Me qëllim të sanimit të pasojave të tërmeteve në Shqipëri, Kosova do t’i dalë në ndihmë me të gjitha kapacitetet e saj humane dhe teknike e financiare.

Sot, duke ndjekur procedurat e protokollit dhe procedurat ligjore, bazuar në Ligjin nr.04/l-177 për dërgimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës jashtë vendit, Qeveria në detyrë ka marrë vendim të dërgimit të kësaj force në operacione të kërkim shpëtimit dhe poashtu kemi dërguar ekipe emergjente të Policisë së Kosovës.

Po sot, kam urdhëruar Ndërmarrjet publike për të dërguar njësitet mbështetëse në ndihmë për zonat e prekura. Minierat e Trepçës dhe Artanës do të dërgojnë Çetat e tyre të Shpëtimit, kurse Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), Njësinë e Zjarrfikësve.

Gjithashtu, kam autorizuar të gjitha Kompanitë e Mirëmbajtjes të kontraktuara nga Ministria e Infrastrukturës, që menjëherë të nisen për Shqipëri.

Po sot, Qeveria në detyrë vendosi që Shqipërisë t’i ndahet shuma prej 500 mijë eurosh, si ndihmë financiare.

Duke qenë se ka lëvizje seizmike edhe në Kosovë, kam kërkuar nga Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave të bëjë vlerësimin në nivel vendi të sistemit të alarmit dhe sinjalizimit për raste të kësaj natyre dhe të ndërmerren hapat e nevojshëm që të jemi në gjendje gatishmërie.

Nga institucionet publike, si spitalet, shkollat dhe institucionet e tjera, kërkoj që menjëherë të adresojnë protokollet e mobilizimit për emergjenca kombëtare, duke përfshirë caktimin e personave përgjegjës të reagimit ndaj emergjencave civile.

RH