Ali Rrustem (HOXHA) GASHI do të nderohet në mënyrë dinjitoze nga Malësia e Gjakovës, pasi do të prehet përjetësisht në votrën ku lindi dhe u rritë ky personalitet i shquar, “lulja e ajka” e Djelmnisë së saj, i cili prej vitit 1943 prehet në tokën e Kosovës dardane për të cilën kontribuoi ma së shumti që të mos futej nën thundrën e shkaut (të serbëve e malazezëve).

Me ketë rast, me inisiativën e Shoqatës Mbarëkombëtare “Bytyçi”, Tiranë-Prizren, në bashkëpunim me Vllazninë e Hoxhajve të Gashit, e të mbështetur dhe nga Bashkia Tropojë, do të organizohet një Akademi solemne, përkujtimore, shkencore për këtë patriot të rrallë, intelektual të njohur, që për veprimtarinë e tij është vlerësuar në Kosovë deri në adhurim, ndërsa në vendlindjen e tij, për shkaqe të kohërave, ka munguar informacioni i domosdoshëm për njohjen e përmasave të jetës e veprës së tij patriotike. Shoqata “Bytyçi” në këtë drejtim ka ba një punë të mirë me disa publikime në gazetën “Bytyçi’, në rrjetet sociale, në institucione zyrtare të Shqipërisë e Kosovës, etj. si dëshmor i mbrojtjes së kufijve etnikë të Shqipërisë, i vrarë pabesisht nga armiqtë e Shqipërisë Natyrale në kohën e Luftës së Dytë Botërore. Kosova e ka kujtuar, vlerësuar e nderuar në odat e burrave, në disa veprimtari të ndryshme, në këngë si ajo e kënduar nga Qamili i Vogël e që sot e këndojnë Vëllezërit Gashi, me shkrime si nga prof. dr. Hakif Bajrami e të tjerë.

            Nismen për Akademinë Përkujtimore Shkencore e kanë mirëpritë me angazhimet e tyre: Asllan Istrefi, historian nga Mitrovica, do të mbajë një kumtesë, i cili prej nga viti 2018 mori përsipër që të përkthejnë disa dokumenta nga serbo-kroatishtja, të siguruara prej tij. Një kumtesë do të mbajë edhe prof. dr. Hakif Bajrami, historian i njohur. Edhe dr. Islam Lauka, ambasadori i parë i Shqipërisë në Kosovë, ka marrë përsipër të hulumtojë rreth kësaj figure historike. Do të referojnë dhe kryetari Shoqatës “Bytyçi”, av. Agron Gjedia. Është siguruar dhe përkrahja e kryetarit të Shoqatës së Historianëve “Ali Hadri” të Deçanit, z. Selim Loka. Gjithashtu, në këtë akademi, do të sjellin kujtimet e përjetimet e tij edhe Ali Rrustem Mulaj-“Mjeshtër i Madh”.

Av. Agron Isa Gjedia dhe Shpend Cen Hoxha, në vijim të përgaditjeve për këto aktivitete për Ali Rrustem (Hoxha) Gashi, ishin këto ditë në Kosovë, si në Gjakovë, Prishtinë, etj., ku morën takime e angazhime pune dhe nga Drejtori i Arkivit të Kosovës, MA. Ruzhdi Panxha, Instituti i Historisë në Prishtinë si historianët e periduhës së luftës si Mrika Limani-Myrtaj, dr. Alban Dobruna, etj.

Në Akademinë solemne, përkujtimore, shkencore, do të ketë referat, kumtesa, përjetime (kujtime), përshendetje nga Vllaznia e Hoxhajve të Gashit, fjalë nga familjarët, etj.; do të hapet edhe një ekspozitë fotografike, do të ketë këngë, etj. Do të punohet që të ketë dhe botime, një dokumentar, etj.

Malësia e Gjakovës, edhe në këtë rast, edhe me këto veprimtari, do të japin shembullin në vlerësimin e nderimin e figurave të saj historike. (Shkëlzen Ujeza)

 

Tiranë, 30.10.2019