Konferencë për shtyp e Kryeministrit Edi Rama:

Mirëdita! Faleminderit!

E pashë të arsyeshme që sot të bëj një komunikim, për të përmbledhur gjashtëmujorin e pare te vitit, si dhe për të nënvizuar disa prioritete lidhur me periudhën shtator 2019 – korrik 2020.

Natyrisht që pas një paraqitje që do mundohem të mos jetë shumë e gjatë, edhe pse ka shumë gjëra për të thënë, ju takon juve të bëni te gjitha pyetjet që dëshironi. Duke qënë se jam i bindur që ju do pyesni për politikën, unë politikën do ua lë juve te pyesni, ndërkohe që do fokusohem tek aspektet e qeverisjes, duke filluar me ekonominë, e cila edhe pse në një situatë krejt jo normale, që do të thotë ta pafavorshme për ekonominë, aspak nxitëse, por frenuese për investitorët dhe konsumatorin, u rrit krahasuar me një vit më parë me 2.21 %.

Efekti i thatësirës së madhe është i ndjeshëm, duke patur parasysh se vitin e shkuar patëm  një vit me shumë reshje, që do të thotë edhe me një mundësi të shtuar për rritjen ekonomike, si rezultat i prodhimit të lartë të energjisë

Përtej këtij fakti mbetet prioritare që të fokusohemi tërësisht më tutje tek investimet publike dhe private, vendase dhe te huaja, tek te ardhurat që, siç mund ta dini, kanë pasur një periudhë problematike për pasoje të frymës së antishtetit që u injektua në mënyrë të vazhdueshme dhe në forma shumë agresive, gjë që ka ndikuar edhe në rritjen e informalitetit. Informaliteti tani është në fokus dhe do të mbetet në fokus përditë, deri në fund të mandatit.

Punësimi ka shënuar një përparim që në raport me trendin historik vjen me një ulje të re nga 6 mujori i parë i vitit të shkuar. Është rritur 1.4%, krahasuar me një vit më parë dhe + 0.6 krahasuar me 3 mujorin e fundit të vitit të shkuar.

Një fakt vlen të nënvizohet; Zyrat e punës vetëm në këtë 6 mujor kanë realizuar 16 mijë punësime. Por, në të njëjtën kohë, informaliteti në punë ka shënuar rritje, pra, mosregjistrimi i punonjësve, gjë e cila është integruar në operacionin anti-informalitet që do vijoje intensivisht çdo ditë, deri në fund të mandatit.

Këtu dua të ritheksoj se është një kosto e madhe, ajo që vjen si pasojë e shkeljes se ligjit, në rastet kur konstatohet, pasi demi që i vjen një biznesi të paregjistruar, apo në aktivitet informal është shumë herë më i madh, sesa fitimi përmes informalitetit.

Financat publike janë të qëndrueshme dhe borxhi rezulton me një ulje, në raport me qershorin e vitet të shkuar, – 2.16 pikë përqindje

Tregtia me jashtë, posaçërisht në zërin eksporti i produkteve bujqësore ka shënuar një rritje me 12%, ndërkohe që importi është rritur me vetëm 1.2% dhe për herë të parë kemi një ngushtim të bilancit import-eksport në sektorin ushqimor nën 3.

Dua ta theksoj fort se kemi hyrë në një faze te re, jemi në hapat e parë të një lufte pa kompromis për të garantuar sigurinë ushqimore. Siç jeni në dijeni, përpara pak ditësh, Kuvendi miratoi ndryshimet në Kodin Penal dhe sanksionet për abuzuesit me produktet ushqimore, tanimë janë tejet të rënda. Ne nuk do ndalemi në goditjen e tyre. Jam i bindur se në gjysmën tjetër të vitit dhe në vitin në vijim do të kemi raste shembullore goditjesh, që nuk ia uroj asnjë sipërmarrësi në fushën e tregtisë së prodhimeve ushqimore, por askush s’duhet ta harrojë se tanimë janë një sërë sanksionesh me heqje lirie për ata që abuzojnë me ushqimin.

Në këtë gjashtë mujor kemi 16 mijë hektarë më shumë sipërfaqe tokë të ujitur. Po ashtu jemi shumë të inkurajuar nga ecuria e punës me disbursimin e fondeve europiane përmes programit të parë të financimit europian për sipërmarrësit dhe për fermerët.

Përtej të gjithë situatës aspak inkurajuese, në 6 muajt e parë të vitit kemi një rritje me 11 % të vizitorëve të huaj 2.13 milionë. Është një rritje 11% krahasuar me 6 mujorin e parë e vitit të shkuar. Sot që flasim, në Shqipëri rezultojnë 220 hotele më shumë, pra, të çelura në dispozicion të infrastrukturës së mikpritjes, sesa një vit më parë.

Por dua ta theksoj se nuk mjafton dhe vazhdojmë të punojmë intensivisht për të siguruar një volum të konsiderueshëm investimesh të huaja të turizëm. Tanimë kanë filluar hotelet me 5 yje të nënshkruajnë kontratat dhe jemi duke diskutuar intensivisht për disa projekte të mëdha, të cilat uroj që të mund të fillojmë t’i materializojmë si kontrata në pjesën tjetër të këtij viti.

Lejomëni që të mos jap më shumë informacion për  këtë, sepse janë  negociata që zhvillohen në konfidencialitet, sipas kërkesës së sipërmarrësve, të investitorëve të huaj që hyjnë në investitorët e mëdhenj të tregut global të turizmit.

Përsa i përket infrastrukturës, më në fund, rruga Tiranë- Elbasan nuk është më në agjendën e shqetësimeve të atyre që e përdorin atë aks dhe as të qeverisë, është përfundimisht në dispozicion në gjatësinë e saj të plotë. Të gjitha peripecitë dhe zvarritjet e pafundme, si rezultat i projektit skandaloz dhe procedurave skandaloze të kryera në të shkuarën, i përkasin të shkuarës.

Është hapur sipas zotimit, një korsi që lehtëson ndjeshëm trafikun në Bypass-in e Fierit. Synojmë që përpara sezonit të ardhshëm, Bypass-i i Fierit të jetë i tëri në dispozicion të të gjithë atyre që do të qarkullojnë drejt Vlorës, apo nga jugu, përmes Fierit, drejt Tiranës dhe më tej.

Janë realizuar 40% e punimeve në rrugën e Arbrit. Është një progres shumë i kënaqshëm dhe falë partneritetit publik, privat, një termi të kriminalizuar si rezultat i shfrenimit propagandistik, shumë shpejt, Dibra dhe gjithë ajo zonë e izoluar prej dekadash, për të mos thënë shekujsh, do të jetë e lidhur me kryeqytetin dhe do të jetë faktikisht një territor i ri, që do të zbulohet në sytë tanë, një jastëk i gjelbër i Tiranës në një aks me bukuri përrallore dhe me potenciale fantastike.

Ka përfunduar edhe odisea për çeljen e tunelit panoramik të Pogradecit.

Së shpejti nisin punimet për aksin Milot-Balldren dhe Orikum-Dukat. Aksi Milot-Balldren është pjesë e Korridorit Blu, pra, korridorit europian dhe pjesë e projekteve rajonale të Procesit të Berlinit. Ndërsa Orikum-Dukat është një tjetër aks me rëndësi strategjike për zhvillimin e turizmit, të cilit duam t’i bashkojmë tunelin e Llogarisë, për të cilin ka nisur studimi dhe së shpejti nis projekti. Më tej është prioritet nisja e punës për rrugën Shëngjin-Velipoj, po ashtu për rrugën e Thethit, projekte këto tanimë të finalizuara dhe të financuara, që thjeshtë janë në fazat e fundit të procedurave. Nga ana tjetër është rruga e shumë premtuar dhe e shumëpritur e Semanit.

Të gjitha këto në kuadrin e një programi  që do të fokusohet në periudhën në vijim, pra, shtator të këtij viti – korrik 2020, fuqimisht tek infrastruktura turistike dhe ajo e lehtësimit të qarkullimit të produkteve bujqësore.

Do të nisim së shpejti rrugën Buz-Markuc, e cila do të integrojë të gjithë zonën e Himarës dhe të lumit të Vlorës, duke bërë një lidhje të drejtpërdrejtë dhe të shpejtë edhe me pjesën e Tepelenës dhe gjithë zonën e mrekullueshme malore të Tepelenës, ku kanë nisur edhe disa investime inkurajuese përsa i përket turizmit dhe agroturizmit.

Do të vijojmë me projekte domethënëse me Beratin dhe me Gjirokastrën. Padiskutim, Shkodra do të marrë një rëndësi të veçantë. Do të jetë një zonë me prioritet strategjik dhe kur flas për Shkodrën, kam parasysh qytetin e Shkodrës, por edhe të gjithë rajonin e Shkodrës. Për këtë jemi përgatitur dhe kemi një sërë projektesh, që nga finalizimi i projekteve të nisura, ose ende të mbetura në start për shkak murit shurdh të deridjeshëm të Bashkisë Shkodër, deri tek disa projekte më të gjëra, që synojnë të krijojnë një atraksion të ri turistik që nga Liqeni deri në Alpe.

Do të kemi në fokus Pogradecin, një tjetër zonë me një potencial të madh turistik, ku jemi gati me disa projekte të rëndësishme, të cilat nuk kemi mundur t’i startojmë më parë, sepse i kemi rënë Pogradecit gjithmonë anash, për shkak se kemi pasur një pamundësi të plotë komunikimi me bashkinë.

