Ballina Personazh MITI IM ËSHTË HALIL MUZLIA – Nga HASAN MUZLI SELIMI

MITI IM ËSHTË HALIL MUZLIA – Nga HASAN MUZLI SELIMI

Çdo ditë preki faqen dhe dora m`njomet nga lagështia e buzëve të tua. Qe puthja jote e fundit në faqen time. Ishte sekondi i fundit i shtrëngim duarve në përbashkim. Edhe tash dorën e kam të mpirë nga forca jote shtrënguese. Besoj në mishërim dhe pres.
Unë këtu nuk po flas për një udhëheqës politik, apo shpirtëror të një kombi, apo shteti komb. Këtu po flas për një udhërrëfyes të një familje në rritje, të një udhërrëfyesi që rritet bashkë me të tjerët dhe i rriti ata nën hijen e vet.
Dalëngadalë po bëhen trembëdhjetë vjet që ti dhe unë shihemi vetëm me iluzione. Shihemi në ëndërr, shihemi gjatë kujtimeve dhe e mendoj ku mund të jesh tani. Ku ndodhesh në këtë çast pikëllimi për mua. Gjendem para kompjuterit. Shkruaj rradhët e mia për fatin tënd këtu e atje. Lutem në formën e kërkuar dhe shpreh dëshirë për ty. Po po, tani që unë po shkruaj këta rreshta të mjergullt jemi bashkë. Ndoshta më ka ardhur në maje të hundës me lotin, ndoshta më ka ardhur në maje të hundës më shikimin, ku ta di, por diçka nga shikimi n`mjergull. Ka diçka që përtej perdes nuk dalloj mjaftueshëm. Ndoshta pleqnia, ndoshta malli, ose lodhja e skajshme. Me del para syve dhe më përplaset në vesh fjala jote çdo sekondë. “Trimnohu sa të jetoj unë, sepse kur të vdes unë …” Kështu më thoshe dhe unë tani kuptoj gjithçka që më thoshe ti. Vonë, por prapë mirë që kuptoj.
Nesër plot trembëdhjetë vjet mbylle jetën tënde të rradhës. Jetë me lule dhe luftë. Atë jetë që nxore në pah bukuritë tua. Po po, plot pesëdhjetë e gjashtë vjet, dy muaj e shtatë ditë. Ndërrove me koshiencën tënde, por me dhimbje për jetën dhe u nise për në një vend tjetër. Fiks me datën 2 nëntor 2006 në orën 14 e 7 minuta. Shtatë ditë jetë e shtatë minuta të orës jetove ore burrë që më loçkove në vitet që po kaloj. Se deshta jetën time, sa e doja jetën tënde. Në luftë e kalite dashurinë për jetën. Dikush thotë ku ka luftuar ky njeri. Ka lind e rrit në paqe. Ha ha. Do qesh. Do qeshin edhe ata që e njohin jetën. Pastaj do kuptohet se jeta është lufte. Dikund më shumë e dikund më pak, por luftë është.
Eh more burrë. Sa shumë të kam besue.
Në furtunat e jetës aq sa ishin të forta, apo të ligështa mendja vinte tek ti dhe zgjidhej neni sado i shtrënguar që ishte. Unë lidhesha pas mitit tënd dhe gjendesha jashtë çdo rreziku. Po bre burrë qe krijue kjo. Unë e kam jetue vet. Ti kot modestoheshe në lëvizjet e tua që vetëm këtu nuk më ke pëlqyer. U bane mit pas babës, u bane mit pas nanës e në të gjallë të saj. Ajo punoj shumë për mitizimin tënd. Sa kujdes të kishte. Me orë e ditë fliste për ty. Vonoheshe ti në darkë dilte disaherë shikonte dhe dëgjonte. Të njihte hapin, të njihte erën e trupit që i ngjaje erës së trupit të babës.
