Sa herë që në Kosovë ra kushtrimi për liri, Malësia e Gjakovës gjithmonë, ishte ndër të parat, që aq herë,u përgjigj burrërisht duke dërguar edhe trimat më të mirë nga e gjithë treva e saj,për të ndihmuar me pushkë në dorë, kryengritjet çlirimtare të Dardanisë.

Malësia jo vetëm që hapi dyert e shtëpive të veta qysh nga ditët e para, kur okupatori serb filloi dëbimin masiv me dhunë të shqiptarëve nga Kosova dhe ndau me ta edhe kafshatën e gojës, por ajo dërgoi edhe bijtë më të mirë që pati, për ta ndihmuar luftën çlirimtare të dardanëve, disa prej të cilëve ranë trimërisht në fushëbetejë dhe u shpallën me plot meritë, heronj të përjetshëm të Kosovës dhe Shqipërisë.

Njëri nga djemtë e tillë më të spikatur të Malësisë ishte edhe Bilbil Breçani, lind e rritur në vendlindjen epike të Binak Alisë, Mic Sokolit, Smajl Hysenit, Ali Ibrës, Zeqir Halilit, Avdullah Hoxhës, Sali Manit e të tjerë, të cilët tradicionalisht u gjendën në mbështetje të Kosovës dhe luftuan përherë, krahas kryengritësve të saj.

Ndaj edhe ushtari trim dhe luftëtari sypatrembur Bylbyl Hazir Breçani u rrit e burrërua duke dëgjuar e mësuar se si trimat dhe kreshnikët e Malësisë së Gjakovës, gjithmonë ishin të gatshëm të luftonin dhe vdisnin për atdhe , të cilët njëjtë si ai, në çdo kryengritje i qëndruan pranë Kosovës dhe krahas trimave dardanë luftuan e ranë gjithmonë, për lirinë e përbashkët! 

Kështu që edhe dëshmori më i ri i Shqipërisë dhe Kosovës që fatkeqësisht ra, sapo kishin gëzuar ditët e para të lirisë në Koshare, ishte djaloshi 25 vjeçar i Malësisë Bilbili Breçani i cili në të gjitha aksionet luftarake dhe betejat më të vështira dëshironte të merrte pjesë dhe rreshtohej në radhët e para të trimave, që mësynin falangat e ushtrisë okupatore serbe, për ti dëbuar ato sa më shpejt nga Kosova e robëruar dhe çliruar përfundimisht truallin e vëllezërve shqiptaro-dardan.

Flijimi heroik i gjeneral Tahir Sinanit dhe Bilbil Breçanit, si dhe të gjithë bashkëluftëtarëve tjerë, nga Malësia, Shqipëria dhe mbarë trojet etnike shqiptare, bënë që historia e shtetit tonë të ri, të shkruhet edhe me gjakun e shenjtë vëllazëror dhe kombëtar të të gjithë atyre, që ranë për lirinë e Kosovës!

Bilbil Breçani u lind më 13 maj të vitit 1974 në lagjen Breçan të fshatit Markaj, në Malësinë e Gjakovës, truall mitik ky, i mbrumur përjetësisht me histori kryengritjesh dhe luftërash të pareshtura kombëtare, për liri.

Vendburim burrash të pushkës, që edhe dëshmorin dhe heroin e ardhshëm Bilbil Breçanin, qysh në vitet e para të jetës, do ta ushqente me histori trimërie dhe patriotizmi të trashëguar ndër breza, në memorien e të cilit ende ruheshin të freskëta kujtimet mbi pjesëmarrjen e gjyshit të tij, në luftimet e udhëhequra nga plaku i maleve Bajram Curri.

Nga katër vëllezër dhe tri motra sa kishte Bilbili, ai ishte vëllai i tretë me radhë të cilët me gjithë varfërinë e madhe u rritën dhe edukuan në frymën më të lartë atdhetare, idealin e shenjtë kombëtar dhe dëshirën e pashuar, për çlirimin e Kosovës dhe bashkimin e saj me Shqipërinë.