Do të fokusohemi në krijimin e aksesit në tre parqe të mrekullueshme të vendit, që sot janë pa akses, Parku i Lurës, Parku i Korabit dhe Parku i Shebenikut në zonën e ndërmjetme, midis Librazhdit, Dibrës dhe Maqedonisë së Veriut.

Nga ana tjetër do të ecim me projektin e rrugës Berat – Fier, një aks në gjendje të mjerë, por shumë i rëndësishëm për komunikimin, jo vetëm të mjeteve thjesht, por edhe përsa i përket produkteve.

Paralelisht me turizmin do të zhvillojmë disa projekte në infrastrukturën që lehtëson fermerët, lehtëson sipërmarrësit në bujqësi, duke filluar nga Konispoli, poshtë në Fier, në Elbasan, në Krocë. Programi “100 fshatrat” ka filluar të futet në rrugën e disa realizimeve të vogla, por që do të pasohen me disa realizime më domethënëse. Deri në korrikun e ardhshëm do të kemi një volum domethënës investimesh në infrastrukturën turistike dhe në infrastrukturën në shërbim të produkteve bujqësore, si dhe në funksion të Programit “100 Fshatrat”.

Përsa i përket sektorit të energjisë kemi pasur një vit, ose një periudhë do thoja të lumtur, me konfirmimin e zbulimit të madh të rezervës në Shpirag dhe jemi duke diskutuar edhe disa blloqe të tjera dhe duke parë mundësinë e diversifikimit të pranisë së kompanive të mëdha në këtë sektor strategjik. Zbulimi në Shpirag ka ngjallur një interes të madh nga kompanitë e mëdha, sepse ka konfirmuar praninë e mundshme të një superrezerve nafte e gazi në të gjithë pellgun që shtrihet deri në bllokun e Dumresë.

Përfundimisht, të gjitha HEC-et nën 2 megavat janë konstatuar si të dëmshme, jo vetëm jo të dobishme, por edhe të dëmshme. Ka përfunduar procesi i premtuar i skanimit të kontratave dhe ka filluar procesi për ndërprerjen e 27 kontratave në 27 pika ku me të drejtë ka 27 komunitete të acaruara me vendimmarrje që janë thjesht vendimmarrje për t’u harruar dhe për t’u fshirë nga lista.

Nuk do ketë më në Shqipëri, leje për asnjë HEC nën 2 megavat dhe nuk do lejohet më kurrë që në emër të prodhimit të energjisë të preken zona me rëndësi nga pikëpamja natyrore dhe turistike, apo komunitete, duke arritur deri në pikën që tubat e HEC-it të futen në burimin e ujit.

Për fat të mirë, shifrat përsa i përket kriminalitetit tregojnë se në këtë aspekt nuk jemi afektuar, çka ishte shumë e mundshme, nga 6 muajt e revolucionit imagjinar antishtet. Faktikisht vërejmë me kënaqësi që përtej ekranit, të okupuar nga e gjithë katrahura politike e Tiranës, janë finalizuar nga Forca e Ligjit, Task-forca e ngritur posaçërisht për të luftuar krimin e organizuar, 10 operacione më shumë se në të njëjtën periudhë të një viti më parë, plot 20 operacione. Janë goditur 12 grupe kriminale dhe shumë e rëndësishme, është sekuestruar një pasuri me vlerë 47.2 milionë euro, ose e thënë ndryshe, 45 milionë euro më shumë se në të njëjtën periudhë.

Përsa i përket kriminalitetit të rrugës, po e quajmë, të gjitha shifrat janë të qëndrueshme në aspektin e një progresi që natyrisht mund të kishte qenë edhe më i madh, nëse policia nuk do ishte e okupuar ditë-natë, psikologjikisht dhe në mënyrë sistematike fizikisht, me përmbajtjen e valëve të lëvizjes antishtet.

Nuk po hyj në të gjithë detajet, po them vetëm që vettingu në Policinë e Shtetit ka nisur nga rreth 300 grada të larta që do i nënshtrohen vettingut, ka filluar verifikimi për 45 dosjet e para. Tani do të avancojmë me aktin normativ me të gjitha pagesat jashtë orarit për Policinë e Shtetit. Jemi përgatitur dhe tanimë do të aprovojmë një reformë të domosdoshme për uljen e moshës mesatare në Policinë e Shtetit, duke dhënë një mundësi daljeje për të gjithë punonjësit e policisë nga 55-65 vjeç. Nuk mund të ketë në trupën aktive të policisë punonjës mbi 55 vjeç. Është e pakuptimtë. Por rrugëdalja duhet të jetë financiarisht kuptimplotë dhe nga pikëpamja e modaliteteve, plotësisht e arsyeshme dhe ne e kemi zgjidhur këtë në bashkëpunim me strukturat drejtuese të Policisë së Shtetit.

Është bërë gati një njësi super speciale, e cila do të hyjë shumë shpejt në aktivitet, pasi është trajnuar intensivisht me një trupë elitë të zgjedhur dhe që do të merret ekskluzivisht me të gjithë të fortët e rrugëve, të lagjeve, apo qyteteve. Ajo që e kam anonçuar disa kohë më parë dhe që do të jetë pjesë e presonit intensiv, që do të shkojë në rritje nga ana e Policisë së Shtetit, kundër këtyre tipave, të cilët, nëse do të vendosin të qëndrojnë në Shqipëri, duhet të përgatiten për t’u fshehur në vrima që do të jenë shumë, shumë të ngushta, përndryshe nuk do të kenë mundësi më të marrin frymë.

Ka disa rezultate të rëndësishme, besoj, në fushën e shëndetësisë dhe të mbrojtjes sociale Shifrat e thonë, jo se e them unë. Kontrolli bazë, përtej të gjithë propagandës së shfrenuar dhe baltës së pafundme që është hedhur, tanimë po konsolidohet si një praktikë e mirë qytetare dhe janë thuajse 250 mijë qytetarë që kanë përfituar nga Check-up falas; ndërkohë që janë kryer 34235 ndërhyrje kirurgjikale falas në 29 spitale të vendit; 25020 seanca dialize falas; 1302 pacientë kanë kryer falas shërbimin e dializës, falë paketës së shërbimit në spitale private.

Janë afër zeros infeksionet spitalore, të konstatuara që ishin një gangrenë e sistemit tonë shëndetësor për shkak të instrumenteve operatore apo kirurgjikale të ndryshkur, apo të marrë fund dhe kjo falë procesit modern të sterilizimit dhe PPP-së tjetër për rinovimin e të gjithë instrumenteve kirurgjikalë në shërbimin shëndetësor të Shqipërisë, ku infeksionet ishin në fenomen skandaloz dhe që i kushtonin jashtëzakonisht shumë, qoftë në pikëpamje të shëndetit, qoftë në pikëpamje të shpenzimeve, pacientëve që duhet të rrinin jashtë kohës së nevojshme që duhet të rrinin në spital, që nga nënat në maternitete dhe që patjetër i kushtonin edhe shërbimit.

Nisur nga bonusi i bebes kemi një numër të rritur lindjesh në 6-mujorin e parë, 15135 fëmijë përfitues, ndërkohë që jam i bindur që ky efekt do të vijë duke u përmirësuar si rezultat i kësaj politike që ka rezultuar e suksesshme në vende të tjera, nuk kemi shpikur asgjë dhe që mendoj që po jep shenjat e veta të para.

Kemi zgjidhur përfundimisht çështjen e mungesës së mjekëve në spitale, si rezultat i 4 viteve pa specializime në periudhën 2009-2013. Sot kemi 139 mjekë të punësuar pas përfundimit të specializimeve që janë hapur sërish dhe normalisht për të pestin vit radhazi dhe 231 mjekë të rinj kanë filluar këtë vit specializimet.

Nuk po numëroj ndërhyrjet në infrastrukturë, janë një sërë ndërhyrjesh, por më vjen mirë ta nënvizoj se janë hapur më në fund, pas dekadash, kantieret për maternitetin e Beratit dhe të Lezhës, si dhe për spitalin e Kukësit.

Urgjenca mjekësore, sipas të dhënave elektronike ka një përmirësim të jashtëzakonshëm, në raport me të shkuarën, gjithnjë, flas. Shtimi i flotës me 37 autoambulanca të reja e ka reduktuar kohën e mbërritjes dhe janë 49987 qytetarë përfitues nga ky shërbim.

Po përfundojnë proceset përgatitore për fillimin e investimit të NATO-s në bazën ajrore të Kuçovës dhe është finalizuar marrëveshja dypalëshe me Departamentin Amerikan të Mbrojtjes për marrjen e helikopterëve Black Hawk. Ka një sërë elementësh me rëndësi dhe duhet t’i falënderoj FA për angazhimin e tyre në shërbim të komunitetit, gjithmonë jashtë vëmendjes së publikut dhe përtej ekraneve që 6-mujorin e parë ishin të okupuar me forca të tjera, edhe ato të armatosura, por ilegalisht dhe dua të nënvizoj faktin që ka nisur rindërtimi i shtëpive të prekura nga tërmeti në zonën e Korçës.

