Ndryshimi i klimës prek gjithçka që analizohet në këtë artikull, shkruan The Economist. Kjo çështje duhet të trajtohet sa më parë dhe qartë

Nga njëri vit në tjetrin, ndryshimet klimatike nuk vërehen lehtë. Por teksa njëra dekadë mbaron dhe i lë vendin fillimit të tjetrës, historia bëhet më e qartë. Vijat në foton e këtij artikulli tregojnë temperaturën mesatare të botës, çdo vit që nga mesi i shekullit të 19-të. Vijat blu të errëta tregojnë vitet e ftohta, kurse ato të kuqe tregojnë vitet e ngrohta, ndërsa ato që kanë vijë të kuqe të theksuar tregojnë për vitet e nxehta. Përfaqësimi i kësaj periudhe të historisë së njerëzimit, nëpërmjet një grup vijash me ngjyra të ndryshme, mund të mos nxjerrë aq sa duhet në pah, rëndësinë e një çështje të tillë, duket sikur krahasimi e minimizon atë.

Në vitet e mësipërme, bota është përballur me luftëra të ndryshme, me risi teknologjike, zhvillimin e tregtisë në një shkallë që nuk është parë kurrë më parë dhe një akumulim mahnitës të një pasurie të madhe. Por ato histori komplekse dhe këto vija shumë të thjeshta ndajnë një të përbashkët me njëra-tjetrën. Ndryshimi i klimës së planetit dhe rritja e jashtëzakonshme e pasurisë që njerëzit kanë akumuluar, burojnë të dyja nga djegia e miliarda tonë karburant fosil për të prodhuar fuqi industriale, energji elektrike dhe për t’u përdorur në transport, ngrohje, etj.

Gjithçka rreth nesh

Fakti që ndryshimi i klimës prek gjithçka dhe të gjithë është i qartë, ashtu siç duhet të jetë edhe fakti se të varfrit dhe të margjinalizuarit do të jenë ata që do të humbasin më shumë kur moti të kthehet kundër tyre. Më pak i qartë, por po aq i rëndësishëm, është fakti se proceset që ndikojnë në ndryshimin e klimës janë të ndërtuara në themelet e ekonomisë botërore dhe të gjeopolitikës, dhe masat që duhen marrë për të kontrolluar këtë ndryshim duhet të jenë po aq gjithëpërfshirëse dhe të kenë po atë shtrirje të gjerë. Të dekarbonizosh një ekonomi nuk është aspak një sipërmarrje e lehtë, përkundrazi, një prej më të vështirave.

Për disa, përfshirë këtu miliona idealistë të rinj, të cilët, pasi “The Economist” doli në treg, po përgatiteshin për një grevë globale klimatike dhe shumë prej atyre që do të mbushin rrugët e Nju Jorkut gjatë Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara javës së ardhshme, kjo sipërmarrje nuk kërkon asgjë më shumë sesa thjesht çrrënjosjen e kapitalizimit. Mbi të gjitha, sistemi u rrit nëpërmjet përdorimit të karburanteve fosile në sasi gjithnjë e më të mëdha. Dhe deri më tani, ekonomia e tregut ka bërë shumë pak për t’i ardhur në ndihmë.

Në fakt, të arrish në përfundimin se ndryshimi i klimës duhet të nënkuptojë çrrënjosjen e kapitalizmit do të ishte plotësisht e gabuar dhe mbi të gjitha, e dëmshme. Ekziston një vlerë e jashtëzakonshme në fuqinë, inovacionin dhe përshtatshmërinë që tregjet e lira i kanë sjellë ekonomive që morën formë gjatë shekullit të pasqyruar nëpërmjet vijave në foton e mësipërme. Ekonomitë e tregut, janë ato nga të cilat mund të merret përgjigjja e saktë që kërkon ndryshimi i klimës. Tregjet konkurruese me lehtësitë e duhura dhe politikanët mund të bëjnë shumë më shumë se çdo sistem tjetër për të kufizuar ngrohjen globale dhe të parandalojnë kështu diçka e cila më vonë do të ishte e pamundur të parandalohej.