Unë inferiori dëgjoja dhe shikoja se si ti rriteshe para meje në mitin tënd të pakufishëm. Disaherë kam thënë me vete që ti e vrave babën. Po po, e vrave që të dalësh dhe të bëheshe Halil Muzlia. Që të ishe ai që qe dhe ky që unë kujtoj me mall edhe dhimbje. Nuk thonë kot vrite babën që të bëhesh. Baba kaloi në moshën gati sa ti. Ai të la në moshën e adoleshencës. Nuk thirri kurrkush o djali i Muzlisë, por të thirrën Halil Muzlia. Kjo ishte forca jote e fillim jetës pa babën. Këtu filloi miti. Miti i ardhun rrjedhshëm nga baba.
Më kujtohet baba. Ai lodhej dhe zihej me ty. Donte të kaliste me forcën e argumentit, me forcën e shtatit, me forcën e gjithçkaje që i përket burrit. E dinte baba që ti do ishe dhe ai po largohej. Ngadoherë që flitej për ty unë mendoj babën. Mendoj ato fjalët e tij të rrepta që niste drejt teje edhe në darkën e gëzimit. Më kujtohen lotët e tu që dirgjeshin në lugën e gjellës, më kujtohet fjala jote n`heshtje. Ti gati sa nuk plasje nga marazi, kur ai të gjuante me fjalën e rëndë. Më vjen të qaj me sjelljen e nënës që e kuptonte aq bukur babën. Ajo ishte shpjegimi. Të fliste. Qortimin ta jepte me zgjidhje, ti rriteshe pa vullnet. Kërkoje kohën tënde. Koha s`priste. Duhej të baheshe. E kështu nuk përputhej dëshira me nevojën. Pasoja përplasej mbi ty.
Më kujtohet, kur ti braktise lojërat e fëmijërisë, më kujtohet, kur ti braktise fëmijërinë, më kujtohet, kur ti shikoje me nostalgji e me shumë dhimbje atë jetën fëminore tënden në lojën e pasardhësve. I doje ato lojëra dhe kënaqeshe me to në distancën e moshës.
Po po rriteshe pa dashtë. Rriteshe në avullin e nxehtë të burrnimit, në prushin e kohës dhe n`dyluftim me vuajtjen. Sa herë ke dalë humbës në vuajtje veç unë e di. Po sa herë ke fitue mbi vuajtjen dhe luftën e pa barabartë veç unë e di. Ti ishe, hija jote ishte. Unë shikoja. Asnjëherë nuk u përfshina në luftën tënde, sepse besova n`ty. Unë besoja në aftësinë tënde, unë besoja në forcën mendore tënden. Asnjëherë nuk u zhgënjeva. Rrëzoheshe dhe prapë ngriheshe.
Ty të kujtohet, kur unë vija në shtëpi për pushime. Me siguri të kujtohet se si rrëfehesha për krejt kohën, kur ne ishim ndarë së fundi. Mua më kujtohet që ti rrije zgjuar tërë natën. Rrije zgjuar dhe analizoje veprimtarinë time tashmë të rrëfyer. Të kujtohet si më kritikoje dhe më lavdëroje. Sa mbetesha me gojë hapur. Habitesha se çfarë analize u bëje ngjarjeve. E në punë përpiqesha të ngjaja. Mos më paragjyko të lutem. Mos më paragjyko, sepse mbetem pa gjumë.
Ty të kujtohet vdekja e babës. Sa merak e kam patur gjendjen tënde në atë ndarje. Vetëm ty të ra të jesh në ndërrimin e jetës së babës. Ah, sa ka vuajtur shpirti yt ore burrë atë ditë. E besoj, sepse u rrëzova edhe unë aty me ty, kur ti u largove për në jetën tjetër. Unë ditët e mortit të babës i mendoj vetëm për ty. Si ti humbe në pyllin e madh të halleve të të gjithëve. Ai pyll që nuk pati të sosur. Qe koha e gatueme me shekuj nga shumë e shumë që nuk i dimë e nuk i njohim, por kemi dëgjuar.
