“UEFA” ditën e djeshme bëri një thirrje të hapur për të mbështetur Shqipërinë, pas momentit të vështirë që kaloi vendi ynë, nga goditja e tërmetit të tmerrshëm, që mori jetën e 52 personave. Disa nga dëmtimet e rrënojave, ndërsa disa të tjerë si pasojë e panikut dhe dhimbjes shpirtërore. Dy ditë më parë, u bë ceremonia e hedhjes se shortit, për Europianin 2020, ku presidenti i “FSHF-së”, Armand Duka, takoi kreun e UEFA-s, Aleksandër Ceferin, për të kërkuar ndihma për zonat e prekura nga tërmeti.

UEFA është vënë menjëherë në lëvizje, duke përcjellë përmes faqeve zyrtare të saj në rrjetet sociale, mesazhin për të kontributuar në faqen e-Albania, e vendosur në dispozicjon për krijimin e fondeve me të cilat do të ndërtohen shtëpitë dhe do ju sigurohet e ardhmja të mbijetuarve dhe të dëmtuarve.

“Jashtë futbollit, një mesazh i rëndësishëm nga Shqipëria si pasojë e ngjarjeve tragjike të kësaj jave. Të dashur miq dhe partnerë, ne ju ftojmë të ndihmoni Shqipërinë në këtë moment të vështirë”,- shkruhet në faqen zyrtare të UEFA-s.

Ky mesazh natyrisht që do t’i shkojë një audience shumë më të gjerë. Pikërisht më vonë, edhe legjenda e futbollit portugez, ish-lojtari i Real Madridit dhe Barcelonës, Luis Figo, postoi në faqen e tij zyrtare mesazhin e UEFA-s, si dhe rrugën që duhet ndjekur nga kushdo që ka dëshirë të ndihmojë Shqipërinë në këtë moment të vështirë. Kërkesa për solidaritet ka marrë një mbështetje të gjerë nga shumë klube në Greqi dhe Itali.

Grupimet dhe tifozët kuq e zi , prej ditësh kanë qenë pranë zonave që janë prekur nga tërmeti, duke ndihmuar njerëzit në nevojë me ushqime dhe veshmbathje. Mbledhja e ndihmave vazhdon dhe është vetë grupimi që me një postim në faqen zyrtare, tregon për atë që po bën.