Pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare ku i pranishëm ishte edhe kryeministri Edi Rama, Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka zbardhur detaje për atë se çfarë u diskutua në këtë takim. Me një shënim në “Facebook”,  Kreu i Shtetit thotë se kanë biseduar për një koordinim të ngushtë të veprimeve  në terren për të përballuar këtë situatë emergjente.

Më tej Ilir Meta i bën thirrje prokurorisë të nisë menjëherë punën për të vendosur para përgjegjësisë abuzuesit e ndërtimeve.

“Sot në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, diskutuam për një bashkëveprim dhe koordinim më të ngushtë midis të gjitha institucioneve për përballimin e emergjencës deri në rivendosjen e normalitetit të plotë. E mbështetëm prokurorinë të çojë përpara hetimet dhe të vendosë para përgjegjësisë penale të gjithë ata që do të rezultojnë përgjegjës.

Të sigurojmë burimet e brendshme dhe mbështetjen e duhur ndërkombëtare për tejkalimin e pasojave të rënda të këtij tërmeti të tmerrshëm”-shkruan Meta.