Shqipëria mori sot zyrtarisht presidencën e ardhshme të Osbe-së, organizatës së përbërë nga 57 vende anëtare, të cilën ajo do ta drejtojë përgjatë gjithë vitit 2020.

Kryetar i radhës së OSBE-së do të jetë kryeministri Edi Rama, por këtë herë në cilësinë e tij si ministër i Jashtëm i Shqipërisë. Ishte ai që mbajti sot dhe fjalën, në mbyllje të ministerialit të organizuar në kryeqytetin e Sllovakisë, vend i cili mbajti presidencën gjatë këtij viti.

Zoti Rama paraqiti në mënyrë të përmbledhur ato që do të jenë përparësitë e kryesimit të Shqipërisë duke nisur që nga respektimi i angazhimeve të vendeve anëtare, te promovimi i punës së OSBE-së më pranë njerëzve dhe të forcimi i dialogut “si e vetmja mënyrë për të ndërtuar beismin te njëri tjetri”, tha ai.

Zoti Rama nuk la për përmendur krizën në Ukrainë, e cila siç u shpreh “mbetet sfida më urgjente e sigurisë në Europë. Është e papranueshme që konfliktet e zgjatura në rajonin e OSBE-së, vazhdojnë të marrin jetë njerëzish. Prandaj përpjekjet për rezoluta të zgjidhjes së konfliktit do të jenë në krye të axhendës për Presidencën Shqiptare”, theksoi ai.

Zoti Rama e mbylli fjalën e tij duke nënvizuar domosdoshmërinë për kompromis e duke i bërë thirrje vendeve anëtare të të angazhohen në mënyrë konstruktive, me mendje të hapur dhe pa harruar se gjithshka bëhet për njerëzit, theksoi ai.