Po ashtu më vjen mirë që në këtë periudhë të parë të vitit janë përmbushur sipas afateve të përcaktuara të gjitha angazhimet e Paktit për Universitetin dhe pjesa tjetër është brenda afateve. Së shpejti fillon rindërtimi i konvikteve në Shkodër, Vlorë dhe në Korçë. Po bëhet gati financimi për konviktet e Elbasanit dhe të Gjirokastrës. Janë në rrugë dhe do të përfundojnë të gjitha konviktet në Kampusin e Tiranës. Po përgatitet i gjithë plani i madh i rindërtimit dhe i ndërtimit të godinave të reja në Kampusin e Tiranës. Është një program që do ta realizojmë me Bashkinë e Tiranë, sëbashku dhe brenda këtij mandati të ri të Bashkisë së Tiranës, Tirana do ketë një kampus të ri universitar, fantastik dhe e gjithë qytetstudentëria, e trashëguar nga e shkuara dhe krejt e pamjaftueshme për të sotmen, do i përkasë të shkuarës.

88 mijë studentë kanë përfituar nga përgjysmimi ose mbulimi i plotë i tarifave, sipas kategorive. Kanë dalë disa lajme sikur tarifat nuk do të mbulohen sipas kategorive për sezonin e ardhshëm, por është gënjeshtër, nuk ka diskutim se kjo do të ndodhë edhe në sezonin që fillon. Do të lajmërohen të gjithë ata me 5-sa e me 6-ta që për 2020-2021-in nuk ka më mbulim, nëse nuk përmirësojnë notat, por në këtë sezon që nis është për të gjithë.

Janë punësuar 459 studentë ekselentë në Shërbimin Civil dhe në pozicionet me Kod Pune; 5 studentë ekselentë kanë hyrë në Shërbimin Diplomatik në vazhdën e reformës së iniciuar nga ministri i Jashtëm; 951 praktikantë, 200 prej të cilëve janë punësuar në institucionet publike.

Nuk po zgjatem me të gjitha aspektet e tjera që kanë të bëjnë me bibliotekën online, që kanë të bëjnë me projektet për kërkimin shkencor, apo me sondazhin kombëtar të studentëve, por po e mbyll duke thënë që sot janë mbi 20 mijë Karta Studenti të shpërndara dhe procesi vazhdon.

Përsa i përket drejtësisë jeni dëshmitarë, ka çelur dyert dhe tani jemi duke dhënë edhe mbështetjen e fundit financiare për pajisjen me infrastrukturë digjitale dhe me të gjithë infrastrukturën e nevojshëm të kompleksit të Polit të Drejtësisë, ku do të stabilizohen institucionet e reja të sistemit të drejtësisë, si dhe shkolla e Magjistraturës, një nevojë e kahershme më në fund plotësohet dhe vihet në funksion infrastruktura e re për mirëfunksionimin e sistemit të ri.

Shpresoj që kjo fjalë t’i qëndrojë gjykimit tuaj të kohës, që  deri në fund të vitit të çelim dyert e Teatrit të ri Kombëtar të Operas dhe Baletit, që më në fund transformohet nga një gjysmë gërmadhë në një teatër opere europian. Kur ta shihni, përgatituni që t’u besoni syve. Nuk ka asnjë ekzagjerim në këtë që po them. Ndërkohë që në drejtim të kulturës kemi ende disa boshllëqe serioze. Kemi filluar projektin e Bibliotekës së re Kombëtare. Kemi filluar të punojmë për Teatrin e ri të Fëmijëve. Po diskutojmë për projektin e një strukture binjake në raport me historinë, por pak më tutje në histori, sesa struktura e Bunk’arteve dhe e Shtëpisë së Gjetheve dhe po diskutojmë për një dyshe të Muzeut të Parlamentit, aty ku është sot Teatri i Kukullave dhe Muzeut të Monarkisë, aty ku është sot Pallati i Brigadave, por jemi ende në proces diskutimesh. Njëkohësisht po punojmë për projektin e një muzeu të ri, ku duam me patjetër që në zemër të jetë historia e shpëtimit të hebrenjve përgjatë luftës dhe kjo lidhur me të gjithë traditën e mikpritjes dhe të besës shqiptare. Por si lajtmotiv do të jetë hapësira e kulturës hebreje në Shqipëri.

Në shtator do të fusim në procedurë projektligjin e shumëpremtuar, e shumëpritur dhe e shumëkërkuar, të sportit, duke praktikisht iu dhënë përgjigje të gjitha pyetjeve e kërkesave të komunitetit të sportit, të cilat janë trajtuar edhe në tryezën e përbashkët me FSHF-në, apo të tjera pjesë të sportit.

Nuk po zgjatem më tutje, sepse e di shumë mirë që gjithë këto që thashë, janë pjesa më jo interesante për ju, se ju merreni me gjëra më të rëndësishme sesa ekonomia, shëndetësia, kultura dhe arsimi. Filloni me tërmetin tani.

Zoti Kryeministër, ju e mbyllët me kulturën, përmendët shumë projekte. Do të ketë zhvillime të reja sa i përket Teatrit Kombëtar?

Kryeministri Edi Rama: Zhvillimet e Teatrit Kombëtar janë shumë të vjetra dhe më vjen sinqerisht edhe mirë, edhe keq, që vazhdon një debat për një temë që do duhet të ishte ezauruar, në këndvështrimin tim, 20 vjet më parë. Ka shumë njerëz që ngatërrojnë muret me historinë, historinë me nostalgjinë, por dua të them se së pari, nëse ka një njeri, por edhe një forcë qeverisëse që në krahasim me gjithkënd tjetër nuk mund të akuzohet për mungesë vëmendjeje, apo mungesë ndjeshmërie për trashëgiminë kulturore, ky jam unë dhe kjo është forca jonë qeverisëse. Mos harroni që kur unë kam filluar përpjekjen për të shpëtuar trashëgiminë tonë kulturore, kompleksi i ministrive që ju shihni sot ishte një kompleks sipërfaqesh ku shkruheshin fjalë të pista me sprajt, ku binin suvatë, ku mbinin fiqtë literalisht mbi tarraca, sepse mbeturinat liheshin në tarraca dhe ktheheshin në pleh ku rritej fiku. Po e nis nga ai projekt që ka qenë i pari në një vazhdë projektesh dhe po e përfundoj me stadiumin. Shikojeni stadiumin tani dhe ja ku e keni edhe ndjeshmërinë për trashëgiminë reale kulturore, edhe mënyrën sesi një vlerë e trashëgimisë harmonizohet me nevojat e aktualitetit dhe me ambicien për të ardhmen. Deri dje, xhevahiri i Gherardo Bosio ishte i lidhur në brezin e tullave, llacit dhe tenequrinave të kohës komuniste dhe pas komuniste, sot është zemra e Arenës së re Kombëtare dhe sot është një monument historik për të cilin të jeni të bindur që do ketë vizitorë e turistë që do shkojnë për atë për ta parë.

Godina e Teatrit Kombëtar nuk është një çështje verbërie, apo një çështje indiference. Është një çështje realiteti. Është një godinë e ndërtuar nga ushtria italiane, me material të përkohshëm, për argëtimin pas pune. Nuk është ndërtuar ndonjëherë për të qenë Teatër Kombëtar. Nuk ka qenë aty Teatri Kombëtar në planin italian. Nuk ka qenë aty Teatri Kombëtar në planin e pas luftës. Ka mbetur si ajo fjala, një gjë e përkohshme mbetet gjithë jetën si rezultat i pamundësive dhe është sot e degraduar në pikën që është e parikuperueshme, edhe sikur të donin ta rikuperonin. Është e ndërtuar me një material të parikuperushëm. Nëse godina do të kishte vlerë nga pikëpamja arkitektonike dhe nëse godina do t’i kishte hapësirat për të pasur aty një teatër, se nuk është bërë për të qenë teatër, është shumë e thjeshtë, atëherë nuk do të ishte e mundur të restaurohej, por do të mund të shembej dhe të rindërtohej motamo sipas projektit. Të gjithëve iu them, do të na kushtonte më pak sesa godina e re, nëse do ta rindërtonim motamo siç është.

E për me tepër është përhapur dhe ka zënë vend fjala se trualli i Teatrit Kombëtar, apo një pjesë e tij do të përdoret për zhvillim privat. Është e pavërtetë. Asnjë centimetër i truallit nuk do të përdoret për zhvillim privat. Zhvillimi privat vjen mbas murit rrethues të teatrit. Që do të thotë se, nëse ne do të ishim të interesuar aty për zhvillimin privat dhe jo për teatrin, do ta kishim të lehtë fare që t’i qetësonim të gjithë këta, do bënim kopjen e teatrit ekzistues në të njëjtët kufij, njësoj siç është, sepse ai nuk restaurohet dot, është i parestaurueshëm dhe ishim në rregull. Për çfarë arsyeje do ta bënim këtë? Dhe do të paguante shumë më pak privati që do të merrte po atë sasi toke mbrapa për ta bashkuar me pronën private, për ta bërë atë zhvillimin tjetër. Ndërkohë që ne me projektin e ri kërkojmë shumë më tepër fond nga privati, për ta këmbyer me një truall që është mbrapa teatrit, ku ka sot, – shkoni e vini kamerat, e shikoni çfarë ka aty sot, – ferra, ka mbeturina të ish dekorit të Bashkisë së Tiranës, teneqe dhe fusnin makinat. Pra, është një truall komplet pa lidhje dhe pas asnjë vlerë. Ndërkohë që vlera që ne i marrin atij trualli është një teatër i ri për Tiranën.

Ideja që hajde ta lëmë dhe të bëjmë një muze, muze të kujt, për çfarë? Muzeun do ta kemi brenda godinës së re të teatrit.

Atëherë, ku është këtu çështja?

