Protestat anti-qeveritare në Hong Kong kanë filluar të ndikojë në bizneset e qytetit. Demonstruesit po etiketojnë bizneset që i mbështesin ose jo protestat, duke u dhënë kode me ngjyra. E verdha, ngjyrë që në traditën kineze nënkupton pushtet dhe kurajo, ishte edhe ngjyra që simbolizoi protestat e lëvizjes së ombrellave të vitit 2014, përfaqëson bizneset pro protestës. Protestuesve u është bërë thirrje të shmangin e mbadje edhe janë sulmuar bizneset e ashtuquajtura të kaltra, të cilat cilësohen si të afërta me qeverisjen në Hong Kong.

Hong Kongu njihet për mundësitë e pafundme për blerje, një fakt që ka tërhequr shumë turistë nga mbarë bota.

Por katër muajt e fundit, kanë lënë gjurmët e tyre. Byroja e turizmit në Hong Kong njoftoi se gjatë gushtit ka pasur rënie të madhe të numrit të turistëve.

Demonstratat e njëpasnjëshme për 20 javë detyruan mbylljen herët të dyqaneve nga prania e madhe e policisë, gazit lotësjellës dhe topave me ujë.

Protestuesit e lëvizjes që nuk ka udhëheqës, jo rrallë herë kanë trazuar qendrat tregtare të qytetit, duke kërkuar që të bojkotohen bizneset që mbështesin atë që ata e shohin si shtrëngim të Pekinit.

Përdorues të rrjeteve sociale kanë krijuar një bazë të dhënash të më shumë se 100 dyqaneve që mbështesin protestën apo siç i quajnë dyqanet e verdha. Në anën tjetër janë dyqanet blu që cilësohen si biznese të afërta me Pekinin.

Disa prej këtyre të fundit edhe janë sulmuar nga protestuesit.

Në njërën nga rrugët ku protestohet, Ian Chan drejton një dyqan birre. Ai thotë se është pjesë e listës së verdhë, pasi shfaqi mbështetje për protestuesit në Facebook.

Ai është i zemëruar, por jo nga dëmet e shkaktuara nga protestat.

“Vazhdoj t’i mbështes. Sepse, problem i madh është qeveria dhe shefja ekzekutive”, thotë pronari i dyqanit “Angry Beer”, Ian Chan.

Klientët si mësuesi dhe muzikanti Steven Lai thonë se është me rëndësi që shpenzimi i parave të lidhet me politikën.

“Mendoj se krahas cilësisë, qoftë birrë apo ushqim, ajo që klientëve u intereson është ideja pas saj. Të dish se njerëzit që janë këtu kanë të njëjtën ideologji, ose vlerat e njëjta”, thotë klienti i birrarisë “Angry Beeer” Steven Lai.

Ai thotë se po e shijon mundësinë që të provojë birrë vendore. Aty mund të gjesh birra nga e mbarë bota, por jo nga Kina.

“Kur provon birrë të Hong Kongut, edhe paketimi apo dizajni të tërheq”, thotë Steven Lai, klient.

Funjavës që vjen, ai thotë se do të kthehet në rrugë në protestën ku kërkohen më shumë të drejta dhe liri për banorët dhe amnisti për demonstruesit.

Ndërsa qeveria e qytetit nuk po lëviz, protestuesit thonë se nuk do të ndalen.