Nëse pjesa më e madhe Ballkanit sot është pjesë e Bashkimin Europian, dhe me këtë ka shpëtuar nga damka “Ballkan”, kjo i detyrohet rolit amerikan për ruajtjen e stabilitetit në Ballkan.
Është kjo pjesë e Ballkanit ku u zhvilluan luftrat ndëretnike pas rënies së komunizmit.Spastrimet e mëdha etnike që shoqëruan këto luftra, ishin gjithashtu tragjedi të Ballkanit Perëndimor. Është kjo pjesë e Ballkanit ku ngeci procesi i integrimit të plotë në Bashkimin Europian. Prandaj Ballkani Perëndimor është për Perëndimin, kuintesenca e Ballkanit.
Nuk mund të jetë rastësi pra që kjo pjesë e gadishullit mbetet si misioni i fundit, i pakryer i Perëndimit në Ballkan, kur është fjala për shndërrimin tërësor të vendeve të rajonit në atë mënyrë që të integrohen me sukses në strukturat euroatlantike, me finalizim anëtarësimin në NATO dhe Bashkimin Europian.
Në një artikull të botuar në 12 mars të këtij viti në revistën amerikane “The National Interest”, me autorë Frank Wisner, Amb. Cameron Munter dhe Marco Prelac e shtrojnë drejt dhe qartë problemin kur thonë:
“Vizioni i Europës, si ‘tërësi, e lirë, dhe në paqe’ ka një kënd të papërfunduar, të cilin ne tani e quajmë Ballkani Perëndimor, më parë i njohur si Jugosllavia, para se vendi të shpërbëhej nga lufta, spastrimi etnik dhe genocide
Për arsye të tjera nga vendet e ish-Jugosllavisë, në këtë kënd të papërfunduar të Europës së bashkuar, bën pjesë edhe Shqipëria.
Kur shihet gjendja e sotme në Ballkanin Perëndimor, duhet të kihet parasysh se ky rajon do të ishte në gjendje shumë më të keqe se ç’ është sot pa angazhimin e mëparshëm amerikan në këtë pjesë të Ballkanit. Angazhimi ushtarak amerikan për ndalimin e konflikteve etnike në Ballkan pas vitit 1990, ka qenë i gjithi i orientuar në Ballkanin Perëndimor, ku zhvilloheshin këto konflikte. Bosnjë-Herzegovina, Kosova, Maqedonia janë në Ballkanin Perëndimor. Fushata ajrore e NATO-s ndaj Serbisë ndodhi në Ballkanin Perëndimor. Kjo është pjesa e angazhimit amerikan në Ballkanin Perëndimor, para se të flitej zyrtarisht për Ballkan Perëndimor.

Angazhimi amerikan në Ballkanin Perëndimor ka qenë dhe është në aspektin politik, ushtarak, ekonomik, humanitar etj. Investimi më i madh amerikan në Ballkanin Perëndimor dhe në Ballkan në tërësi, ka qenë ai për stabilitetin dhe sigurinë e këtij rajoni. Pa ndërhyrjen ushtarake amerikane, nuk do të kishte ndërprerje të konflikteve etnike në këtë rajon dhe rajoni do të vazhdonte të ishte i destabilizuar. Por investimi amerikan shkon përtej kësaj. Me anëtarësimin në NATO të vendeve të Ballkanit Perëndimor, që e dëshiruan këtë gjë, Shqipërisë, Kroacisë, Malit të Zi, Maqedonisë, si dhe me praninë e KFOR në Kosovë dhe të forcave ndërkombëtare paqeruajtëse në Bosnjë-Herzegovinë, u sigurua stabiliteti afatgjatë në rajon, edhe pas përfundimit të luftrave etnike. Këtu duhet shënuar se Kosova e do anëtarësimin në NATO, ashtu si dhe pjesa boshnjake dhe kroate e Bosnjë-Herzegovinës. Refuzimi i Serbisë për të hyrë në NATO mbetet një faktor jostabiliteti në rajon.
SHBA, që nga fillimi i angazhimit të tyre transformues në Ballkan pas Luftës së Ftohtë, e deri te angazhimi i sotëm në Ballkanin Perëndimor, janë përpjekur të arrijnë një marrëveshje për ndarje detyrash me Bashkimin Europian sa i përket Ballkanit Perëndimor. Kështu, SHBA mbajnë peshën kryesore angazhimit të Perëndimit për sigurinë në rajon, duke u përfshirë këtu që nga ndërhyrjet e drejtpërdrejta ushtarake deri te angazhimi amerikan për ndërtimin e institucioneve që në një mënyrë ose në një tjetër kanë lidhje me sigurinë e një vendi. Në këtë kuadër, SHBA angazhohen për sundimin e ligjit, qeverisjen e mirë, zhvillimin e shoqërisë civile me theks dialogun ndëretnik dhe ndërfetar. Për të gjitha këto financime.