Këtu çështja është politike. Këtu çështja është mediokritet dhe kapu mbas asgjësë, për të bërë zhurmë. S’kemi asnjë interes që të bëjmë zhurmë, në rast se nuk kemi bindjen që e ardhmja ndërtohet sot dhe sot nuk mund të bëjmë diçka që mos i vlejë të ardhmes. Do ishte shumë mirë të ishin të gjithë dakord. I respektoj ata që janë kundër, por nuk mund të jemi të gjithë dakord për të gjitha. Ne nuk jemi zgjedhur që të presim që të gjithë të bien dakord me çfarë duhet të bëjmë. Ne jemi zgjedhur që të udhëheqim dhe të marrim vendime. Shumica është e qartë në këtë drejtim, shumica e komunitetit teatror, shumica e publikut. Një pjesë nuk janë dakord. Nuk ishin dakord një pjesë as për stadiumin. Kishin paranoja, kishin akuza, kishin dyshime. Ja ku e keni! Stadiumi më i bukur i rajonit, më nxirrni një tjetër që ka një stadium kështu dhe një nga stadiumet e bukur të Europës, në vend të një stadiumi të futur në listën e zezë të FIFA-s dhe të UEFA-s, ku nuk mund të zhvilloheshin dot ndeshje. E këta thonin ta mbajmë për muze. Çfarë muzeu do mbanim, muzeun e kujt? Muzeun e kioskave, apo muzeun e tullave të komunales?

Nëse do kishte aty një vlerë arkitektonike, që do të përmbushte kushtet për të qenë trashëgimi kulturore, padiksutim që do duhej ndërtuar nga e para njësoj siç është. Por për çfarë?

Përse qeveria nuk pret një vendim të Gjykatës Kushtetuese për Teatrin, tashmë që Presidenti i Republikës e ka dërguar ligjin në Gjykatën Kushtetuese?

Kryeministri Edi Rama: Për të njëjtën arsye që nuk presim dot tërmetin, për të marrë vendime të tjera.

A ka një përpjekje ndërkombëtare të diplomatëve, qoftë dhe këtu në Shqipëri, për një komunikim mes jush dhe Zotit Basha, për të gjetur disa pika të përbashkëta mbi të cilat ndoshta mund të nisë dialogu? Pra, a ka një komunikim mes jush dhe Zotit Basha përmes të tretëve, diplomatëve?

Kryeministri Edi Rama: Jo, asnjë.

Nëse Komisioni i Venecias i jep të drejtë Presidentit për vendimmarrjen e Presidentit të Republikës, ose qoftë edhe mund ta justifikojë për shkak të rrethanave dhe situatës, çfarë do të ndodhë nga ana mazhorancës, a do ndërpritet procedura për shkarkimin e tij?

Kryeministri Edi Rama: Ne kemi çuar çështjen për trajtim në Komisionin e Venecias, për të pasur një proces të konsoliduar dhe të mirëkuptuar nga publiku, tërësisht, por edhe të qartë për të gjithë komunitetin e miqve dhe të partnerëve tanë. Do presim edhe raportin e Komisionit të Venecias dhe pastaj do gjykojmë mbi bazën e raportit. Nuk mund të them nëse kështu, apo nëse asht. Procesi vazhdon. Nuk ishim të detyruar ta çonim në Komisionin e Venecias, por, duke qenë se i besojmë gjithnjë ndërtimit të proceseve të konsoliduara dhe të harmonizuara me mendimin më të mirë të fushës aty ku është e mundur dhe duke qenë se në këtë rast kemi mundësinë t’i drejtohemi një mendimi të padyshimtë për nga cilësia në këtë fushë, i jemi drejtuar Komisionit të Venecias. Do të presim.

Zgjedhjet e 30 qershorit Zoti Rama kaluan. Ju sapo pohuat që nuk ka asnjë iniciativë të ndërkombëtarëve, për të pasur një komunikim mes jush dhe Zotit Basha, po ndërkohë, a ka një urë komunikimi mes jush dhe Zotit Basha drejtpërdrejtë? Si do të vazhdohet? Do të vazhdohet kështu? Do të lihet kështu situata dhe në shtator?

Kryeministri Edi Rama: Situata, përsa më takon dhe duhet t’ua them paraprakisht sot, që pas pushimeve dhe të jenë të vetëdijshëm për këtë, nuk mund të vazhdojë të marrë energjitë e mia dhe tonat për këtë çështje. Ne kemi dhënë qëndrimin. Unë e kam përsëritur pozicionin. Jemi të gatshëm të dialogojmë në çdo moment me opozitën jashtë parlamentare, por nuk jemi të gatshëm të negociojmë asgjë që lidhet me vullnetin e popullit të shprehur me votë dhe nuk jemi të gatshëm e unë nuk jam i gatshëm që të harxhoj kohën time e të njerëzve me këtë muhabet çdo ditë Me të drejtë, çdo njeri i zakonshëm i këtij vendi, duke me dëgjuar edhe, mua mund të thotë, ik se na rrokanisët kokën që të gjithë. Ka shumë gjëra më të rëndësishme dhe ka shumë detyra më të rëndësishme për mua sot, sesa të pres Lulzim Bashën, apo Monika Kryemadhin, apo këdo qoftë tjetër, që të kandisen për të folur. Është puna e tyre!

Ne kemi marrë një barrë që mua më ka hequr përfundimisht mundësinë e atij pak gjumi që bëja përpara, sepse duhet të drejtojmë të gjitha bashkitë e vendit. Këtë barrë, ne kemi detyrën ta mbajmë me dinjitet dhe me sukses. Është një punë kolosale, për të gjitha ato që thashë, për shumë të tjera që nuk është vendi dhe koha për t’i thënë, nga ana e qeverisë dhe fokusi im nuk është kjo loja macja me miun e atyre që zgjodhën një rrugë që për mua ka qenë e qartë që ditën e parë. Unë jua kam thënë kur ishin në Parlament, kjo rrugë do t’ju çojë më keq sesa jeni. E zgjodhën. Të gjitha i kanë vendosur vetë.

Në politikë, kur merr vendime, duhet të marrësh edhe përgjegjësi. Për sa kohë, ata do vazhdojnë të marrin, apo të pranojnë vendime të imponuara nga i pari apo të parët e tyre e të mos marrin e të mos kërkojnë përgjegjësi nga ata që i marrin vendimet, jemi përpara një situate ku nuk ke me kë flet e nuk ke për çfarë flet. Ky është fakt, ndërkohë që prioritetet e mia janë investimet, janë informaliteti, shërbimet për njerëzit dhe transformime të domosdoshme që duhet të vazhdojmë të bëjmë në bashkitë tona. Nuk jam më vetëm Kryeministri, apo më saktë kryetari i Partisë Socialiste, me një numër të caktuar drejtuesish në bashki. Nuk jam më thjeshtë njeriu që duhet të mjaftohem, apo mund të mjaftohem me faktin që një zonjë “molotov” nuk dëgjon e nuk kupton dhe Shkodra mbetet pa u zhvilluar. Tani duhet të tregojmë e duhet të punojmë për të treguar me vepra e jo me fjalë, që dimë të ndryshojmë Shkodrën, që dimë të ndryshojmë Kukësin, që dimë të ndryshojmë Beratin e kështu me radhë, që deri më sot jemi përpjekur, por nuk kemi gjetur interlokutor.

Rritja e ekonomisë, rritja e punësimit, përmirësimi i kushteve të punës për njerëzit, rritja e sigurisë ushqimorë e me radhë janë shumë e janë shumë më të rëndësishme, sesa muhabeti për “e takove, nuk e takove”, “a ka ndonjë njeri që po mundohet të bëjë krushqinë” e kështu me radhë. Ne jemi gati, unë jam gati, nuk kam asnjë paragjykim, asnjë kusht. Duan të ulen e të diskutojmë për të ardhmen, e ardhmja vjen më shpejt sesa duket. 2021 është shumë afër, është shumë më afër sesa i duket atyre dhe nëse ata vazhdojnë kështu edhe disa muaj, 2021-shin e kanë paketuar përsëri me duart e tyre.

Zoti Rama, një pyetje që ia kam bërë dhe Presidentit Meta…

Kryeministri Edi Rama: Kujt?

Presidentit të Republikës, Zotit Ilir Meta. A keni frikë ju nga SPAK-u? Dhe nëse jo, është kjo për shkak se ju keni kapur pushtetin e drejtësisë, siç ju akuzon Presidenti përmes Ramaformës? Dhe një kuriozitet, kur u futët në politikë, a mendonit se do t’i kishit në duar tuaja të gjithë pushtete siç po ndodh tani e siç ju akuzojnë kundërshtarët? Keni qeverinë, keni një parlament ku opozita aktuale voton çfarë ju çoni për të votuar, siç ishte Kodi Penal, keni të gjitha bashkitë, nuk ka sindikata, opozita zyrtare është jashtë Parlamentit. A e kishit ëndërruar ndonjëherë këtë?

