Të nderuar të pranishëm!

Fillimisht dëshiroj të shprehë mirënjohjen time dhe ta përgëzoj autorin e monografisë “Resurset natyrore të Deçanit dhe turizmi”, Adem Lushaj, për nxjerrjen e kësaj monografie, që sipas mendimit tim, i kishte munguar, jo vetën Deçanit.

Turizmi si një proces, me zgjerimin e vet zhvillimor, viteve të fundit është shndërruar në industri globale. Turizmi si komponent i fuqishëm i zhvillimit ekonomik, ka parasysh edhe mbrojtjen e trashëgimisë natyrore dhe kulturore, si parakusht për turizmin e qëndrueshëm. Zhvillimi i turizmit është ngushtë i ndërlidhur edhe me resurset natyrore që posedon ai vend. Kosova, me resurset e saja natyrore, ka gjitha potencialet për të zhvilluar turizmin, e sidomos atë malor. Kjo është pasqyruar edhe në monografinë “Resurset malore të Deçanit dhe turizmi”, ku janë prezantuar disa nga resurset natyrore që gjenden në Deçan, e të cilat mund të ndihmojnë në zhvillimin e turizmit.

Përmes këtij punimi, autori është munduar të ofrojë të dhëna të duhura për institucionet lokale e qendrore, që të hartojnë strategji për shfrytëzimin e resurseve për zhvillimin e turizmit masiv dhe alternativ. Gjithashtu, përmes këtij punimi, autori ka ftuar investitorët vendorë e ndërkombëtarë, që kapitalin e tyre ta orientojnë kah zhvillimi i turizmit në Bjeshkët e Deçanit.

Me krahasimin e të dhënave statistikore të Bjeshkës së Belegut, me të dhënat e Brezovicës, është munduar që të dëshmon se Bjeshka e Belegut ofron kushte të volitshme për zhvillimin e turizmit dimëror, sidomos me shtigjet e skijimit.

Sipas këtij punimi, resurset natyrore të Deçanit ofrojnë mundësi të mira për zhvillimin ekonomik, jo vetëm të Deçanit.

Në kapitullin e parë, autori ka përshkruar konceptet e zhvillimit ekonomik, faktorët që ndikojnë në zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik”, sikurse ka prezantuar disa nga modelet e zhvillimit ekonomik, këtë rast edhe të turizmit, duke u bazuar në punimet shkencore të ekspertëve të ekonomisë dhe turizmit. Ndër faktorët e rëndësishëm të zhvillimit ekonomik, pos faktorëve natyrorë, qofshin mbitokësorë apo nëntokësorë, autori e ka vënë si faktor me rëndësi edhe komunikacionin, ngase është nxitur nga rëndësia që ka ndërtimi i rrugës që lidh Komunën e Deçanit me shtetet fqinjë (Malin e Zi dhe Shqipërinë).

Në kapitullin e dytë autori është fokusuar te resurset e Komunës së Deçanit, e sidomos të atyre që janë në masivin e Bjeshkëve të Nemuna. Pra, në këtë kapitull, përqendrimi është te resurset natyrore që disponon Komuna e Deçanit, e të cilat mundësojnë zhvillimin e turizmit, siç janë: klima, pyjet, hidrografia, biodiverziteti, arkeologjia, morfologjia, etj.

Në kapitullin e tretë, pos nocionit mbi turizmin, është shkruar për mundësitë që ka Komuna e Deçanit, në zhvillimin e turizmit masiv dhe alternativ. Në këtë kapitull janë prezantuar saktësisht disa nga resurset natyrore të cilët janë në masivin e Bjeshkëve të Nemuna, e që me investime mund të shndërrohen në resurse të mëdha turistike, ku veçohet ndërtimi i rrugës që lidh Deçanin me Plavën dhe investimet në Bjeshkën e Belegut.

Në kapitullin e katërt, Lushaj i ka dhënë hapësirë edhe rolit të marketingut në promovimin e vlerave turistike; për bartësit e marketingut në turizëm; tregun turistik; si dhe karakteristikat e kërkesës dhe ofertës turistike. Ky kapitull përfshin një pjesë të rëndësisë së veçantë që ka promocioni për zhvillimin e turizmit në Komunën e Deçanit.

Monografia në fjalë, veç që ka hapur rrugë për punime tjera më të detajuara, ashtu që fusha e turizmit në Bjeshkët e Deçanit, të jetë mundësi studimi dhe hartimi të projekteve zhvillimore, nga do përfiton e gjitha ekonomia e Kosovës, jo vetëm e kësaj komune.

Si përfundim mund të themi se Deçani ka resurse te bollshme për zhvillimin e turizmit, qoftë masiv apo alternativ. Mirëpo, kërkohet angazhim institucional dhe profesional për promovim të këtyre resurseve, e që mund të jenë tërheqëse për investitorët vendorë e ndërkombëtarë.

 

Prof. Ass. Dr. Bedri Millaku, recensent

Prof. Ass. Dr. Afrim Selimaj, recensent