Është tregues i etikës ndërkombëtare amerikane, që e bën të barazvlefshëm interesin amerikan me konceptin e një bamirësie globale, në interes të lirisë, stabilitetit dhe demokracisë, që SHBA nuk e përkthen në shifra të përgjithshme financiare këtë kontribut amerikan për rajonin për të cilin po flasim, apo edhe për pjesë të tjera të botës. Sigurisht, kemi raportet e USAID me shifra financiare të ndihmës amerikane, por aty tregohet veç një pjesë e kësaj ndihme. . Në këtë kuptim, roli amerikan në Ballkanin Perëndimor, mbetet ende për t’ u studiuar sa i përket kontributit të këtij vendi të madh për këtë zonë dhe kjo vlen edhe për Shqipërinë, si pjesë e saj.
Në angazhimin e tyre në Ballkan, në tërësi dhe në Ballkanin Perëndimor në veçanti SHBA janë vetëpërmbajtur në ndërhyrjen e tyre, dhe ndonjëherë janë vonuar, për arsye se kanë pasur kujdes mos cënojnë ndjenjën e Europës se mund t’ i zgjidhë vetë problemet në “oborrin” e saj, siç është Ballkani. SHBA janë përpjekur që roli i tyre të mos duket si roli i tutorit gjeopolitik të Europës në Ballkan. Mentaliteti se problemet ballkanike mund të zgjidhen nga Europa, pa pasur nevojë për ndërhyrjen amerikane ka qenë dhe është i fortë në nivelet e larta të politikës europiane dhe ka si moto shprehjen e famshmet të ish-ministrit të punëve të jashtme të Luksemburgut, Jacques Poos, i cili në vitin 1991, duke shkuar me mision si i dërguar i Bashkimit Europian në Jugosllavi për ndalimin e luftës që sapo kishte nisur atje, tha: “Erdhi ora e Europës!”
Që me daljen e Ballkanit nga “frigoriferi” i Luftës së Ftohtë në pjesën perëndimore të tij, në Jugosllavi, ku ishte kuintesenca e Ballkanit, konfliktet historike të ringjallura kishin precipituar në luftë, kjo ishte një gjë që nuk donin ta besonin në Bruksel dhe në kryeqytetet e Bashkimit Europian. Ora e Europës kishte ardhur, por jo për aksion për ndalimin e konflikteve etnike, por për të dënuar me fjalë të këqijat e Ballkanit, luftrat etnike dhe spastrimet etnike që i shoqëronin ato.
Tanimë dihet se si përfundoi ky angazhim ekskluzivisht europian në Ballkan, i nxitur nga vetëbesimi i tepruar, që kishte ardhur nga mentaliteti “Poos”. Ndërhyrja ekskluzive europiane në luftën në ish-Jugosllavi ishte një disfatë e plotë. Por pavarësisht këtij mësimi historik, mentaliteti “Poos” mbetet akoma shumë i fortë në rrethet e larta të Bashkimit Europian. Një provë për këtë na e jep Komisionieri i Bashkimit Europian për Politikën e Fqinjësisë dhe Zgjerimit, Johannes Hahn, i cili në prill të këtij viti ishte për një vizitë në Uashington për të diskutuar me zyrtarët amerikanë tre tema: Ukrainën, Lindjen e Mesme dhe Ballkanin Perëndimor. Sa i përket Ballkanit Perëndimor, Z. Hahn i deklaroi medias amerikane se:
“Ballkani Perëndimor gjendet në një tjetër situatë tani. Në luftrat e viteve 90 dhe në periudhën pas tyre, në vendin e shoferit në rajon ishte Uashingtoni, jo Brukseli. Sot e kundërta është e vërtetë. SHBA e mbështet shumë Bashkimin Europian në rajon dhe çështjet që kanë të bëjnë me rajonin. Unë mendoj se ata janë shumë të lumtur që në ditët e sotme ne kemi drejtimin në rajon .
I pyetur nëse tërheqja e SHBA nga lidershipi i angazhimit ndërkombëtar në Ballkanin Perëndimor mund të sjellë destabilitet, Komisioneri Hahn, mandati i të cilit merr fund para fundit të këtij viti, tha:
“Është një lloj kthimi i heshtur në normalitet. Këtu duhet patur parasysh se 75% e tregtisë nga rajoni e për në rajon vjen nga shtetet anëtare të Bashkimit Europian. Ajo që është- le të themi rutina e përditshme, që ne po kujdesemi për situatën, në një farë mënyre është një reagim ndaj situatës në terren.”
