Në Prishtinë u mbajt marshimi tradicional “Zbulimi i hershëm – mbijetesë” që ka për qëllim vetëdijesimin ndaj sëmundjes së kancerit të gjirit.

Në këtë ngjarje morën pjesë qindra persona, në mesin e të cilëve ishte edhe ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga.

Në nëntëmujorin e parë të këtij viti, në Kosovë janë paraqitur 313 raste të reja me kancer të gjirit.

Sipas ish-presidentes Jahjaga, këtë vit është rritur numri i rasteve me kancer në gji, andaj ajo tha se duhet më shumë ndërgjegjësim me qëllim që kjo sëmundje të parandalohet.

“Rritja e numrit të rasteve me kancer të gjirit, na bën të reflektojmë për rëndësinë e vetëdijesimit për këtë sëmundje dhe shtimin e masave parandaluese për diagnostifikimin e hershëm dhe diagnostifikimin me kohë”, tha ish-presidentja Jahjaga.

Ky është viti i dymbëdhjetë që mbahet ky aktivitet në Prishtinë, i cili është në kuadër të muajit për luftimin e kancerit të gjirit.