Amanet ky i vjetër sa vet ndarja e padrejtë e trojeve dhe popullit autokton shqiptar, si dhe ëndërr jetësore në shpirtin e bashkëkombësve liridashës të të dy anëve të kufirit, për bashkimin e popullit dhe tokave të copëtuara kombëtare.

Më 1995 Bilbil sapo kishte mbaruar shërbimin ushtarak, ku ishte stërvitur për përdorimin e pothuajse të gjitha llojeve të armatimit artilerik dhe këmbësorisë, kohë kur Ushtria çlirimtare e Kosovës kishte nisur organizimin e mirëfilltë, për kryengritje të përgjithshme dhe i duheshin më shumë se kurrë më parë, ushtarë të sprovuar për çlirimin e Kosovës me luftë të armatosur.

Malësia e Gjakovës, ishte pikërisht istikami ku përgatiteshin luftëtarët e parë dhe drejtuesit e aksioneve çlirimtare, baza prej nga furnizoheshin me municion e armatime, dhe vendi ku gjenin përkrahjen dhe ngrohtësinë vëllazërore ushtarët e UÇK-s,.

Aty ata kishin strehën më të sigurt për kalimin e ditëve e netëve të rënda të dimrit, si dhe përthekimin e momenteve më të vështira të atyre moteve biblike, kur qindra herë duhej të shkohej e vihej dhe kalohej këmbë, me municion e armatime mbi shpinë, kufiri i frikshëm shqiptaro-shqiptar.

Ndarjen më dysh të këtij trualli, qysh rreth 100 vite më parë, nuk do mend se më së rëndi e kishin përjetuar, pikërisht Malësia dhe pjesët tjera të atdheut të copëtuar  mbi të cilat u vunë dhunshëm dhe me forcën e armëve kufijtë e huaj, mbi tokat e tyre, që prej se mbahej mend dhe qysh kur ekzistonin shqiptarët ishin-Një!

Një tokë pra, një gjuhë, një gjak, një komb dhe një atdhe, që nga Çamëria në jug e deri te Ulqini e Tivari në veri, e veçanërisht Malësia e cila jo vetëm se kishte bashkëjetuar gjithmonë me dardanët por dhe ndjehej një truall me Gjakovën dhe tërë Kosovën.

Ndaj ishte e natyrshme dhe plotësisht e pritshme që pikërisht Malësia e Gjakovës, të kthehej ndër të parat, në bastionin më të fortë të UÇK-s, ku edhe Bilbili si njëri nga djemtë më bujar dhe fisnik që kishte rritur kjo trevë, do të ngazëllehej për t`iu bashku kryengritjes.

Madje ai jo vetëm se do ta takonte shpesh por edhe ndihmoi disa herë për furnizim me municion e armatime heroin e ditëve të para të luftës Ilir Konushevcin, i cili bashkë me mjekun Hazir Mala ishin të rënët fillestar të UÇK-s, nga i cili edhe Bilbili ishte frymëzuar që të rreshtohej në radhët e ushtarëve të lirisë së Kosovës.

Dashuria e djaloshit të ri Bilbil Breçanit, për këtë pjesë të shkëputur të atdheut, të mbetur  padrejtësisht që nga viti 1913,nën okupimin serb, ishte aq e madhe sa që edhe gjatë kohës sa qëndronte me bagëti në lartësitë e bjeshkëve arbërore të Malësisë, prej nga shihte tokën e rrafshët të Kosovës së robëruar dhe horizontin e saj të ngrysur nga okupimi serb, qindra dhe mijëra herë kishte ëndërruar se kur do të vinte dita, që dhe ai të bëhej pjesë e historisë së çlirimit të saj.

Me përhapjen dhe zgjerimin e luftimeve, gjendja për shqiptarët në Kosovë, sa vinte e përkeqësohej, ndaj duke parë gjithë barbaritë që serbët kryenin mbi vëllezërit e tij dardan, në shkurt të vitit 1999,Bilbil Breçani vendosi përfundimisht të angazhohet drejtpërsëdrejti në luftime kundër okupatorit, duke iu bashkuar në mënyrë vullnetare Brigadës së lavdishme 138 “Agim Ramadani” në Koshare.

