Hysen Papa, njeriu i palodhur i punës. Jetoi aq sa punoi. Jetëgjatësia e çdonjërit nga ne llogaritet jo nga vitet, por nga puna.
Vitet 1970-1978 në Tropojë e themi me plot gojë: Janë epoka e Hysen Papës. Çdo moshë ka një epope. Për njeriun epope e shkëlqyer është ajo e punës. Bajram Curri, një fshat (nuk mund të quhej qytet në vitin 1970) mori pamjen dhe funksionin e një qyteti të vërtetë në vitet 1970-1978. Tropojanët iu kthyen punës në këto vite: ndërtuan hidrocentralin gjigand të Fierzës, fabrika dhe linja të reja përpunuese, pallate shumëkatëshe, shkolla, spitale, rezervuarë të mëdhenj, kanale ujitëse dhe kulluese, mbollën plantacione të mëdha me kumbulla mollë, rrush, arra, duke e hijeshuar edhe më shumë natyrën e bukur të Tropojës. Zbuluan vendburime të reja minerale: krom, bokside, kuarc etj. U dyfishuan prodhimet në bujqësi e blegtori, u katërfishuan eksportet, prodhimtaria në pemëtari, perime e përpunimin e frutave dhe të gështenjës.
Hysen Papa– eci me hap të sigurtë si drejtuesi kryesor në rrethin e Tropojës në vitet 1970-1978, sepse i përmbushi pritshmëritë e komunitetit të kësaj krahine, mbajti fjalën e dhënë dhe fitoi besimin e tyre.
Servantes thotë se talentet kanë biografitë më të shkurtëra. Kjo fjalë e mençur e këtij njeriu të madh më sjell ndër mend Hysen Papën– drejtuesin e talentuar e të përkushtuar në shërbim të njerëzve.
Hysen Papa- drejtues me vizion që punoi për dekadat e së ardhmes. Është kjo arsyeja që sot kujtohet dhe nderohet me respekt.
Hysen Papa- drejtuesi i mençur, i guximshëm dhe i vendosur për të realizuar qëllime e vepra të mëdha. Orator i pashoq që i bëri për vete njerëzit, atje ku punoi e drejtoi.
Dr. Skënder DEMALIAJ
Shef i Departamentit të Shkencave Politike në Universitetin Mesdhetar të Shqipërisë
Tiranë, qershor 2019