Koha po ecte e ti po bëheshe. Unë pranë teje qëndroja inferior. Rritesha, por nuk e shikoja vetën, sepse hija jote s`linte hapësirë. Ne rriteshim të gjithë edhe ata e me ta nuk u ngope kurrë. Rrinim me netë e ditë të tëra në heshtjen e fjalës tënde e s`guxonim ta linim në rrugën e madhe. E merrnim atë fjalë dhe e mbanim, siç mbaheshin thesaret. E kuptoj prapë modestinë tënde. Modestia sot cilësohet arkaizëm. Modestia e tepruar sillet nga malet në pyje, fusha e dikund lahet në lumenjtë e mendimit të përparuar. E modestia nuk ka vend ore burrë. Në fund të fundit pse mos të himnizoj unë idhullin tim, mitin tim, vllain tim, nanën time, babën tim, motrën time, njeriun që e deshta më shumë se gjithçka. Në të gjitha këto plane të pata ty ore burrë.
Më kujtohet, kur ti u nise për ushtar. Veshe rroba të shkyeme e të vjetra. Këmisha nuk kishte komçë, sepse atë e hoqe ta vendosin nana dikund tjetër. Kështu i the atë ditë. Ja këto digjen ose bëhen lecka për pastrim armësh. Kjo komçë të duhet për një këmishë të dikujt tjetër në shtëpi. Ngrite dorën lart ku mënga e këmishës të binte deri në nënsqetull, pasi nuk kishte komçën. Sa herë e ka kujtue nana atë dorë e krah tëndin pa këmishë, pa komçe. Tundje dorën dhe mblidhje grushtin. Simbolin e bashkimit të familjes. E kush ishim ne që duheshin bashkuar. Një pulë me nëntë zogj. Ajo s`kishte pendë për të na mbuluar ne. Pjesa më e madhe mbeteshim jashtë asaj pende, jashtë asaj mbulese prindërore.
Ja sonte nuk e di pse më erdhi në mendje të bëja këto analiza. Më erdhi në mendje, sepse si sonte trembëdhjetë vjet erdha nga Shkodra dhe të gjeta të zbehur gati-gati të ndarë e ndoshta unë i vonuar. Të gjeta me nerva i mërzitur. Nuk doje që unë të mërzitesha, të lodhesha, të tronditesha, të qaja as të mbetja i vetmuar. Po të them që unë jam vetëm nga dita që ti shkove në amshim. Jam i lodhur dhe plot mall edhe pse në çdo një orë bisedoj me ty. Mos u dëshpëro. Të gjithë më duan, por unë jam i parrëfyem. Dëlirët s`më lejojnë të rrëfehem askujt për veç se ty. Ndoshta që besëdhënie. Akoma se kuptoj cila është. Por besëdhënia mbizotëron.
Shpeshherë ke ardhur e biseduar në heshtje me mua. Më kë folë një natë sa nuk e kam pa dritën, kur ka zbardhur. Ku je më thoshe. Pse nuk flet. Ke vdekur. Ti je i fortë. Ngrihu. Aq shumë qe zhurma jote sa unë qava në vetmin time. S`të tregoj dot, por kur ti jetoje në këtë botë të gënjeshtërt, flija në Shkodër. Bëja një bashkëbisedim me ty. Pyesja dhe përgjigjesha vet. Një natë bisedova me vdekjen tënde. E kush e merrte me mend që ti vdes. Unë nuk e besoja. Besoja që bota shkrihet, por jo që vdes Halil Muzlia. Bisedova me atë të pabesë vdekje. Qava me atë vepër të përkryer të Hyjt. I thashë Halili ka rrokjen e parë të emrit tënd dhe duhet ta mbrosh. Ju jeni të përzier. Kështu po veproj më tha dhe ashtu bani. Unë besoj që ti je pranë Tij i lumtur. Unë besoj që ti vjen shpesh. Vjen shikon dhe ikën atje në atë botën e shtatë që Hyj e rezervoi për Ty.