Kryeministri Edi Rama: Jo, as në ëndrrën më të keqe nuk e kam parë opozitën e këtij vendi të katandiset siç është katandisur. Këtë nuk e kam parë as në ëndrrën më të keqe dhe juve jeni në të drejtën tuaj të mendoni që kjo që them unë është “sikur”, por nuk është sikur fare. Është shumë e vështirë të qeverisësh me një opozitë që këmbëngul çdo ditë të vrasë veten, sesa me një opozitë që këmbëngul çdo ditë, në thonjëza, të të vrasë ty politikisht, me ide, me argumente, me figura, me ritëm. Sepse një opozitë inekzistente është një boshllëk që të pengon të gjesh të gjitha forcat e nevojshme për të bërë punën maksimalisht mirë. Është njësoj si të… – nuk dua të bëj shembuj tani, por ju jeni gazetarë të mediave kryesore këtu, – parafytyroni për një moment sikur të shkoni të punoni për një portal në Rrushbull, do e kishit të njëjtin motivim? Është e njëjta gjë, pavarësisht se krahasimi mund të çalojë.

Përsa i përket të gjitha pushteteve, nëse unë kam kapur Shtete e Bashkuara të Amerikës, nëse unë kam kapur Bashkimin Europian, atëherë nuk keni çfarë bëni, e keni humbur këtë betejë. Të thuash që mund të kapen Shtetet e Bashkuara, mund të kapet Bashkimi Europian, se ka një forcë të errët, deep – deep dhe e gjithë kjo mund të ndodhë në Shqipëri, janë gjëra që janë qesharake, në rastin më të mirë dhe janë klinikisht shqetësuese, në rastin më të keq.

Kjo nuk është çështje frike dhe trimëria. Kjo nuk eshët as çështje Mic Sokolash. Kjo është çështje thjesht veprash. Fjalët janë njëra anë, veprat janë ana tjetër. Unë që ditën e parë kam qenë i vendosur për të bërë një reformë në drejtësi, ku ne, – e kam thënë më parë, – të miratonim çdo gjë që komisioni dhe ekspertiza ndërkombëtare do të miratonte dhe do të na sillte në tavolinë. E mbani mend kur ju kam thënë që nuk e kam lexuar draftin? Dhe nuk e kisha lexuar.

Sepse një reformë e vërtetë në drejtësi mund të bëhej vetëm nëse forca më e madhe politike nuk fuste hundët, për ta bërë reformën në drejtësi, duke llogaritur interesin e vet të ngushtë. Janë bërë reforma në drejtësi edhe përpara në Shqipëri, nuk është kjo e para, por kjo është e vërteta, për shkak se forca më e madhe politike i është vënë në dispozicion dhe mbështetja e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian e ka burimin këtu, tek fakti që kjo forcë politike, që sot qeveris e vetme, nuk përzihet me çështjet e drejtësisë.

Përsa i përket raportit tonë me drejtësinë, keni parë shembuj, ndoshta do shihni të tjerë, aty ku hyn drejtësia, ne hapim rrugën. Kështu që nuk është çështje tani të them unë kam frikë, nuk kam frikë, jam trim, jam gati të dal me rroba banje e t’i vërsulem ambasadës amerikane. Këto janë muhabete që për fat të keq zhvillohen në institucionet e larta. Për fat të keq.

Zoti Kryeministër, kam dy pyetje. Që në fillim të mandatit të parë qeverisës, ju i shpallët luftë informalitetit. Jeni në mandatin e dytë, kanë kaluar 6 vite, përsëri ju flisni për informalitet. A ndjeheni i tradhtuar nga ushtria e madhe e administratës tatimore në vend?

Pyetja e dytë; Keni deklaruar se keni patur një telefonatë me Presidentin e Francës Macron, por asnjëherë nuk e keni bërë publike tematikën e kësaj telefonate. Mund të na thoni diçka? Faleminderit!

Kryeministri Edi Rama: Faleminderit. Së pari, nuk ndihem i tradhtuar, sepse nuk është ushtria ime dhe asnjëherë nuk nisem me premisën që në ushtrinë, po e quajmë ushtri të administratës, ne kemi një grup divizionesh dhe batalionesh që janë aty për jetë a vdekje, përkundrazi, por kjo nuk është çështje thjesht këtu. Domethënë, nuk është kaq e thjeshtë.

Lufta kundër informalitetit është një proces më i gjatë, sesa do donim të ishte dhe nuk është thjesht çështje ushtrie apo individësh, është çështje sistemi. Nuk u zgjata në paraqitje, por ne ndërkohë po përgatisim një sistem ultramodern, të quajtur sistemi i fiskalizimit, ku do të fusim të gjitha bizneset në monitorim online 24 orë të çdo transaksioni. Sot, me sistemin e vjetër të kasave, që ne e patëm kontestuar atëherë, nuk ka transaksione në kohë reale dhe informacioni i të gjitha transaksioneve jepet vetëm në një moment të ditës. Është një sistem shumë i prapambetur, që krijon shumë hapësirë për abuzim, ndërkohë që sistemi i ri do të jetë online. Pra, çdo transaksion do të bëhet online e kështu monitorimi i bizneseve nuk do bëhet duke i shkuar mbrapa e trokitur nëpër dyer, por do të bëhet në ekrane të mëdha, siç bëhen monitorimet e OST-së apo OSHEE-së sot, të të gjitha flukseve dhe bazuar në analizat e riskut dhe bazuar në të gjitha trendët. Vetë sistemi të jep sinjale që tek ky biznes diçka nuk shkon. Këtë gjë jemi duke e punuar dhe në janar të vitit që vjen do ta fusim në fazën e parë, që është faza “bussiness to costumer”, domethënë, biznesi dhe klienti.

Nga ana tjetër po punojmë për një dixhitalizim të inspektimit dhe në një kohë të arsyeshme, inspektorët do të jenë të dixhitalizuar në raport me qendrën, që do të thotë se do të dihet çdo lëvizje e tyre, do të dihet çdo vendqëndrim i tyre, çdo kohë që konsumojnë, çdo pikë nafte që do të harxhojnë jashtë punës së tyre e kështu me radhë. E duke e forcuar sistemin, duke e modernizuar, do të kemi më pak “ushtarë” që na tradhtojnë. Është e vërtetë që sot nuk janë pak.

Përsa i përket bisedës, unë asnjëherë nuk i ndaj bisedat që nuk janë formale dhe nuk janë të dakordësuara për t’u ndarë me publikun. Me Presidentin Macron kam një marrëdhënie, nuk di si ta quaj, por më të afërt s sa me shumë të tjerë. Jemi në komunikim të vazhdueshëm. Ka kërkuar të flasë me mua, rreth 55 minuta apo 1 orë, zgjati shumë, aq sa u detyrova të shkoj me shumë vonesë në asamble. Kemi folur për Europën dhe rajonin, temat që diskutojmë gjithmonë.

Zoti Kryeministër, meqë ju përmendët Europën dhe rajonin, një pyetje ndoshta dhe në cilësinë e ministrit për Europën dhe Punët e Jashtme. Shqipëria pritet të marri Presidencën e OSBE-së. Do ta drejtoni ju, apo ministri në detyrë, këtë Presidencë?

Kryeministri Edi Rama: Nuk kemi diskutuar për këtë çështje, por, siç e tha Elia, unë kam shumë pushtete, kështu që në këtë rast, sikur të jetë e mundur ta drejtojë dikush tjetër, do isha shumë i lumtur. Por do ta shikojmë si duhet bërë dhe do bëhet më e mira, për ta mbajtur atë Presidencë me të gjithë dinjitetin e me të gjithë seriozitetin që duhet të ketë Presidenca e OSBE-së.

Me 17-18 tetor pritet vendimi për Shqipërinë. Cilat janë pritshmëritë? Pritshmëritë janë gjithmonë pozitive, por nga ajo që keni kontaktuar dhe bisedat që keni me homologët tuaj, çfarë pritet të vendoset në tetor? Një pyetje e fundit, lidhur me Greqinë. Kemi një qeveri të re në Greqi, me një ministër të ri të Jashtëm, i cili kishte deklaruar që njihte ndoshta gjyshen tuaj, në një intervistë dhe ju vlerësonte për këtë.

Kryeminsitri Edi Rama: Gjyshen time?

Ministri i Jashtëm i Greqisë ju njihet si… jeni 1/4 grek dhe njihte dhe të afërmit tuaj.

Kryeministri Edi Rama: Çfarë jam, 1/4 grek? Unë?

Sipas ministrit të Jashtë të Greqisë. Marrëdhëniet me Greqinë,  negociatat me Greqinë, në çfarë pike janë?

Kryeministri Edi Rama: Të kthehemi tek seriozja. E para, që të jem i qartë, unë kam në dejet e mia një miks dhe nuk do isha aspak i mërzitur, ose nuk do ndihesha aspak keq, nëse do kisha edhe një pjesë të gjakut grek, por nuk kam asnjë qelizë, nuk e kam pasur këtë prurje. Ndërkohë që kam ca rrjedha të tjera. Ashtu sikundër kam edhe rrjedha të brendshme, nga Shkodra në Mirditë, në Berat, në Vuno, në Vlorë. Për të qenë të qartë në këtë pikë. Nga ana tjetër dua ta them qartë që për mua, ortodoksët shqiptarë janë shqiptarë dhe grekët ortodoksë janë grekë, që të jemi të qartë edhe për këtë. Dhe duke qenë se në pikëpamjen fetare, nëse e lexojmë kështu, kam edhe rrjedhë katolike, edhe rrjedhë ortodokse e duke qenë se për vullnetin dhe vizionin e gjyshes sime jam vetë katolik, dua ta nënvizoj shumë qartë, ortodoksët shqiptarë janë shqiptarë. Ne e kemi të ndarë këtë pjesë. Greqia e ka bashkë, por, nëse për ta, me plotë të drejtën e tyre, çdo grek është ortodoks, për mua, çdo ortodoks shqiptar është shqiptar. Ndërkohë që vëllezërit tanë të minoritetit janë ortodoksë, janë dhe grekë. Janë grekë, janë dhe ortodoksë.

