Ballina Aktualitet Gjakovë, përqafoje zhvillimin që e meriton, Kosovë mbaje Gjakovën që të përket...

Gjakovë, përqafoje zhvillimin që e meriton, Kosovë mbaje Gjakovën që të përket ! – Nga Ardian GJINI – kryetar i komunës së Gjakovës

Sot në Gjakovë i filluam edhe 12 kilometra rrugë. 44 kilometra i kemi shtruar në vitin 2018, ndërsa sivjet shtrojmë më shumë se dyfish më tepër. Po, asfalt. Por deri në vitin 2021 do të kryhen pothuajse të gjitha rrugët në komunën tonë. Atëherë nuk do të flasim më për rrugë të reja. Deri sa t’i heqim qytetarët tanë nga balta do të shtrojmë rrugë.

Ndërkohë, po punojmë në Shetitoren e lumit Krena, një projekt gjigant, që do ta ndryshojë plotësisht fytyrën e Gjakovës.

Po punojmë në ngrohjet dhe nyjet sanitare nëpër shkollat e komunës sonë.

Po punojmë në pallat të kulturës në Rogovë e në qytet.

Pjesa kryesore e kanalizimeve është kryer për 4 muaj.

Për pak muaj edhe 32 fshatra do të lidhen me ujë të pijshëm.

Po punohet në hyrje daljet e qytetit, pa kredi.

Më në fund po punohet edhe në ndriçimin dhe rehabilitimin e ambientit përrreth urave tona, të Terzive, të Tabakve dhe të urës së Fshajit. Urat më të mrekullueshme në Ballkan.

Projekti i Amfiteatrit “Fadil Hoxha” (eshtnorja) ka përfunduar dhe punimet nisin shpejt.

Edhe projekti i sanimit definitiv të rrugëve me kubëza të Çarshisë së Vjetër nis shpejt. Edhe ai i Rrugës “Nënë Tereza”.

Po punojmë në pikën turistike në lumin Erenik dhe në Parkun e qytetit.

Rruga për Maje të Kunorës është e hapur dhe për pak kohë e nisim edhe rrugën e Radoniqit.

Tranziti i ri dhe vazhdimi 2.8 km i Rrugës “Bujar Roka” janë prokuruar dhe nisin shpejt.

Salla “Teki Dervishi” e bibliotekës së qytetit është prokuruar.

Parku Kulturor “Ali Podrimja” është rritur dhe adoptuar në mënyrë të mrekullueshme. Shpejt do të lidhet me Shetitoren e lumit Krena.

Pothuajse nuk ka fshat (nga 88 sosh) as lagje të komunës së Gjakoves ku nuk punohet.

Përderisa në vitin 2017 komuna ka prokuruar 5 milionë Euro, sivjet arrijmë afër 30 milionë. Kjo është rritje prej 600%.

Të Hyrat Vetanake janë rritur. Në vitin 2018 kemi arritur në 117% të planifikimit, ndërsa sivjet po e tejkalojmë edhe këtë shifër.

Komuna e Gjakovës është ndër komunat prijëse në transparençë dhe mirëmbajtje të mjedisit.

Po punohet intensivisht në zgjerimin e rrugës për Klinë, ndërsa zona Ekonomike Kosovaro-Amerikane nis shpejt, ky projekt hap kapitull të ri shekullor për gjithë zonën.

Me dhjetëra projekte të tjera po zhvillohen.

Asnjëherë në histori të vet Gjakova nuk ka parë zhvillim dhe investime të kësaj përmase vetëm brenda dy viteve.

Investimet private janë rritur 300 % vetëm për 18 muaj. Shihni përrreth, nuk ka nevojë për komente të tjera.

Gjakova po del në kapitull të ri, e ky kapitull do tē jetë i mrekullueshëm edhe për qytetarët e komunës së Gjakovë edhe për gjithë Kosovën.

Një nga potencialet më të mëdha të Kosovës po del nga letargjia. Kjo nuk i bën dëm askujt, përkundrazi, i jep energji gjithë vendit.

Është më se e kuptueshme se punët publike dhe ndryshimet shkaktojnë edhe pakënaqësi, edhe pluhur edhe ngecje në trafik, dhe po ashtu nxisin edhe kundërshtarë të ideve të ndryshme. Të gjitha janë të kuptueshme.

Por duhet kuptuar poashtu se investimet që do kenë ndikim edhe për shumë gjeneratat që vijnë, për dhjetëra e qindra vite, e kanë një kosto; pluhurin, ngecjet në trafik dhe debatin për shije, të paktën për një kohë.

Ejani në Gjakovë dhe shijojeni një copë të mrekullueshme të Kosovës!

Gjakovë, përqafoje zhvillimin që e meriton!

Kosovë mbaje Gjakovën që të përket!

Gjakovë, 8 korrik 2019

_________________

Titulli redaksional, pasi ai në original titullohet: “Gjakova e mrekullueshme e Kosovës dhe e gjithë Shqiptarisë”.