Tani mjaft me çka mund të ketë ndodh. Dua që kjo letër të vijnë drejt varrit për hijeshn e një burri që mund edhe ta himnizoj. Çfarë thua më thonë në këtë sekondë. Ai është miti yt. Pse ne të marrim nga dëshirat, bindjet tuaja. E besoj kështu. Nuk pranoj të bëhen pjesë e bindjeve të mia në këtë rast. Pranoj të shpreheni, por kurrë pjesën time nuk e fal. Miti i Tij është krejt i imi.
Më kujtohet, kur ti erdhe nga ushtria. Shpatullat e gjëra sa një mal. Muskujt dhe shtatin si aktorët, apo yjet e Hollivudit. Nuk kishe nevojë për shërbime bukurie, atë ta kishte dhanë Zoti. Shpeshherë e shikoj në fotografi rininë tënde. Shikoj e bëj njëmijë e një përshkrime, siç i bëjnë analistët e artit një pikture. Flasin e thonë që piktura e fotografia janë memece. Unë bashkëbisedoj shpesh me portretet e të treve. Baba më shikon me vërejtje, nana më bërtet, sikur e ka pas zakon, donte të rritem para kohe, ti herë me nanën e herë me mua, por më shumë me mua. Më dilje zot, kur nana me fliste. Rrobat më të mira m’i blije dhe më shikoje me ëndje. Unë thosha ky është i rreptë, por i drejtë. Bindeshin në përcaktimin tim. Flisnin dhe u kalonte meraku i fjalës tënde.
Fytyrën tënde e kam në sy edhe tani. Pate një fytyrë burri që në vogli. Vetullat e përpjekuna, biles kur këndohej kënga “Moj e mira vetull përpjekun” unë thosha, po i këndojnë Halilit. Si i këndohet burrit këngë dashurie. E kështu bisedoja me veten sa këngës nuk ia dëgjoja shijen. Kënga vazhdonte e unë bisedoja me fjalën. Bisedoja me bukurinë tënde. Më dukej se po i shkruaj, apo po i thur fjalë libri dikujt që nuk e njoh. Shpesh harroja që të kam vlla. Përziheshin dashuritë n`ty, herë nanë, herë babë, e herë motër e vlla.
Të them vlla më duket se të largoj, o burrë. Thonë gjithkund se vllai është ortak. E kështu më duket që unë po bëj një hap larg teje. Të them babë mjafton, kujdesi yt për mua radhitet tek kujdesi i babës për t`birin. A mund të jetë edhe vlla, edhe babë i njëjti njeri. Për nga kujdesi, për nga edukimi po. Të them nanë s’ka ndodh që një mashkull të jetë nanë, por kujdesi yt për mua ia kalonte nënës. Motër po. Dashnia e motrës për vllain është lumë i pakapërcyer. Këtë lumë e ke kapërcyer vetëm ti, o Halil. Atëherë ti ishe vetja ime. Nuk më ka ndodhë kurrë të dua një njeri kështu, siç më doje e të doja. Sepse ishe dashuria e Zotit mbi tokë. Demonët që e mbizotërojnë këtë tokë janë dy dashuri edhe Zoti. Shpesh kam deklaruar që ty të deshta sa Zotin. Mëkat më thanë disa që s`njohin filozofinë e krijuesit. Jo iu thashë. Zoti kënaqet, kur në tokë ka harmoni e dashuri mes njerëzve. Aty qëndron ai vet. Zoti vepron nëpërmes njerëzve, nëpërmes mendimit njerëzor, nëpërmes mendimit dhe besimit e njerëzve të shprehur personalisht. Si rrjedhojë në dashninë time për ty nuk ka mëkat, kur ne e besojmë në mishërimin që Zoti e ka krijuar.