Ky është viti i Besnik Mustafajt. Shkrimtari Besnik Mustafaj kurorëzohet autori më i mirë i vitit 2019 për librin “Dëmtuar gjatë rrugës”, botuar nga shtëpia botuese Toena”, çmim i dhënë sot në Panairin e Librit Tirana 2019.
Korab Hoxha fitoi si përkthyesi më i mirë për përkthimin e poezive dhe prozave të autores ruse Marina Svetajeva, me titullin ‘Tetori në vagon”.
Ndërsa çmimin për librin e kujtimeve e ka marrë Lekë Tasi për librin me kujtime nga persekutimet e komunizmit, “Grabjani rrëzë kodrave”.
Por një çmim special ka dhënë edhe Ambasada e Francës për përkthimin më të mirë nga frëngjishtja në shqip dhe këtë e ka marrë Saverina Pasho për përkthimin në shqip të librit më të rëndësishëm të Milan Kunderës, “Lehtësia e padurueshme e qenies”.
“Letërsia është urë lidhëse mes kulturave, vendeve. Dua të siguroj për angazhimin e Francës për librin, autorët, përkthyesit dhe bibliotekat në Shqipëri”.
Çmimet në formën edhe të një ceku u dhanë pas shqyrtimit të 100 titujve nga një juri profesioniste e përbërë prej 5 anëtarësh, prof.dr. Lili Sula, pedagoge në Fakultetin Histori-Filologji, përkthyesi Agim Doksani, poetja Adriatike Lami, studiuesi Agim Baci dhe poeti dhe përkthyesi Parid Teferici.