Përsa i përket marrëdhënieve, as nuk diskutohet që gjithmonë dëshira, synimi, qëllimi ka qenë marrëdhëniet më të mira të mundshme. Kemi pasur çështje për të diskutuar. Kemi bërë diskutime, kemi bërë negociata, sepse janë çështjet e të shkuarës që na janë paraqitur historikisht si problem për të ardhmen për arsye politike. Me qeverinë e re duam të kemi vazhdim të dialogut për çështjet, duam të kemi miqësi, mirëkuptim, respekt, sepse marrëdhëniet tona fqinjësore nuk mund të varen nga origjina politike e një qeverie, apo një tjetre. Janë të majtë, janë të djathtë, janë të qendrës, janë të gjitha bashkë, në Tiranë apo në Athinë, kjo nuk duhet të ketë rendësi, siç nuk ka rëndësi me Italinë. Ashtu sikundër është shumë e rëndësishme që të intensifikojmë dialogun dhe bashkëpunimin, edhe për të vënë pikat mbi “i” edhe mbi disa aspekte të deformuara për shkak të informacioneve, apo për shkak të trajtimeve të gabuara në nivele të caktuara të medias apo të politikës, lidhur me respektimin e të drejtave të minoritetit grek në Shqipëri. Minoriteti grek në Shqipëri nuk është i respektuar, është i dëshiruar dhe i shikuar si pjesë integrale, e padyshimtë, e bashkëjetesës sonë dhe si pasuri, si urë lidhëse. Kështu që, nëse ka pasur një çështje këtu, një çështje atje, apo atje, asnjëherë nuk ka pasur e s’mund të ketë tendencë negative kundër minoritetit grek. Nuk diskutohet kjo.

Përsa i përket vendimmarrjes, unë do vazhdoj ta përsëris, të tjerët do vazhdojnë të përsërisin të tyren. Ju, në kuadrin e paqes që kemi bërë, jeni në të drejtën të mbroni këndvështrimin tuaj. Vendimmarrja e tetorit nuk ka lidhje me Shqipërinë dhe me Maqedoninë e Veriut, ka lidhje me Bashkimin Europian dhe me të ardhmen e tij. Ka lidhje me dinamikat e brendshme në Bashkimin Europian, ka lidhje me debatet e brendshme në Bashkimin Europian, ka lidhje me qëndrime të caktuara, jo plotësisht harmonike brenda Bashkimit Europian. Doni të mendoni të kundërtën? Doni të besoni të kundërtën? Doni të thoni të kundërtën? Duan të mendojnë të kundërtën? Të gjithë janë në të drejtën e tyre, por kjo është e vërteta dhe këtë nuk e luan topi. Është politikë, nuk ka lidhje me asnjë objektivitet dhe me asnjë vlerësim objektiv teknik. Është politikë puro. Secili bën politikën e vet. Bashkimi Europian nuk është në ditët e veta më të lumtura dhe nuk është në momentet e veta më të qarta, kështu që gjithçka mund të ndodhë në tetor. Unë nuk përjashtoj asnjë version.

Zoti Kryeministër, kam dy pyetje. 10 ditë më parë pak a shumë, pas mbledhjes së kryesisë thatë në Asamblenë Kombëtare që nuk do kishte ndryshime në qeveri. Po në shtator, me nisjen e sesionit të ri parlamentar, mendoni se mund të ketë nevojë për rishikim të kabinetit?

Kryeministri Edi Rama: Jo, në parim jo. Pastaj, nëse shfaqet një nevojë, apo një situatë që unë nuk e di sot, kjo është temë tjetër. Por në parim jo.

Zoti Kryeministër, Edi Rama i fillimviteve ’90-të, po ai me flokë, ka qenë një opinionist, analist kritik i qeverisjes. Në këndvështrimin tuaj, sot, Edi Rama, çfarë do të mendonte për ju? Për paktin me Berishën të 2008-s; për tërheqjen pas grevës 3 javore të urisë me sloganin “Hap kutitë, ose largohu”; me dorëzimin e gjysmës së qeverisë në 2017-n Lulzim Bashës; për dosjen 339 dhe 184 e të tjera gjëra? Sipas jush, nëse keni një mendim objektiv, çfarë do t’ju thoshte ju, ai, sot?

Kryeministri Edi Rama: Çfarë do më thoshte mua Edi Rama me flokë? Nuk e kam menduar ndonjëherë këtë, por më lër të mendohem e ta jap përgjigjen në fund të konferencës.

Zoti Kryeministër, pse grupi juaj parlamentar po e shkarkon një socialist të vjetër si Arben Malaj? A lidhet kjo me kritikat e tij të fundit ndaj lidershipit tuaj? Dhe me njëjtën logjikë, a e larguat ju, Ditmir Bushatin, nga Qarku Shkodër për të njëjtat arsye, për shkak të qasjes së tij kritike, publike ose jo? Faleminderit!

Kryeministri Edi Rama: E para lidhet me grupin parlamentar. Pyesni deputetët që kanë kërkuar largimin e Zotit Malaj. Unë, – ju nuk e besoni, jeni të lirë të mos e besoni, – nuk lexoj dhe është pjesë e paqes edhe kjo. Më ndihmon për paqen. Nuk lexoj përveçse në raste shumë të rralla, gjëra që mi rekomandon Fuga dhe se çfarë mund të ketë thënë Zoti Malaj për mua, nuk është ndonjë gjë që ma ka rekomanduar për lexim.

E dytë, unë kritikat i mbaj shumë më tepër sesa dukem, madje jam shumë i vëmendshëm ndaj kritikave në përgjithësi. Por sigurisht mbroj mendimet e mia kështu që nuk ka asnjë gjë personale në këtë aspekt. Nuk kam asgjë personale me askënd, as me atë e as me askënd. Madje, se më erdhi të thosha as me atë, as me Lulzim Bashën, por me Lulizm Bashën përkundrazi, e kam diçka personale, që e kam pozitive, por nuk di si ta ndihmoj, sinqerisht.

Përsa i përket tjetrës, nuk ka asnjë lidhje. Së pari, nuk më rezulton që Ditmiri të ketë bërë ndonjë kritikë shqetësuese. Nuk më rezulton, nuk e di ku e keni…, mbase më ka shpëtuar, por edhe sikur të kishte ndodhur, nuk ka lidhje. Organizimi i ri kërkon disa angazhime, disa ritme, disa energji dhe disa aftësi që kanë kërkuar disa ndryshime, kaq. Shkodra është prioritet për mua, është prioritet shumë i rëndësishëm në të gjitha aspektet, por në radhë të parë, në një aspekt që ka të bëjë jo me politikën e jo me votat, por me gjithçka unë mendoj për atë qytet, për historinë e tij, për potencialet e tij dhe me gjithçka Shkodra si zonë mund t’i japi ekonomisë së vendit, mund t’i japi zhvillimit dhe të ardhmes së vendit. Është një fatkeqësi Shkodra që kemi sot dhe unë jam i vendosur që për Shkodrën të bëjmë ndryshimin që kemi bërë në të tjera zona. Mbas këtij mandati të Valdrinit, ndryshimi në Shkodër të ketë të njëjtin impakt që ka tek ju dhe tek të gjithë ndryshimi që shihni në Vlorë. Dua që në fund të katër vitet të Valdrinin, kur të shkojnë njerëzit në Shkodër të befasohen. Kështu që për këtë arsye, gjithë kompleksitetin e veprimeve dhe të qasjes ndaj Shkodrës duhet ta ndryshojmë radikalisht. Vendosja e Valdrinit drejtues aty është gjëja e duhur edhe për shkak se ai është edhe kryetari i bashkisë, për shkak se ai është aty çdo ditë e çdo natë dhe më duhet një person që të jetë aty, çdo ditë e çdo natë, si kryetar bashkie e si drejtues.

Zoti Kryeministër, po i rikthehem dhe një herë çështjes së teatrit, sepse kërkova të marr fjalën më herët, por drejtori juaj i Komunikimit nuk e pa të arsyeshme të ma jepte fjalën dhe po detyrohem t’i kthehem edhe një herë. E para, kur do ta prishni Teatrin Kombëtar? E dyta, pse ka ndërhyrë policia dhe i ka penguar qytetarët dhe artistët të hyjnë në teatër, përsa kohë gara është e hapur? Pra, përse ndërhyn policia për të mbrojtur teatrin nga ata që po mbrojnë teatrin? Pyetja e fundit, si u përgjigjeni akuzave që thonë që gara është e hapur, por fituesi është i paracaktuar dhe këmbëngulja për ta bërë teatrin në atë zonë lidhet me miliona euro që janë në mes? Faleminderit!

Kryeministri Edi Rama: Unë nuk di ç’domethënë që një grup njerëzish të hyjnë në një institucion me pretendimin që po e mbrojnë, nuk e di çfarë është kjo dhe në dijeninë time, nga institucioni i është drejtuar Ministrisë së Kulturës dhe pastaj, nga Ministria e Kulturës i është drejtuar Ministrisë së Brendshme, kërkesa për të marrë masa, sepse njerëz të panjohur deri atë ditë, pastaj janë afruar këta të revolucionit që janë spostuar tani tamam tek vendi i duhur në fakt, tek skena e teatrit të vjetër, se nganjëherë koincidencat simbolike janë si të shkruara me dorë dhe kjo është arsyeja që ka pasur prezencë policie.

