(Ose përse nuk shkruajta për Edi Ramën?)

Një mike imja me pyeti se perse sii vetmi nga të njohurit e saj nga Kosova nuk reagova lidhur me trajtimin që Edi Rama ia bëri Vuçiqit në Shqipëri dhe me qëndrimin e tij kontavers për Kosovën.

U mundova t’ia shpjegoj se nuk e kam bërë ndonjë reagim ngase aq shumë kishte reagime sa, praktikisht nuk kisha çka të thoja më shumë por, nuk ia thash, se në të vërtetë i tërë reagimi i kosovarëve dhe i tërë qëndrimi I Edi Ramës ka të bëjë me dy sentimente të ndryshme emocionale dhe, ndonjëherë, edhe identitare që mbizotërojnë në këto dy pjesë të vendit.

Të zhvilluar, të ndarë, në dy entitete njëra prej të cilave, deri në vitin 1999, në okupim të vazhdueshëm, e tjetra në një situatë lirie por në një prapambetje thuaja absolute e nën dy sisteme totalitare, është shumë normale që në njërën pjesë të jetë zhvilluar një nacionalizëm ekstrem, shpesh folklorik dhe pa përmbajtje të cilin në Shqipëri s’mund ta kuptonin dot, ndërsa që, në pjesën tjetër, për shkak të një izolimi permanent ekonomik dhe politik, të jetë zhvilluar një lloj ‘internacionalizmi inferior’i vazhdueshëm ndaj vendeve dhe popujve tjerë, gjithmonë i manifestuar nën petkun e një kozmopolitizmi që, për kosovarët, jo gjithmonë ishte i kuptueshëm dhe i pranueshëm, këto dy pjesë të popullit kanë zhvilluar pikvështrime të ndryshme dhe edhe të papajtueshme për njëra tjetrën duke mos arritur që, edhe ndryshimin por edhe të përbashkëtën, ta vënë në funksion të qëllimeve të përbashkëta kombëtare.

Derisa kosovarët gjithmonë mundoheshin të kishin një identitet dhe me të ta luftojnë robërinë, prapambetjen dhe zhdukjen fizike, shqiptarët në Shqipëri gjithmonë donin të paraqiteshin se ishin njëlloj si të tjerët apo, shpesh, më liberal se të tjerët në kuptimin e një lloj heqje dorë nga identiteti, ndoshta negativ, igjeneruar brenda një vendi diktatorial, të prapambetur, me mungesë zhvillimi ekonomik, në kulturë dhe në fusha të tjera të jetës. Ky lloj inferioriteti që shpesh, në dukje, ka pasur edhe manifestime të heqjes dorë nga identiteti kombëtar në emër të një kauzekozmopolitanizmi të paarsyeshëm e të panevojshëm, jo gjithmonë është pranuar mirë nga Kosovarët.

Kosovarëve gjithmonë iu ka penguar ftohtësia racionale dhe shpesh ftohtësia irracionale e politikës shqiptare karshi tyre. Ata shpesh janë ndier të anashkaluar, të tradhtuar, të përçmuar dhe të lënë pas dore. Ata s’kanë arritur kurrë ta kuptojnë se si politika shqiptare mund të sillet me kaq indolencë dhe jo konsideratë ndaj tyre që nga koha e Zogut, sidomos e Enverit dhe tash, në kohën e Edi Ramës. Duke e parë se moskokëçarja politike ndaj shqiptarëve jashtë Shqipërisë është zhvilluar, kryesisht, nga të ashtuquajturit ‘të majtë‘ , ky fakt ka bërë që tek shqiptarët, në Kosovë sidomos, të krijohet një lloj kulturëantimajtiste që ka ndikuar negativisht edhe në jetën politike në Kosovë.

Të frustruar nga qëndrimet shpesh përçmuese, armiqësore dhe përjashtuese, shqiptarët e Kosovës shpesh s’kanë qenë në gjendje ta kuptojnë dhe ta mirëkuptojnë edhe ndonjë sjellje thjeshtë normale politike shtetërore të politikanëve shqiptarë. E zhvilluar pa një qëndrim strategjik ndaj Kosovës, politika shqiptare, shpesh, ka bërë gabime të cilat janë shtresuar edhe në kujtesën historike dhe në kulturën e përditshme të shqiptarëve jashtë Shqipërisë dhe, si e tillë,  ka krijuar, thjeshtë, një lloj refuzimi që nuk është shtrirë vetëm në të menduarit politik por edhe në atë identitar që ka krijuar një çarje edhe më të madhe në ndarjen  gjithnjë më të theksuar ndërshqiptare.

Këto qëndrime, pseudopaternaliste, herë-herëanashkaluese, shpesh autoritare dhe megalomane e moskokëçarëse, kanë bërë që mosbesimi ndërshqiptar të arrijë kulmin, sidomos këto dy vitet e fundit kur përfolej për një ndarje ose ‘këmbim territoresh’ mes Kosovës dhe Serbisë. Temë e duhur apo jo, Shqipëria nuk do të duhej të futej në asnjë Pazar politik që, në cilëndo mënyrë, do të ndikonte në defunksionalizimin e Kosovës si entitet shtetëror dhe, politika shqiptare, në asnjë mënyrë, nuk do të duhej të futej në lëvizje politike që do të krijonin konflikt ndërshqiptar.

Edi Rama, po bën gabime të tilla duke dashur që të jetë njeriu kryesor në tërë rrafshin politik shqiptar dhe, ndoshta, edhe ballkanik. Duhet ta ketë parasysh Edi Rama se cilido qëndrim pak me i butë i tij ndaj Serbisë, por edhe ndaj Greqisë, shihet si një akt kundër shqiptarëve të cilët janë vrarë, dëbuar, masakruar dhe dhunuar nga ushtria e atij vendi për më  shumë se 100 vjet. Çdo qasje e tillë e Ramës krijon kundërefekt të rrezikshëm i cili nga qëndrimipersonal ndaj tij, kthehet në qëndrim për shtetin shqiptar (ndoshta humbja e besimit në Shqipërinë ka bërë që, një pjesë e madhe e shqiptarëve të Maqedonisë,t’i kthehen, në masë, Turqisë duke vënë në pyetje edhe identitetin e tyre kombëtar).

Këtu po gabon Edi Rama dhe, duke gabuar, po e humb cilëndo mbështetje politike nga Kosova, bile edhe nga përkrahësit e tij të deridjeshëm.

Një qasje e tillë paternaliste dhe indiferente ndaj Kosovës, po ndikon që edhe disponimii këtij populli për të qenë pjesë e një Shqipërie të bashkuar të bie nga dita në ditë. Askush nuk do të donte të ishte pjesë e një Shqipërie që i përkulet një Serbie e cila për 100 vjet e ka okupuar, e ka vrarë dhe e ka prerë popullin shqiptar në ish Jugosllavi. Askush s’do të donte të udhëhiqej nga një kryeministër i cili mund të udhëheqë politika të dëmshme për një pjesë apo për tërë kombin. Askush s’do të donte të udhëhiqej nga një kryeministër për të cilin, së paku, ka krijuar një përcepcion të tillë negativ.

Shqipëria do të duhej të ishte më këmbëngulëse në ruajtjen e autoritetit të saj shtetëror ngase as Shqipëria dhe as shqiptarët atje nuk mund të dalin nga lëkura e tyre e të jenë të tjerë. Shqipëria është Shqipëri dhe shqiptarët janë shqiptarë me të mirat dhe dobësitë e tyre. Kosovarët dhe shqiptarët tjerë nuk kërkojnë më shumë se një Shqipëri amë që i përfaqëson ata apo i mbron ata dhe lirinë e tyre pa asnjë kompromis. Shqiptarët bile presin që, së paku, një manifestim kulturor sikur festivali i këngës të ketë frymë shqiptare e jo sikur ky ikesivitshmii cili gati u shndërrua në një kipc të San Remos italiane.

Derisa të jemi NE dhe ATA dhe derisa të veprojmë me dy politika të dobëta antagoniste, elementi shqiptar në Ballkan dhe në Evropë do të jetë gjithnjë e më i dobët dhe kjo mendësi do ta krijojë kulturën e dyshqiptarizmës –  Asaj të butës, kozmopolitanes e inferiores ndaj më të fortëve në Shqipëri dhe asaj të fortës, kundërshtueses, më pak modernes dhe shqiptarizmës ‘maloke’ patriarkale, në territoret jashtë shtetit amë dhe në Kosovë.

Shqiptarëve iu duhet një Shqipëri e fortë dhe një Kosovë e konsoliduar dhe një politikë e përbashkët gjithëshqiptare, asgjë më shumë dhe asgjë më pak, përndryshe të dyja vendet dhe të dyja qeveritë do të jenë të humbura.

Ky është shpjegimi për miken time nga Shqipëria përse nuk shkruajta për Edi Ramën.