Dje, Kuvendi i Shqipërisë miratoi ligjin “Antishpifje”, i cili të kujton nenin 55 të Kodit Penal të diktaturës komuniste, që shërbeu si instrument i përndjekjes dhe eleminimit të kundërshtarëve politikë të regjimit të Enver Hoxhës. Në këtë kontekst, miratimi i këtij ligji, është si të kujtosh litarin në shtëpinë e të varurit.
Ligji “Antishpifje” është një dhunim i hapur i lirisë së fjalës dhe të shprehjes, që përbën, një ndër të drejtat më themelore të njeriut, që lind së bashku me të dhe asnjë qeveri nuk guxon ta prekë. KM Rama, jo vetëm që e shkel dhe e dhunon këtë të drejtë të natyrshme njerëzore, por u vesh tagrin e dhënies së drejtësise ndaj “shkelësve” të tij, enteve shtetërore të kontrolluara plotësisht nga ai, si AMA (Autoriteti i Mediave Audiovizive). Që do të thotë se, ashtu si neni 55 i Kodit Penal të diktaturës komuniste, edhe ky ligj do të përdoret si instrument i goditjes së kundërshtarëve të njëshit të paprekshëm, Edi Ramës. Përvoja e pasur e autokratëve të njohur Putin dhe Erdogan, në luftë me kundërshtarët e tyre politikë, po gjen zbatim “krijues” edhe në Shqipëri.
Ligji “Antishpifje” nuk është kërcënim vetëm për gazetarët dhe fjalën e tyre të lirë, por është kërcënim për të gjithë ne, pa përjashtim, ndaj miratimi i tij duhet të shërbejë si një kushtrim për angazhim qytetar të çdo shqiptari, çdo intelektuali dhe patrioti të vërtetë, në mbrojtje të vendit nga regjimi monist i Edi Ramës.