Dëshira e tij për të shkelur i lirë në këtë pjesë të atdheut të përbashkët e vijimësi autoktonie të kombit shqiptar dhe dëbuar përgjithmonë çizmen e okupatorit serbo-sllave nga Dardania, falë luftës heroike të Brigadës 138 “Agim  Ramadani” dhe  kontributit të ushtarëve si Bilbili me shokë, përfundimisht u realizua.

Ai jo vetëm se bëhet pjesëmarrës i betejës heroike të Koshares bashkë me trimat e tjerë të luftës çlirimtare të dardanëve, por dhe ishte njëri nga ushtarët më të shkathët të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në kuadër të së cilës luftoi dhe veproi deri me rënien e tij tragjike, në minat e serbit, më 24 qershor të vitit 1999 në vendin e quajtur Shkoza e Molliqit në Koshare.

Sado që Bilbili u kishte mbijetuar të gjitha aksioneve luftarake në përballje të drejtpërdrejtë me armikun në frontet e të gjithë fushëbetejave dhe po i gëzohej pa masë lirisë dhe çlirimit përfundimtar të Kosovës, tanimë kur edhe ushtria dhe policia okupatore serbe kishin ikur kokulur nga Kosova, ai sikur të ishte shkruar nga vet qielli, do të bëhej theror i këtij çlirimi dhe binte në altarin e lirisë, në ditët e para të pas-dëbimit të hordhive pushtuese serbe nga tokat e bekuara të Kosovës.

Kështu që më 24 qershor të vitit 1999,kohë kur armiku serb, nuk ishte më fizikisht i pranishëm në Kosovë, ai do të nisej bashkë me disa shokë të Brigadës 138 “Agim Ramadani” për në vendin e quajtur Shkoza e Mulliqit në Koshare, për ti tërhequr trupat e vrarë të dy ushtarëve të UÇK-s, të rënë, pak ditë më parë në luftimet për dëbimin e okupatorit serb.

Por okupatori i cili nuk mendonte asgjë më tepër se sa vdekjen dhe vrasjen e sa më shumë shqiptarëve, duke e ditur se luftëtarët e Koshares, nuk do ti linin pa tërhequr trupat e shokëve të tyre, barbarët serb para se të iknin, kishin minuar rreth e rrotull, vendin ku ndodheshin trupat e vdekur të ushtarëve të UÇK-s..

Madje forcat kriminale të okupatorit serbo-sllav, minat  i kishin vendosur dhe kamufluar aq djallëzisht, sa që ishte pothuajse e pa mundur të hetoheshin pa detektor.

Mirëpo mu këtë mjet jetik, fatkeqësisht atë botë, ushtarët e UÇK-s, ende nuk e posedonin, ndaj me të arritur në vendin e ngjarjes, duke mos parë mbi tokë gjë të dyshimtë, gjatë përpjekjeve për të tërhequr trupat e bashkëluftëtarëve të vrarë, papritmas Bilbil Breçani nga Markajt e Malësisë së Gjakovës dhe Ali Fejzullahu nga Mitrovica bien në minat e vendosura nga okupatorët serb, duke mbetur të vdekur në vend, ndërsa shoku i tyre Isuf Molliqaj, i cili ishte bashkë me ta, plagoset rëndë.

Në ditët tragjike të rënies së tij në minat e barbarëve serb, Bilbili kishte shijuar vetëm 25 vite jete, ndaj vdiq i ri dhe meqenëse ishte ende i pamartuar, pas vetes nuk la as fëmijë.

Fillimisht ai u varros në vendlindjen e tij në Breçan të Malësisë e më vonë, u rivarros me nderime të larta ushtarake në Memorialin e Dëshmorëve dhe Heronjve të Kombit në Koshare.

Por ky nuk ishte nderimi i vetëm as i fundit që do ti bëhej trimit nga Malësia ,heroit Bilbil Breçanit!

Himnizimi me plot meritë, deri në piedestal i veprës dhe portretit të lavdishëm të këtij dëshmori të Kosovës dhe Shqipërisë, kulmoi më 2019, me rastin e 20 vjetorit të rënies së tij në altarin e lirisë.