Përsa i përket pjesës së procedurës, procedura vazhdon. Ka një ligj. Domethënë, ideja që një pakicë apo dhe një shumicë, nuk ka rëndësi, mund të dalë kundër ligjit, duhet të marrë fund. Ka një ligj, ka një vullnet të shprehur me ligj në Parlament. Të pëlqen, nuk të pëlqen, ligji është për t’u zbatuar, nuk është për t’u vënë në diskutim, për sa kohë është në fuqi. E mbi të gjitha nuk mendoj që një komunitet i caktuar, edhe sikur të jenë të gjithë, mund të marrë peng një institucion në kundërshtim me ligjin, por nuk po i hyj kësaj se nuk dua të bëj këtë polemikë se nuk më intereson kjo pjesë. Ajo dihet, ai komunitet aty është një përfaqësi e përzier e politikanëve që luajnë teatër dhe aktorëve që bëjnë politikë. Nuk ka lidhje as me thelbin e çështjes, nuk ka lidhje as me përmbajtjen e argumenteve. Nuk ka asnjë diskutim aty që ka argument. Ka akuza, ka hamendësime, por nuk ka argumente që përballen.

Përsa i përket akuzës, më thoni një punë që kam bërë unë, të paktën, ku nuk ka pasur akuza që kjo bëhet për këtë, apo për atë. Më thoni një! Ndërkohë që kjo është e thjeshtë, e hapur, e drejtpërdrejtë dhe nuk ka asnjë sekret. Është e thjeshtë, ne duam të ndërtojmë teatrin e ri. Nuk ndërtohet dot me fondet e buxhetit tonë. Sepse po të ndërtohej, do e kishin ndërtuar të tjerët. Është një operacion me një kosto të lartë, që është shumë herë, shumëfish më i madh se i gjithë buxheti i shtetit për kulturën gjatë një viti.

Atëherë, çfarë bën një qeveri që do ta ndërtojë teatrin? Fton sipërmarrjen private. Në këtë rast koinçidon kërkesa e një sipërmarrësi për të zhvilluar një pronë private me interesin tonë për të bërë teatrin.

Çfarë kemi ne në dispozicion për sipërmarrësin, për të bërë teatrin? Kemi një truall matanë teatrit, jo truallin e teatrit. Kemi një truall matanë teatrit, një vrimë të zezë, me mbetje të ish dekorit të Bashkisë së Tiranës dhe bëjmë një këmbim. Nuk është një PPP ku ne i themi sipërmarrësit si në Rrugën e Arbrit, ndërtoje ti brenda 3 vitesh dhe ne do t’i japim lekët për 13 vite. Por është një PPP ku i thuhet ti merr këtë truall, bashkoje me truallin tënd dhe ndërto atë që të duhet për zhvillim, neve na ndërto teatrin. Dhe do të ndërtosh teatrin në fillim, dhe pastaj vazhdo bëj atë që ke për të bërë.

Është një rastësi fatlume që aty matanë murit të teatrit ka një truall që është truall i Bashkisë së Tiranës, që ka aty 30 vite si një kuadrat plehrash dhe që kthehet në një letër me vlerë, po themi, për të “blerë” një teatër, pa nxjerrë asnjë qindarkë nga buxheti dhe asnjë qindarkë nga xhepat e taksapaguesve. Sepse mund të mos ishte ai truall atje dhe çfarë do bënim? Do bënim atë që do bëjmë me Bibliotekën Kombëtare, nesër. Si do e ndërtojmë Bibliotekën Kombëtare, kur kushton sa teatri, a mos më shumë? Do i lëmë librat të kalben atje! Nuk kemi buxhet ta ndërtojmë Bibliotekën Kombëtare. Si do e ndërtojmë Kampusin e ri Universitar mendoni ju? Me se?! Do të ftojmë investitorët dhe do t’u themi,  ndërtojeni ju, ne e duam këtë tani, se nuk do të presin gjeneratat që të mbledhim ne lekët për të ndërtuar këtë apo atë dhe juve do ju paguajmë me kohë. Rruga e Arbrit, pse nuk u bë 30 vite, edhe pse premtua? Duhet të ishte bërë tani. Mua më intereson si Kryeministër që t’u jap rrugën e Arbrit dibranëve dhe të gjithë shqiptarëve, apo që të mos më akuzojnë se po vjedh.

Fjalët do t’i marri era, baltën do ta marrë uji i kohës. Në fund do të më flasin veprat dhe janë vepra që i vihen në dispozicion njerëzve. Pse nuk u ndërtua stadiumi i ri? Tani kemi stadium, apo s’kemi stadium? Ishim vendi i vetëm në Europë me Kombëtaren në listën e zezë. Kombëtarja duhet të emigronte, për të luajtur ndeshjet brenda shtëpisë. Pra, ndeshjet brenda shtëpisë duhet t’i luanim nëpër fqinjë, sikur s’kishim atdhe. E pse? Duhet ta ruanim atë?

Nuk kishim mundësi financiare. Iu drejtuam privatit. Privati merr pjesën e tij dhe ne marrim stadiumin. Stadiumi është i Federatës. Infrastruktura sportive, që do e shikoni vetë kur të hyni brenda dhe përgatituni që t’i besoni syve, është e Federatës. Privati do të marrë pjesën e tij, patjetër, se për çfarë do e bëjë, për bamirësi? Nuk e kuptoj këtë gjë. Këtu do bësh punën, por do hash edhe baltën, sepse ata që baltqisin çdo ditë nuk kanë ide, nuk kanë program dhe nuk dinë çfarë të bëjnë tjetër, kaq milionë këtu, kaq miliardë aty, kaq qindra miliardë aty.. në rregull, çfarë të them unë.

Unë mund të them vetëm që, kur të bëhet teatri, të gjithë do të kenë mundësi të hyjnë më në fund në një Teatër Kombëtarë që meriton të quhet i tillë. E më në fund, Teatri Kombëtar do të mund të ftojë trupa të tjera. Kemi një Teatër Kombëtar ku nuk vjen dot një trupë e huaj, nuk hipën në skenë sepse nuk e siguron dot trupën, duhet të paguash siguracion. E kuptoni se për çfarë flasim! Siç nuk vinte dot një skuadër e huaj të luante tek “Qemal Stafa”.

Këto janë mundësitë. Që të kemi stadium sot, të kemi Teatër sot, të kemi Bibliotekë Kombëtare sot, të kemi Teatrin e Fëmijëve sot, si do i bëjmë këto, sepse ndërkohë na duhen spitale. Spitalin modern të Fierit, që e kemi premtuar, si ta bëjmë, dini ndonjë formë tjetër ju?

Nuk e kam shpikur unë, as PPP-në, as koncensionet, që janë bërë si fjalë të pista këtu, i kanë bërë vende të tjera, i bën Gjermania. Apo në Turqi, shikojeni çfarë ishte dhe çfarë është. Shkoni shikojeni sesa përqind të zhvillimit të saj e ka PPP.

Në këtë rast shkoni fusni kamerat tek ajo zgëqja mbrapa teatrit, që do jetë trualli që do këmbehet për teatrin dhe më thoni, ajo zgëqja atje ia vlen që ta mbajmë ashtu dhe të mbajmë këtë gërmadhe që kemi aty dhe të mos bëjmë teatrin e ri? A e ka ajo vlerën? Patjetër që investitori që do hyjë aty nuk diskutohet që ka interesin e vet, se për çfarë do të vinte. Por ama këtu është e rëndësishme çfarë fitojmë ne. Mos e bëni si historia e atyre të dyve që fituan betejën dhe i thirri princi u tha, s’kam kohë t’ju dëgjoj të dyve, fol ti i pari dhe tjetri do marrë dyfishin. I pari, nga inati që tjetri do merrte dyfishin, i tha më nxirr mua një sy, që tjetrit t’i nxirrte të dy sytë.

Ne fitojmë teatrin që nuk e bënë dot as komunistët, as paskomunistët, sepse është buxhet shumë i madh për buxhetin e shtetit shqiptar.

Gjatë Asamblesë, ju jeni shprehur se keni bërë disa gjëra që i keni bërë gabim dhe nuk duhet t’i kishit bërë. Cilat janë këto gjëra që i keni bërë gabim?

Kryeministri Edi Rama: HEC-et nën 2 megavat. Ka edhe të tjera, por meqenëse më kërkove të jap një shembull.

Në vitin 2017, për tejkalimin e krizës u desh që të vinin në Shqipëri, zyrtarë të lartë huaj ndërkombëtarë, tani në vitin 2019 do të presim serish të vijnë zyrtarë të huaj, apo do të udhëtoni ju, bashkë me Zotin Basha, në një nga vendet aleate?

KM Edi Rama: Jo, asnjëra, as tjetra.

Javën e kaluar e vizitoi Shqipërinë, ministri i Brendshëm turk dhe u takua me ju dhe me Zotin Lleshaj. A keni diskutuar me të në lidhje me luftën e të ashtuquajturve të organizatës FETO?

Kryeministri Edi Rama: Patjetër kemi diskutuar.

