Nga e djathta: H.Hasa e M.Gecaj (Tiranë, 26 shtator 2019)

1.

Nuk është hera e parë, që shkruaj e përpiqem të evidentoj, sadopak,  para lexuesve tanë punën e palodhur: atdhetare, kulturore e letraare, të bashkatdhetarit tonë, Hys Xhemali Hasa, me origjinë nga rrethi i Kukësit, ish-ushtarak i lartë dhe tash sa vjet me banim, familjarisht, në Filadelfia të Amerikës.

Jo në pak raste, me shumicë janë bashkatdhetaarët tanë, që emigrojnë jashtë në moshën  e pensionit dhe atje e kalojnë jetën në pasivite! Pra, nuk bëjnë pjesë në shoqata të ndryshme e të aktivizohen aty, por as ulen të shkruajnë diçka, në shtyp ose në Internet. Ndërsa janë me numër të pakët ata, që kohën e çmuar nuk e kalojnë kot, por ulen e shkruajnë. Edhe pse nuk kanë qenë shkrimtarë ose publicistë, jeta në emigracion, me mallin e pashuar për Atdheun, për traditat e çmuara të vendlindjes, i bëjnë që t’i futen një rruge të pashkelur më parë.

Në rastin konkrat, e kemi fjalën për bashkatdhetarin tonë të nderuar, Hys Xhemali Hasa. Çdo vit, sidomos në muajt e verës e të vjeshtës, ai rikthehet në Shqipëri. Dhe jo me çantën e zakonshme në krah, por që ka brenda një pasuri të paçmuar: Libra…Ata janë prodhim i mendjes e dorës së tij të palodhur. Pasi ka mbledhur dëshmi, të dhëna e dokumente të shumtë, ka biseduar e marrë kujtime nga bashkëkrahinas të moshave të ndryshme, me banim në kryeqytet ose në qarkun e Kukësit, kur kthehet në Filadelfia, ulet e punon me vullnet, pasion e ngulm. Bën sistemimin e materialeve të mbledhura dhe pastaj shkruan, për fakte e ngjarje historike, për traditat atdhetare e kulturore të krahinës, për njerëz të mendjes e të pushkës në mbrojtje të pavarësisë e lirisë së Atdheut. Ndërsa, kur shkrimet e tij i ka “krehur” mirë e mirë, i dërgon në shtyp për botim, si libra.

Edhe më parë është publikuar një listë e gjatë, me 14 libra voluminozë, të cilët i ka shkruar e botuar autori Hys Xhemali Hasa. Duke kërkuar mirëkuptimin e lexuesve, si montim në foto, atë po e ribotoj më poshtë:

Kapakë të 14 librave, me autor Hys Xhemali Hasa…

2.

Hys Xhamali Hasa u rikthye nga Filadelfia, në Shqipëri, edhe në muajt shtator-tetor 2019. Një lexues i vëmendshëm, sidomos në faqet e Internetit ose te shtypit, ka vërejtur se ai ka shkruar vazhdimisht e vijon të shkruajë për bashkëkrahinasit e tij, të periudhave e moshave të ndryshme. Të gjitha shkrimet i ilustron me foto të bukura e të rralla. Pastaj, ky “brumë” i shërben për të hartuar librat e tij.

Nga një njoftim i publikuar, jemi njohur edhe  me një veprimtari të bukur, për përurimin e 2 librave të rinj të  këtij autori. Tubimi u organizua në sallën kryesore “Unesco” të Muzeut HistorikKombëtar, në ditët e fundit të muajit shtator të këtij viti. Pra, u bë përurimi i librave, me shumë faqe: “Vlera intelektuale kuksiane”(vëll.3-2018) dhe “Gjurmë vlerash kuksiane”(vëllimi 1-2019). Pjesëmarrësit e shumtë, familjarë, kolegë, miq e bashkëkrahinas, të gjithë e përgëzuan atë për punën e palodhur, atdhetare e kulturore, që bën, duke qenë larg në emigracion. Ndërsa folësit evidentuan kujdesin e veçantë të këtij autori, për dokumentimin e traditave të çmuara të njerëzve të periudhave të ndryshme historike, nga vendlindja e tyre. Po  kështu, shprehën besimin e ai do ta vijojë pandërprerje këtë punë krijuese, duke u shërbyer brezave të sotëm dhe atyre që vijnë pas nesh.

…Në mbyllje të këtyre pak radhëve, për botimin e librave nga kolegu e miku i dashur Hys Xhemali Hasa, shënoj se ai gjeti rastin që, ndërmjet punëve të shumta, të vinte e të më takonte dy herë e të pinim kafe bashkë. Ndërsa dy librat e mësipërm, të cilët u përuruan, në shenjë respekti, ai m’i kishte dërguar që më parë. Nga këto takime tona të paharruara, ruaj edhe disa fotografi, njërën nga të cilat po ia bashkëngjes kësaj skice modeste.

-Përshëndetje nga Shqipëria e Tirana, kolegu e miku i mirë, i sa e sa lexuesve tanë, Hys Xhemali Hasa! Urojmë, që të keni shëndet të plotë, ta vazhdoni pandërprerje krijimtarinë tuaj dhe të jeni sa më të gëzuar e të lumtur, bashkë me familjen!

Tiranë, 29 tetor 2019