Në manifestimin e mbajtur u kujtua me pietet të veçantë, koha kur nën tingujt e armëve të Brigadës heroike “Agim Ramadani”, këngëve fitimtare të luftëtarëve të saj trima dhe gjakut të derdhur të shqiptarëve nga të gjitha trojet tona etnike, u shkul përgjithmonë guri famëkeq i kufirit, përdhos e shqelmua pikësëpari nga vet udhëheqësi dhe krye-heroi i Brigadës 138, komandant “Katana”- Agim Ramadani, si dhe u shua përjetësisht ndarja ndërshqiptare e vendosur dhunshëm, për mese 80 vite me radhë, nga okupatori dhe armiku serbo-sllav, mbi trojet tona.

Shuarja e kufirit, nuk ishte më vetëm ëndërr si dikur, por realitet rrezatues gjithëkombëtar i përjetësuar edhe praktikisht në terren nga luftëtarët e Brigadës 138, në mesin e të cilëve kontribut të madh dhanë edhe Bylbyl Breçani me shokë.

Kishte ardhur koha, kur përfundimisht kufiri i huaj dhe flamuri i urryer i okupatorit serb, duhej të hiqeshin dhe zhdukeshin përgjithmonë, me çdo kusht dhe mënyrë nga kjo pjesë e atdheut, të cilët për rreth një shekull okupimi mizor, mbajtën përdhunshëm, të ndarë më dysh truallin tonë kombëtar dhe shuan qindra jetëra të pafajshme shqiptarësh nga të dy anët e vendit.

Ndaj historia e kombit dhe ajo e shtetit të ri të Kosovës, do ti kujtojë për jetë e mot, me pietetin më të lartë dhe shkruajë përjetësisht me germa të arta, emrat e dëshmorëve dhe heronjve më të shquar të lirisë, që nga Tahir Sinani, Bylbyl Breçani,Hazir Mala e shumë heronj e dëshmorë të tjerë nga të gjitha trojet etnike shqiptare, të cilët ranë burrërisht në altarin e lirisë dhe dhanë jetën e tyre të shtrenjtë, për çlirimin përfundimtar të Kosovës.

Me 27 mars të vitit 2004, Komisioni Qendror për Statusin e dëshmorëve, me vendimin nr. 23, shpalli Bilbil Breçanin “Dëshmorë të Atdheut”!

Po ashtu, në shenj nderimi të jetës dhe veprës së tij edhe shkolla fillore në fshatin e lindjes në Markaj të Malësisë së Gjakovës, mban emrin e heroit “Bilbil Breçani”!

Ndërsa Bashkia e qytetit Bajram Curri dhe Këshilli i Qarkut Kukës, në manifestimin e mbajtur më 4 qershor të vitit 2018, nderuan heroin Bylbyl Breçani me çmimin “Qytetar Nderi”!

Nderimet për Bilbilin vijuan edhe në vitin 2019 dhe në shenjë kujtimi të emrit dhe veprës së tij të ndritshme, si dhe 20 vjetorit të rënies së heroit në altarin e lirisë, në sallën UNESCO të Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë, nën patronatin e Kryeministrit të Kosovës, Z. Ramush Haradinaj,nga “Botimet Tropoja”, organizuan një Akademi Përkujtimore kushtuar dëshmorit Bylbyl Breçani–“Hero i Kosovës”, “Dëshmor i Shqipërisë dhe Kosovës”, si dhe “Qytetar Nderi” i Malësisë!.

Me këtë rast, në shenjë respekti e konsiderate të pafund, për luftën dhe kontributin e pashembullt të Bilbil Breçanit dhe gjithë Malësisë së Gjakovës, në kryengritjen e Kosovës për liri, kryeministri Ramush HARADINAJ, dekoroi Bilbil Breçanin me Medaljen “Gjergj Kastrioti–Skënderbeu”, që edhe është njëra nga vlerësimet më të larta të deritanishme, nga shteti i Kosovës për heroin, të cilit i mbetemi mirënjohës përjetësisht.

Madhështinë Akademisë në fjalë ia shtuan diskutimet me përmbajtje të përzgjedhura fjalimesh nga pjesmarrës të shquar shtetëror, komunal, ushtarak dhe politik si dhe recitimet e një numri të poezive kushtuar dëshmorit të Shqipërisë dhe Kosovës Bilbil Breçanit. Në punimet e kësaj Akademie, nga juria profesionale u ndanë edhe disa çmime e mirënjohje, dedikuar pjesmarrësve nga lëmi të ndryshme si dhe krijuesve nga vendi dhe diaspora për kontributin e tyre. 

Manifestimin e zbukuroi edhe më tepër, këngëtarja e mirënjohur dhe e afërmja e heroit të Malësisë, Fatmira Breçani me këngët dhe zërin e saj të mahnitshëm, kushtuar lirisë së Kosovës, e trimërive të Bilbilit, sku nuk mungoi as mallkimin ndaj “gurit të zi” që për mese një shekull ndau shqiptarët me kufi.

100 vjet o gur i zi

Na ndau zemrat me kufi

Me tingujt melankolik të këngëve të saj, ajo himnizoi edhe heroizmin e pashembullt të Brigadës së lavdishme 138, “Agim Ramadani”, si dhe veprën e ndritshme të luftëtarëve të saj më trima, si Bilbil Breçani me shokë, të cilët me luftën e tyre heroike dëbuan okupatorin serb dhe bënë copë e thërrime edhe gurin, për të çuar në vend flamurin

Copë e thërrime e bëri gurin

Në Prishtinë me çua Flamurin

Vepra e Bilbilit është edhe një dëshmi më tepër se të gjitha përpjekjet dhe flijimet e heronjve të vjetër dhe të rinj të kombit, u bënë jo për pushtimin e tokave të huaja, por për lirinë e vendit, çlirimin e trojeve tona autoktone dhe bashkimin kombëtar të shqiptarëve në shtetin unik të Shqipërisë Etnike.

Bilbili na bënë të kuptojmë edhe më mirë se shqiptarët, jo vetëm që kanë luftuar përherë bashkë dhe qëndruan gjithmonë si një trup i vetëm, por në të gjitha kohët dhe periudhat më të vështira të historisë sonë të lavdishme kombëtare, kudo që ata jetuan ishin dhe mbetën përjetësisht, një dhe të pa ndarë.

Falë luftës dhe gjakut të bijve të vet më të mirë, si dhe kontributit madhor të luftëtarëve trima si Bilbil Breçani me shokë, nga Shqipëria dhe të gjitha trojet tona kombëtare, tani edhe shteti i ri i Dardanisë së vjetër, frymon i lirë, për çka bashkë me banorët e vet, i nderon përjetësisht dhe u mbetet përgjithmonë mirënjohës të gjithë ushtarëve të atdheut dhe secilit të rënë veç e veç, ngado që ata ishin, për kontributin e pashembullt të tyre në luftën tonë për liri.

Sot të kënaqet shpirti, kur sheh se si në vend të kufirit të dikurshëm shqiptaro-shqiptar, të ngulitur dhunshëm nga pushtuesit barbar serb, qëndron përjetësisht krenar Flamuri kombëtar i Gjergj Kastriotit- Skënderbeut, krahas piedestalit të Përmendores së Lirisë dhe Memorialit madhështor të Heronjve e Dëshmorëve të Kombit të rënë për shuarjen e kufirit të vënë nga okupatorët  dhe çlirimin e Kosovës.

Akt që për të gjithë shqiptarët kudo, deri më 1999, vërtetë ishte vetëm ëndërr, ndërsa tani, për ne, kombin tonë në përgjithësi dhe mbarë botën demokratike, përjetësisht është shndërruar në realitet, ndaj shuarja e kufirit të huaj mbi trojet tona autoktone, me betejën e lavdishme të Koshares rrezaton kudo vetëm paqe e pozitivitet, si dhe grish kombëtarisht të gjithë shqiptarët pa dallim, për bashkim të përgjithshëm dhe të njëmendtë etnik, në një shtet autokton dhe të përbashkët kombëtar

Lavdi e përjetshme heroit Bilbil Breçani me shokë, si dhe të gjithë luftëtarëve të kombit të rënë për liri!

Gani Qarri