Unë dua t’ju kthej tek ato që ju i përkufizuat pak si gjëra të rëndësishme, investimet, ekonomia. Vij nga televizioni Scan dhe na intereson ekonomia. Një nga fjalitë e para u përqendruat tek investimet, me këtë drejtësi, pa Kushtetuese, pa Gjykatë të Lartë, me 80 gjyqtare e prokurorë të shkarkuar, a do arrijmë t’u sigurojmë investuesve potencialë sundimin e ligjit, i cili është parakusht i domosdoshëm për nxitjen e investimeve? Dhe e dyta, tempizmi lidhur me aksionin kundër informalitetit nuk nisi pak në kohën e gabuar, kur hotelet ishin mbushur, pra, kishte filluar të funksiononte sezoni turistik?

Kryeministri Edi Rama: Është bërë me qëllim kjo, që atyre që shkelin ligjin t’ju dhembi më shumë.

Por ju dhemb edhe qytetarëve?

Kryeministri Edi Rama: Është pjesë e përpjekjes së përbashkët.

Ndërkohë për pyetjen e parë po citoj kancelaren e Gjermanisë në takimin e Poznanit, e cila tha është e vërtetë që Shqipëria, sot s’ka Gjykatë Kushtetuese, por kjo është rezultat i vettingut, të cilin Parlamenti i Shqipërisë dhe partnerët e Shqipërisë e kanë kërkuar me forcë. Ky është një moment tranzitor, ku kjo situatë është sukses i një procesi si vettingu, apo është dështim i procesit tërësor të Reformës në Drejtësi?

Përgjigjen, ju mund ta vazhdoni vetë, sepse nuk kam autorizim për të vazhduar citimin e Kancelares, por mbroj të njëjtën pikëpamje. Po bëjmë pastrimin më të imagjinueshëm nga të gjithë, përpara se të fillonte reforma në drejtësi. Po pastrojmë një llum që dukej si mallkim i përjetshëm i kësaj shoqërie dhe që dukej sikur s’do kishte forcë në botë që ta lëvizte vendit. Sepse flasim prej 30 vitesh për korrupsion, për pisllëk, për zullume të politikanëve dhe 30 vjet, për herë të parë, jo po flitet, por po veprohet kundër korrupsionit, pisllëkut dhe zullumeve të atyre që ishin të paprekshmit e vërtetë dhe që garantonin pastaj paprekshmërinë e të tjerëve, duke pasur krijuar një korporatë fitimprurëse me të drejtat e njerëzve.

Përsa i përket investitorëve të garantoj që Reforma në Drejtësi është një nga arsyet që ka shtuar interesimin e tyre. Midis një gjykate si ajo që ishte dhe pa gjykatë është më mirë pa gjykatë. Ndërkohë që gjykata që vjen do të jetë shumë më mirë sesa kjo situatë. Por të mos bëjmë sikur nuk kuptojmë. Kjo është një situatë që vjen si rezultat… po bëjmë operacion dhe ti nuk mund të operosh një atlet të sëmurë dhe gjatë kohës që po bën operacion, të thuash pse nuk po thyen rekordin. Prit të operohet, të mbarojë operimi, pastaj do çohet, do të rehabilitohet dhe do fillojë të vrapojë. Ky është qëllimi i operimit. Prandaj kjo është një farsë e madhe e atyre që nuk duan që të bëhet Gjykata Kushtetuese kurrë dhe që kanë përfituar dhe abuzuar shumë me mungesën e Gjykatës Kushtetuese. Ndërkohë më tregoni një abuzim të vetëm nga ana jonë me mungesën e Gjykatës Kushtetuese.

Nuk mendoni se zgjedhjet e parakohshme do të shuanin krizën politike në Shqipëri si me opozitën dhe me Presidentin Meta, por akoma më shumë me problemet në mandatin tuaj të dytë, që praktikisht duket sikur ende nuk e keni nisur?

Kryeministri Edi M Rama: Jo nuk mendoj.

Si do veproni me ligjin antishpifje, do t’i pranoni rekomandimet e OSBE-së?

Kryeministri Edi Rama: Është në proces. I kemi rakorduar të gjitha me OSBE.

 

Ndërkohë që përfaqësuesi i medias ju ka shprehur një kërkesë direkte që të rishikoni nenin për gjobitjen që parashikon AMA për Këshillin e Ankesave, duke deklaruar se AMA nuk është gjykatë?

Kryeministri Edi Rama: E kemi harmonizuar ligjin me OSBE-në dhe në shtator, ligji do të futet në procedurë.

Nuk do ta rishikoni këtë pjesë?

Kryeministri Edi Rama: Nuk jam në dijeni të detajeve, por di të them se ligji është punuar ngushtësisht me ekspertë të OSBE-së.

Përsa i përket marrëdhënieve me Kosovën, përse Edi Rama nuk mbajti një qëndrim për Ramush Haradinajn dhe u fokusua vetëm tek lufta e UÇK-së?

Kryeministri Edi Rama: Gjëja më normale më duket mua, sepse është lufta e UÇK që nuk mund të vihet kurrë nën akuzë dhe këtu përfshihet edhe Ramush Haradinaj. Pastaj, jep dorëheqjen, apo s’jep dorëheqjen si Kryeministër, kjo është çështje politike dhe taktike në raport me gjyqin, në raport me tribunalin. Ndërsa në raport me luftën, unë e konsideroj Ramush Haradinajn, Jakup Krasniqin dhe të gjithë me radhë ata që janë thirrur për t’u intervistuar, si përfaqësues të një lufte çlirimtare. Ajo luftë çlirimtare nuk mund të njolloset dhe nuk mund të reduktohet në gjithë përmasën e saj heroike dhe historike, ku padyshim, edhe Ramushi ka një rol.

Ju folët për rrugën Milot-Balldren që do jetë me koncension, ndërkohë që opozita ju ka akuzuar që keni shmangur samitin e BE, duke mos paraqitur këtë projekt për të përfituar fonde si pjesë e projekteve të BE-së. Cili është reagimi juaj për këtë?

Kryeministri Edi Rama: Sikur të reagoja për të gjitha akuzat e opozitës, duhet të lija të gjitha punët e tjera, por kam punë shumë më të rëndësishme për të bërë, sesa të reagoja për akuzat e opozitës.

Ju thatë, i gatshëm të diskutoj për të ardhmen, 2021 është shumë afër. A mund të jetë pjesë e këtij diskutimi, X muaj përpara 2021-it, edhe e famshmja qeveri tranzitore?

Kryeministri Edi Rama: Jo.

Por çfarë jeni i gatshëm të diskutoni?

Kryeministri Edi Rama: Për reformën zgjedhore që është me shumë rëndësi që të adresohet sipas rekomandimeve të bëra nga OSBE-ODHIR dhe sipas porosive të lëna nga Këshilli Europian dhe që është një bazë shumë e rëndësishme për lojën. Pra, palët negociojnë rregullat e lojës, palët nuk vendosin rezultatin e lojës. Kjo është shumë e thjeshtë. Rezultatin e vendos loja. Palët përpara se të hyjnë në lojë negociojnë dhe dakordësojnë rregullat, nëse duan rregulla të reja, ose i nënshtrohen rregullave ekzistuese. Ka mbaruar historia e shpikjeve dhe historia e karameleve. Karamele më nuk ka. “Qofte te daja” më nuk ka, sepse “daja” ka vdekur në 30 qershor për të gjitha partitë politike shqiptare. Kush është parti politike dhe do të fitojë çfarëdo qoftë, duhet të hyjë në lojë dhe ta fitojë. Kush fiton dhe kush humbet e vendos vetëm populli, askush tjetër.

Me zotin Meta jeni takuar pas 30 qershorit?

Kryeministri Edi Rama: Jo, faleminderit.

Keni deklaruar se jeni të gatshëm të uleni në tryezë me opozitën, por a është në planet tuaja që të rregulloni marrëdhëniet me Presidentin Ilir Meta?

Kryeministri Edi Rama: Jo, nuk e kam në plan, por jam i gatshëm ta ndihmoj Presidentin në rast se ma kërkon, sepse sinqerisht jam shumë i keqardhur për Presidentin dhe jam shumë i keqardhur për gjendjen e institucionit. Por si shenjë e parë jam kursyer dhe do të vazhdoj të kursehem, sepse realisht situata e Presidentit është e rëndë dhe nuk dua t’i shtoj më shumë vështirësi në perceptimin e realitetit.

Mund të fillojë rregullimi i marrëdhënieve me Zotin Meta, duke i kthyer një përgjigje për shqetësimin e tij për tërmetin?

Kryeministri Edi Rama: Tërmetin, ai e ka shumë të thjesht, nxjerr një dekret dhe e shtyn.

Po për Teatrin kur do të fillojë shembja?

Kryeministri Edi Rama:  Sipas procedurave. Ka procedura ligjore. Në bazë të ligjit kanë filluar procedurat për të gjithë procesin. Kështu që kur të mbarojnë procedurat. Sigurisht që do shembet që të ndërtohet, se nuk mund të ndërtohet pa u shembur.

Pyetje pa mikrofon, nuk dëgjohet..

Kryeministri Edi Rama: Ai që mbaj mend unë, pra, Edi Rama që më referohesh ti, se është pak absurde të flas për atë, por.., në atë kohë nuk kishte hyrë në asnjë zyrë shteti me vendim. Në asnjë zyrë shteti, përveç Institutit të Arteve dhe Galerisë Kombëtare, ose Muzeut Kombëtar. Ai për herë të parë ka hyrë në një zyrë shteti si ministër i Kulturës dhe ai nuk merrte vesh në atë kohë, nga jeta që zhvillohej në anën tjetër të barrikadës. Kështu që patjetër që në shumë gjëra do më kundërshtonte, sepse nuk do më kuptonte.

Faleminderit!

Please follow and like us: