. Si i keni siguruar ato, të lutem?

Përgjigje: Gjithshka në mënyrë zyrtare. Të gjitha të dokumentueme.

Mund ti kalojnë shumë vetë nder duer, po nuk dijnë me i “lexue”…

Ata që nuk njohin parimet e Tyne, kujtojnë se vertetë i ka thye tortura!

Viganët Shqiptarë vdiqën vetem me një Ideal: “Shqipnia asht e Shqiptarit”…

5. Ç’farë keni në dorë dhe ku mendon të arrish në botën e letrave?

Përgjigje: -Kam në dorë një liber per Baben Tim “Major Kolë Radovani”, asht fillue tash sa kohë prej meje…po buka nuk asht ba gati per furrë, si ajo shprehja “shto miell e shto ujë”… Bota e letrave asht e pafund! Jam i vonuem!…

F. Ngacmime miqësore (dhe pak humor)

1. Dukeni që keni qenë një djalë shumë simpatik. A keni lenë shumë kujtime mbrapa…?

Përgjigje: – Besoj se kam lanë, por jo të këqija…mbasi jam mundue me u drejtue nga e mira dhe e drejta, ndersa tashti, me shkrue gjithmonë të verteten!

Per “ata” që kanë ba keq, nuk kam kursye me ua thanë ate, ashtu si me kënaqësi shkruej per të bukren dhe të dashtunen, dy cilësi, që i adhuroj edhe sot.

Njeriu qe nuk len kujtime mbrapa ka lind nga Nana e vet I vdekun..

Pergjigje: Jo, mik i nderuem, 47 vjet diktaturë kanë varrosë Ajken e Atdheut,

pa mujtë me shkrue as dy rreshta. Të vdekun kanë lindë ata që sot heshtin!

Ndersa, të deshtuem janë ata që genjyene Shqiptarët per 47 vjetë rresht…

2. Si spjegohet që, Ju katolik – unë mysliman; ju ish i persekutuar – unë ish komunist…, dhe merremi vesh me kaq mirëkuptim?

Përgjigje: -Nuk je i pari, ashtu si u rrethuem na në vathen e të persekutuemëve,

ka pasë edhe nga ju, që një natë “per terr” keni pa veten në vathen e Enverit…

Ndersa Besimi që zeni me goje Ju më gzon, se unë jam Katolik, po nuk e dijshe se ka komunist “besimtar”…e që beson në Zotin që besonin edhe të Parët tanë…

Kjo asht Formula “Atdhe e Fe” që i bashkon të gjithë Shqiptarët nën Një Flamur, ashtu si në Vlonen e 1912, nën Flamurin e Gjergj Kastriotit.

3. Zotni Radovani: -Jemi para 28 nëntorit dhe këtë bashkbisedim, edhe në shenj respekti për Diten e Flamurit, do e mbyllim në pyetjen numër 28.. –Si njeri i përndjekur, thuajse tërë jetën nga Sigurimi i Shtetit, nuk keni “frikë” kur këtë intervistë ja jepni një shtetasi amerikan?!

Përgjigje: – Jo, një shtetas Australian asht krejt I Lirë, po asht edhe i lumtun që komunikon me një shtetas mik Amerikan, e sidomos, kur në damart e gjakut Tyne qarkullon Gjaku i trashigimtarëve të Gjergj Kastriotit, Nanë Terezes dhe Ibrahim Rrugovës. Asht kënaqësi e madhe kur mendojmë se në këte 100 vjetor i kemi dhanë Botës Figura të Mëdha dhe të pakrahasueshme me Shtetet tjera të Europës. Unë vazhdoj me kenë Shqiptar e mandej Australian.

Data e 28 Nandorit 1912 me sjellë shumë kujtime…

Edhe Shqipnia ka Olimpin e vet!
Asht Maja e Bratilës, ku u ndezë Flaka e Parë e Lirisë Kombëtare që gëzojmë na sot! Janë Ata Male e Bjeshkë të Nemuna, që u lanë me Gjakun e Shenjtë të Burrave të Hotit, e që me duertë e hekurta të Dedë Gjo’ Lulit ngulen një shtizë, në të cilen me 6 Prill 1911, ngriten një Flamur që kishin të ngjeshun per krahnor gati per 500 vjet nen robni turke. Nder Malet e Deçiqit…Erdhi Liria!..

E me Atë Flamur, vrapuen në Gerçë, në Dukagjin e Mirditë, Prizren, Shkup e deri poshtë thellë në Sheper të Dilove të Zagorisë, tue thirrë me të madhe Preng Previzi, Don Nikoll Kaçorri e Isa Boletini, vikati Bajram Curri, Luigj Gurakuqi e Hasan Prishtina…e me një barkë…nga Durrësi i vjeter, u gjetën në Vlonen e Ismail Qemalit…Ku u kunorzuen perpjekjet e Luftave Shqiptare të lame me Gjakun e Herojve të vet, me Diten e madhe të Pavarsisë kombëtare…

100 vjet ma parë! Me 28 Nandor 1912, Sheshi i Flamurit buçiti nga Shqiptarët: “Rrnoftë Shqipnia e Pavarun e Flamur’i Saj me Shqipen Dykrenare!”

Ju falnderoj në prag të kësaj Feste edhe Ju bijve të Atyne Alpeve, Mik i nderuem! Ju falnderoj Ju dhe Zemren e Shqiptarëve, që na ndihmon në këtë betejë per ruejtjen e Lirisë dhe të demokracisë, per unitetin kombëtar dhe Shqipninë Europjane, po edhe per një Ditë ma të bukur të Flamurit Kombëtar të Gjergj Kastriotit, që do të valvitet edhe njëherë,.. në 100 vjetorin tjeter mbas një viti në Kështjellen Rozafat, në 100 vjetorin e Lirisë së Saj…në vitin 2013…

-Shumë faleminderit për intervisten. Qofsh jetëgjatë e Zoti të bekoftë-

Pergjigje: Gjithashtu edhe Ju, dhe të gjithë Shqiptarët në Botë, ju falemnderës.

Melbourne, 27 Tetor 2012