Zjarrfikësit në Kaliforni po luftojnë njëkohësisht zjarret në veri dhe jug të atij shteti. Dy zjarret më të mëdha, nga nëntë vatra që u njoftuan të premten, ndodhen në pjesën veriore të qytetit Los Ageles dhe Sonoma, që njihet për vreshtarinë dhe prodhimin e verës.
Guvernatori i Kalifornisë Gavon Newsom deklaroi gjendjen e jashtëzakonshme të premten në dy kontetë Sonoma dhe Los Ageles. Nuk ka patur njoftime për lëndime nga zjarret. Gjatë një vizite në komunitetet e prekura nga zjarri të premten, guvernatori Newsom shprehu zhgënjim me kompaninë më të madhe për shpërndarjen e gazit dhe energjisë elektrike në Kaliforni.
“Nuk duhet të kishim arritur këtu ku jemi. Vite të tëra keqmenaxhimi dhe babëzie, kryesisht me kompaninë më të madhe në pronësi të investitorëve që merret me shpërndarjen e gazit dhe energjisë elektrike. Kjo babëzi ka çuar në mungesë të qëllimshme të përmirësimit të rrjetit dhe linjave nëntokësore të trasmetimit. Thjeshtë, ata nuk bënë detyrën e tyre.”
Kompania ka thënë se pajisjet e saj mund të kenë shkaktuar zjarrin pranë qytetit Los Angeles, pavarësisht ndërprerjes paraprake të energjisë me qëllim shmangien e zjarrit.
Zjarri në pjesën jugore të qytetit Los Angeles ka shkaktuar evakuimin e më shumë se 40 mijë banorëve. Zjarri shpërtheu të enjten pranë qytetit Santa Clarita dhe ka djegur një sipërfaqe prej 17 kilometrash katerorë.
Zjarrfikësit thonë se mbi 10 mijë struktura kërcënohen nga zjarri, që është vënë nën kontroll vetëm 5 përqind e tij. Zjarri ka shkaktuar mbylljen e shkollave në atë zonë si dhe autostradave kryesore.
Zjarri tjetër i madh në pjesën veriore, në Sonoma, ka djegur të paktën 49 ndërtesa dhe një sipërfaqe prej 65 kilometrash katërorë. Erërat me shpejtësi rreth 80 kilometra në orë po i përhapin zjarret edhe më shumë.