Nga Myftar GJANA

Ai nuk është më
Në asnjë shesh
Apo muzeum.

Por ndodhet kudo,
Si gazi karbonik në ajër,
Nëpër neuronet e hirta të truve,
Në sintaksën dhe leksikun e folësve,
Nëpër tekstet shkollore
Dhe emfazën e poetëve të djeshëm..

Ai u shndërrua nga Gjithkush prej bronzi,
Nga monument mermeri dhe emrash
Në Askush të fshehur dhe të grimcuar,
Siç e patën përshkruar në papirusët,
Si në vargjet e Emersonit,
Apo të Oscar Wilde-s.

Sfinksi u shpërbë,
Si një Garabombo i keq, i padukshëm;
Endet në atmosferë,
Në biblioteka,
Në herbariumin e kujtimeve,
Në turmat brohoritëse të shesheve.

Njerëzit nuk e shohin pluhnajën e tij,
Siç nuk mund ta emërojnë lulen,
Që kurrë s’e kanë parë
Vetëm nga kundërmimi i saj në terr.

Ai është kudo,
Si kanceri,
Si aids-i.
Dhe shfaqet papritmas
Në formë fantazme elektorale
Me kostum dhe kollare
Në tryezat eliptike zyrtare.

……………………………….