Senatorja e opozitës në Bolivi, Jeanine Anez ka shpallur veten presidente të përkohshme të shtetit të Amerikës Jugore, pas dorëheqjes së Evo Moralesit nga kjo pozitë.

Anez ka thënë se ajo është e para në linjë sipas kushtetutës për ta zënë këtë vend dhe është zotuar se do të organizojë zgjedhjet shumë shpejt.

Emërimi i saj është mbështetur nga Gjykata Kushtetuese e Bolivisë.

Ligjvënësit nga partia e Moralesit kanë bojkotuar këtë sesion derisa ish-presidenti, Morales e ka cilësuar senatoren Anez “senatore të krahut të djathtë që synon puç”.

Vetë Morales ka ikur në Meksikë, duke thënë se ka kërkuar azil sepse jeta e tij është në rrezik.

Ai ka dhënë dorëheqje të dielën pas disa javëve të protestave, për shkak të rezultatit të zgjedhjeve presidenciale.

Ai ka thënë se është detyruar të largohet nga pozita e presidentit, mirëpo me qëllim të “ndaljes së përgjakjeve”.

Kur ka arritur në Meksikë të martën, ai ka falënderuar presidentin e këtij shteti, Andres Manuel Lopez Obrador, duke thënë se i ka shpëtuar jetën.

“Sa të kem jetë do të jem në politikë, përleshjet vazhdojnë. Të gjithë njerëzit e botës kanë të drejtë ta lirojnë vetën nga diskriminimi dhe poshtërimi”, ka thënë ai.

Anez në anën tjetër, 52-vjeçare është avokate e kualifikuar dhe kritike e ashpër e Moralesit.

Morales ka qenë në pushtet nga viti 2006. Në një referendum të mbajtur më 2016, banorët e Bolivisë kanë refuzuar propozimin e tij për të larguar kufizimet e mandatit presidencial.

Atij i është dashur të fitojë leje nga gjykatat në mënyrë që të garojë këtë herë, pasi kushtetuta e Bolivisë lejon vetëm dy mandate të njëpasnjëshme.