Komisioneri Hahn shtoi se SHBA vështirë se kanë ndonjë interes ekonomik në Ballkanin Perëndimor. Ai më tej tha se”
“SHBA ka udhëhequr më parë në rajon për shkak të ndërhyrjes së NATO-s. Por situate ka ndryshuar. Në i shikojmë gjërat në një pikëpamje afatgjatë, ka progress në rajon. Për shembull, në ditët e sotme, nëse ka në terren, fjala vjen mes Serbisë dhe Kosovës, disa përplasje, në të shkuarën të tilla do të kishin sjellë fare lehtë përdorimin e dhunës. Sot liderët i telefonojnë njëri-tjetrit.”
Kur dëgjon fjalët e mësipërme të Komisionerit shumë të nderuar Hahn, i cili nuk është aspak një antiamerikan, por një europeist entuziast, studiuesi nuk mund të mos bëjë pyetjen: A mos erdhi koha që realiteti t’ u japë të drejtë njerëzve me mentalitetin “Poos” në Bruksel dhe në kryeqytetet e vendeve të Bashkimit Europian?
Por në realitet udhëheqja europiane në Ballkanin Perëndimor mbetet akoma një utopi dhe faktet tregojnë se çdo proces ku SHBA nuk ushtrojnë një rol vendimtar ka ngecur ose ka prirjen që të ngecë herët a vonë. Për këtë arsye SHBA emëruan kohët e fundit një të dërguar të posaçëm për Ballkanin Perëndimor, për të zhbllokuar proceset e ngecura dhe për të garantuar moskthimin pas të atyre tanimë të finalizuara.
Marrëveshja e Prespës mes FYROM dhe Greqisë për çështjen e emrit, që bëri të mundur zgjidhjen e një krize të gjatë ballkanike, pati udhëheqjen amerikane gjatë procesit dhe mbetet në fuqi në sajë të garancisë amerikane që e ndalon qeverinë e re konservatore greke të z. Micotakis, që të mbajë premtimin zgjedhor për ta anuluar marrëveshjen me të marrë pushtetin. Aq më tepër që edhe në Maqedoninë e Veriut janë akoma të fuqishme forcat që do të donin kthimin pas të procesit dhe anuliminin e marrëveshjes gjë për të cilën ka edhe një mbështetje të fuqishme ruse.
Është e vërtetë se në marrëdhëniet e Kosovës me Serbinë janë bërë përparime, ndonëse situate nuk është edhe aq rozë sa e thotë z. Hahn. Dhe nëse palët nuk shkojnë më në konflikte si në të shkuarën kjo ndodh sepse e dinë që veprimet e tyre të pakontrolluara do të kenë si reagim ndërhyrjen energjike amerikane, jo se u tremben kritikave në një masë të madhe filozofike politike, që do t’ u vijnë nga Brukseli. Procesi i normalizmit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, i nisur me bujë të madhe në Bruksel, tanimë ka ngecur dhe ka nevojë për një të dërguar të posaçëm amerikan për marrëdhëniet Serbi-Kosovë, i emëruar së fundmi, që ky process të mund të ecë përpara.
Në Mal të Zi është akoma i fuqishëm ai krah që kundërshton anëtarësimin e vendit në NATO dhe që ka mbështetjen e Rusisë. Pa mbështetjen amerikane ndaj forcave properëndimore në Podgoricë, këto të fundit vështirë se mund të mbahen në pushtet, aq më tepër kur realiteti ka treguar se kundërshtarët e tyre nuk ndalen para asgjëje për të përmbysur gjendjen ekzistuese, duke përfshirë edhe dhunën. Vështirë se këto forca të errëta në Mal të Zi, do të ndalen nga kritikat e ardhura nga Brukseli nëse nuk do të ekzistojë perspektiva e ndërhyrjes amerikane kundër tyre.
Në Bosnjë dhe Herzegovinë, përpjekjet për shpërbërjen e federatës, nga ana e Republikës Serbe, shpesh të mbështetura edhe nga Beogradi, deri tani janë ndalur jo nga kritikat e Brukselit, por nga paralajmërimet amerikane, që kanë si perspektivë ndërhyrjen e NATO-s për mbrojtjen e arritjeve të Marrëveshjes së Dayton-it.

