Në gazetën “Tropoja” (nëntor, dhjetor 2018), studiuesi i vnjeshëm dhe i plleshëm, miku im, Ibrahim Kadri Malaj, na ka dhënë një pasqyrë bukur të mirë për bajrakët e Tropojës (Malësisë së Gjakovës a Malësisë së Vogël). Sipas tij, pas shek. XVII territori i Malësisë së Vogël qe ndarë nga pushtuesi osman në shtatë bajrakë, të cilët nuk janë krijuar njëherësh:

  • Bajraku i Ptyqit
  • Bajraku i Bujanit
  • Bajraku i Dragobisë
  • Bajraku i Gashit
  • Bajraku i Shipshanit
  • Bajraku i Nikaj
  • Bajraku i Merturit

Por sipas një burimi gojor qëmtuar në Viçidol (prill 1983) prej Zeqir Halilit, vj. 91, edhe Berisha e Tropojës ka pasur bajrakun e vet. Në bashkëbisedim me tw ka qenë i pranishëm edhe shoqëruesi im, juristi i ndjerë shipshanas, Mehmet Baçaj. Në kujtim të atij burri të nderuar, i cili na priti me bujari në kullën e tij dhe për t’i shërbyer, ndoshta, një të vërtete historike, po sjell këtu të dhënat që pata shënuar prej tij.

“Përpara se të vinin të parët e Berishës së Tropojës aty ku janë sot, në Malësi qenë Mara e Vuniçit, Berbati (midis Tropojës e Kasaj), Kojeli (Berishë e Merturit). Tedeli i Berishës së Tropojës është në Pukë (Në Iballë kanë qenë dy vëllazni: Berisha e Merturit dhe Berisha e Alshiqes. Kojeli vinte nga Berisha e Merturit, Berisha e Tropojës – nga Berisha e Alshiqes).

Sipas po kësaj gojëdhëne, të parët e Berishës së Tropojës u larguan nga Puka, pse vendi atje paska qenë shpatinë dhe i vështirë për jetesë. Ata lanë trojet dhe erdhën e zunë vend në luginën e Tropojës. Këtu gjetën Kojelin, edhe ky Berishë, po e Merturit.

Të ardhurit – thuhet – qenë tre vëllezër. Këtu jetesa më e  mirë se në Pukë, po toka ligatinë dhe e pamjaftueshmë për gjallnim, prandaj dy vëllezërit e mëdhenj, dikuri, vendosin të largohen prej aty. Në fillim vendosen në Babaj të Bokës dhe jetojnë për do kohë. Po edhe këtu (në Babaj) gjallnesa u vështirësua, pse vend i thatë, prandaj vëllau i madh (pasardhësit e tij) e lënë edhe atë vend e shkojnë e vendosen në Pozharë të Rekës. I vogli nuk lëvizi, mbet në Tropojë.

Me kalimin e kohës pasardhësit e këtyre tre vëllezërve u shumuan, krijuan vëllazni e katunde: Pasardhësit e vëllaut të madh në Pozharë u bënë 80 shtëpi, pasardhësit e të ndërmjemit në Babaj të Bokës – 60 shtëpi dhe ata të të Voglit në Tropojë – 40 shtëpi.

Berisha e Tropojës ndahet në tri barqe: Pápaj, Isufmemaj dhe Halilaj.

Berisha dhe Kojeli– po sipas Zeqir Halilit – kanë pasur bajrakun e tyre: bajrakun e Kojelit, por këte nuk e kanë shënuar studiuesit e Malësisë së Vogël. Bajraktari i fundit i Kojelit paska qenë Rexhep Arifi, por ky para 60-70 vjetësh (duke u nisur nga viti 1983) është larguar e vendosur në Gjakovë. Kështu Berisha e Tropojës (edhe Kojeli) mbetën pa bajraktar dhe pa bajrak dhe iu bashkëngjitën Shipshanit, pse “nip bije”.

Bajraku i Kojelit mblidhej në Zall të Tropojës. Ky bajrak, si tërë bajrakët e Malësisë, qeverisej nga shtëpitë oxhak (a shtëpi guri), por cilat ishin ato nuk i dimë, sepse nuk e patëm pyetur të ndjerin Zeqir Halili. Po ashtu, këto shtëpi nuk i ka shënuar as miku im në gazetën “Tropoja”.

Potera në bajrakun e Kojelit (Berishës)– po sipas Zeqir Halilit – jepej me pesë pushkë, gjashtë herë allti ose dy kobure.

Bajraktari i Kojelit ka pasë gjashtë otobashë, trima për të ruajtur bajrakun (flamurin).

I pari i fukarasë në Bajrakun e Kojelit paska qenë i Marvataj (Viçidol) dhe nufatë një i shtëpisë së bajraktarit (nufatë – burrë i fortë që garantonte martesat).

Sipas Z. Halilit– dy Berishat (e Tropojës dhe e Brigjeve– e Radogoshit) janë të një tedeli, ardhur nga Merturi i Pukës”.

I dhash këto shënime që studiuesit e Malësisë t’i kenë parasysh në punimet e tyre. Ata, si vendës, kanë mundësi të thellojnë kërkimet dhe të nxjerrin në dritë të vërtetën për bajrakun e tetë.

Ky është dhe qëllimi i këtij shkrimi.

Pyes:“Sa bajrakë ka pasë Malësia e Vogël (e Gjakovës), shtatë apo tetë?”

 

Tiranë, janar 2019