Në Luzhën e moçme të Gashit t` Gurit,

Kanë lindë burra mot pas motit,

Trima  të urtë besnikë të Currit,

Atdhetarë rritë n`kulla t`rodit.

Në  kudhër t`jetës janë farkëtuar,

Për oxhak, fis e atdhe,

Brez pas brezit kanë qëndruar,

T’u dhanë jetën si me le.

Nëpër shekuj qarkun ngrehur,

Gur themeli i burrërisë,

Në truall t`shqipes nga kanë shkelur,

Bij të denjë të Shqipërisë.

Gdhend e kanë në libër t`jetës,

Ç`udhë do marrë oxhaku i Luzhës:

Të punës, dijes, gjakut e djersës,

Për atdhe në ballë të luftës.

Ushtojnë malet e Gashit t`Gurit,

Qamil Luzha, mor ku je?

Ia lëshojnë zanin atij farë burrit,

-Hajde burrë n`kuvend me ne!.

Tridhjetë vjet që s`jemi pa,

Lis je rritë në zemrat tona,

Malli fort ne marrë na ka,

Rrjedh për ty kënga e jehona.

Qamil Luzha i Gashit t`Gurit,

Njëqint vjet jetove ti.

Ashti yt në shtizë të flamurit,

Për Kosovë e për Shqipëri.

 

Refren:

Për Kosovë e për Shqipëri,

Të gjithë jetën e ke shkri.

Fjalët e tua plot urti,

Në kuvend kanë zanë vend.

 

Fjalë e artë në histori,

Ua le brezave testament.

Amanet nga do të shkoni,

Ju të mirët brezat e rinj,

Me mend dhe me ”dru” punoni,

Për Kosovë e për Shqipëri.

 

Refren:

Me mend dhe me ”dru” punoni,

Për Kosovë e për Shqipëri.

Ngjitu burrë n`këto male kështjellë,

Çou e shih Kosovën mbarë,

Gëzoju farës që ke mbjellë,

Për bashkimin kombëtar.

 

Refreni:

Gëzoju farës që ke mbjellë,

Për bashkimin kombëtar.

Një jetë të tërë përballë stuhisë,

Si shtetar e si atdhetar,

Ti iu fale veç lirisë,

Dhe bashkimit kombëtar.

 

S`të lodhi puna dhe shtegtimet ,

Nga Istogu e në Malësi të Vlorës .

S`të theu lufta e shantazhimet,

Të UDB-esë e të Mugoshës.

Fjala jote besa e burrit,

Për flamurin kuq e zi,

Më e fortë se palca e gurit,

Për Kosovë e për Shqipëri.

 

Refren:

Besa-besë, o burrë i dheut,

Për flamurin e Skenderbeut,

Për flamurin kuq e zi,

Për Kosovë e për Shqipëri.

 

Tiranë, maj 2019 

________________              

Fran CARA, psikolog, studiues dhe redaktor i shumë librave në fushën e letërsisë dhe të historisë, pasi lexoi librin: “Qamil Luzha, Jetën Bashkimit Kombëtar”, si vlerësim të përmbajtjes dhe  mesazhet që sjell për lexuesit ky libër, dërgon këtë poezi-këngë.