Roli i SHBA në Ballkanin Perëndimor është i pazëvendësueshëm sa i përket përballimit të influencës së Rusisë dhe të Kinës. Në mungesë të faktorit amerikan, BE nuk do të ketë fuqi të përballojë presionin e faktorit rus dhe kinez në Ballkanin Perëndimor. E njëjta gjë mund të thuhet dhe për ndikimet ekstremiste që vijnë në rajon nga Lindja e Mesme. Gjithashtu, agjencitë ligjzbatuese amerikane janë të domosdoshme në rajon për luftën kundër krimit të organizuar, sidomos për luftën kundër trafikut të narkotikëve.

Kur flitet për rolin amerikan në rajon, Shqipëria ka një dallim pozitiv në raport me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, me përjashtim të Kosovës. Si në Shqipëri, ashtu dhe në Kosovë, të gjitha palët e politikës janë të një mendjeje sa i përket domosdoshmërisë së rolit të posaçëm amerikan në vend dhe në rajon. Në Shqipëri nuk ka asnjë forcë, sadopak të rëndësishme politike, që të kërkojë ndalimin e ushtrimit të këtij roli nga ana e SHBA në vend dhe në rajon.
Në fund, e gjej të nevojshme të konstatoj se SHBA e ushtrojnë rolin e tyre në rajonin me kujdesin maksimal për të respektuar ligjet kushtetuese të vendeve përkatëse, dhe këtu flas para së gjithash për Shqipërinë, duke ndërhyrë atëherë kur është kërkuar ndihmë dhe asistencë, jo duke e imponuar këtë gjë. Ajo që mund të shihet si ndërhyrje amerikane në punët e brendshme të vendit, është në fakt një përgjigje e kërkesave zyrtare të të gjitha qeverive të pas vitit 1990 në Shqipëri për ndihmë dhe asistencë amerikane për ndërtimin dhe funksionimin e demokracisë dhe të shtetit të së drejtës në Shqipëri. Kësaj kërkese SHBA i janë përgjigjur me angazhimin e tyre, duke u treguar të ashpër me politikanët hileqarë, jo me popullin shqiptar që në fund të fundit ka qenë viktimë e këtyre politikanëve. Prandaj dhe angazhimi amerikan ka qenë dhe mbetet i mirëpritur me sinqeritet nga populli shqiptar, edhe atëherë kur politikanët nxjerrin pengesa të çdo lloji, por që në të vërtetë kanë si arsye rrezikun që ndjejnë politikanët tanë se institucionet që po ndërtohen me mbështetjen amerikane do t’ u heqin atyre mundësinë që këtej e tutje të keqpërdorin pushtetin e tyre.
Ballkani Perëndimor përveçse një hapësirë është edhe një fazë në kohë, është një nga fazat e kalimit të vendeve të këtij rajoni nga Ballkani për në Bashkimin Europian. Në vitin 2015, Presidentja e Kroacisë Kolinda Grabar-Kitaroviç u sugjeroi vendeve të Ballkanit Perëndimor që termi “Ballkan Perëndimor” të hiqej nga qarkullimi dhe në vend të tij të përdorej termi “Europë Juglindore”.
Ky propozim interesant vinte jo rastësisht nga lideri i një vendi që me hyrjen në BE, tanimë kishte dalë nga “Ballkani Perëndimor”, si term i përdorur me kuptim të keq gjeopolitik. Por kalimi nga “Ballkani Perëndimor” në “Europë Juglindore” nuk është thjesht çështje ndryshimi termash. Nëse do të kishte qenë kështu, atëherë do të kishte pasur sukses projekti optimist perëndimor i integrimit en block të “Europës Juglindore” i vitit 1999. Por ky projekt dështoi sepse realiteti i rajonit ishte i mbushur me një problematikë të pazgjidhshme për një kohë të shkurtër. Pikërisht sepse u bë e qartë që një pjesë e Ballkanit nuk do të ishte gati edhe për një kohë të gjatë që të integrohej në BE, dhe ky problem nuk mund të mbulohej me termin “Europë Juglindore”, doli në qarkullim termi “Ballkan Perëndimor”, për këtë pjesë të rajonit.

Ndarja e vendeve të rajonit me këtë emërtim nuk do të jetë një gjë e lehtë dhe do të kërkojë kohë. Se sa do të zgjatë kjo periudhë kohe këtë do ta përcaktojnë vetë vendet e rajonit, të cilët në këtë periudhë duhet të fitojnë secili sfidën e përgatitjes për anëtarësim në BE. Me partneritetin me SHBA, si garanci e stabilitetit dhe sigurisë rajonale, vendet e rajonit do ta kenë më të lehtë për ta fituar këtë sfidë.
____________
Ligjerata e shkurtuar mbajtur në konferencën “Roli i SHBA në Ballkanin Perendimore”
organizuar nga Universiteti Mesdhetar më dt 28, 29 Tetor, Tiranë, 2019