Ky artikull i “The Economist” nuk ka të bëjë vetëm me krizën e karbonit. Ky dhe shumë të tjerë që do të publikohen dhe që janë publikuar trajtojnë krizën dhe se si ajo mund të zgjidhet. Por çështja e klimës nuk është epiqendra mbi të cilën rrotullohet gjithçka, sepse janë gjëra të tjera ato që kanë rëndësi për aksionerët e Manhatanit dhe pronarët e vegjël të Malavisë. Gjithsesi, ndryshimi i klimës është një kontekst gjithnjë e më i rrezikshëm për të gjithë botën e tyre.

Për të kuptuar kontekstin në fjalë, duhet të kuptohen të gjitha gjërat me të cilat nuk ka të bëjë ndryshimi i klimës. Ai nuk është fundi i botës. Njerëzimi nuk është në prag të zhdukjes. Vetë planeti nuk është në rrezik. Toka edhe pse e vjetër, do të arrijë të mbijetojë. Dhe megjithëse shumë gjëra mund të humbasin, pjesa më e madhe e jetës mahnitëse që e bën Tokën unike, me aq sa mund të tregojnë astronomët, do të vazhdojë të ekzistojë.
Sidoqoftë, ndryshimi i klimës është një kërcënim serioz për një numër të madh njerëzish. Ai do të prishë fermat, tek të cilat mbështeten një numër shumë i madh njerëzish; do të thajë puset dhe rrjetat ujore; do të përmbytë vendet e ulëta dhe me kalimin e kohës, edhe ato që janë në nivele më të larta. I vërtetë është edhe fakti se ajo do të ofrojë edhe disa mundësi, të paktën në një periudhë të afërt kohore. Por, sa më shumë që njerëzimi të shtyjë për një kohë më të vonë reduktimin e emetimeve të dioksidit të karbonit, aq më të mëdha do të jenë rreziqet.

Shkalla e implikimeve nënvizon edhe një tjetër gjë. Përkrah të gjithë problemeve të tjera, ndryshimi klimatik nuk është vetëm një problem mjedisor dhe ai nuk mund të zgjidhet brenda një kohe të shkurtër. Ndryshimi nga njerëzit që janë të alarmuar nga një fenomen i tillë nuk do të jetë i mjaftueshëm. Ajo që nevojitet, mbi të gjitha, është ndryshimi në jetët e njerëzve që nuk i konsiderojnë ndryshimet klimatike si një dukuri të rëndësishme.

Ndryshimet klimatike janë një çështje me të cilën duhet të merret e gjithë qeveria, ato kurrsesi nuk mund t’i ngarkohen vetëm Ministrisë së Mjedisit. Mbi të gjitha, zgjidhja e problemeve të klimës nuk mund të shtyhet për më vonë. Ndryshimet klimatike fatkeqësisht janë të pranishme dhe masat duhet të merren urgjentisht për të parandaluar fenomene të tjera ekstreme si uragani Dorian. Fatkeqësisht, pasojat e saj po bëhen gjithnjë e më të dukshme, dhe shtyrja për më vonë apo vonesa në dhënien e një zgjidhjeje sa më të shpejtë do të thotë se dëmet, me të cilat do të përballet njerëzimi më vonë, do të jenë ekstreme dhe nuk mund të shlyejnë kurrsesi gabimet e së kaluarës.

Ajo çka duhet bërë është kuptuar tashmë shumë mirë. Dhe një detyrë jetike lidhet me “specialitetin e kapitalizmit”: shndërrimi i njerëzve në persona më të mirë sesa janë aktualisht. Ky proces përshtatjeje, duke përfshirë mbrojtjen e detit, bimësisë, sidomos në zonat e thata, do të kushtojë shumë. Ky proces është veçanërisht i vështirë për vendet e varfra, ku ndikimet e ndryshimit të klimës i bëjnë këta njerëz të humbasin shpresat për një zhvillim të mëtejshëm. Marrëveshjet ndërkombëtare theksojnë domosdoshmërinë për të mbështetur vendet më të varfra në përpjekje për t’u përshtatur me ndryshimet klimatike dhe për t’u zhvilluar sa më shumë të munden, në mënyrë që të kenë gjithnjë e më shumë më pak nevojë për ndihmë.

Në këtë drejtim, bota e pasur nuk po i bën ashtu siç duhet detyrimet e saj. Megjithatë, edhe nëse ajo do të bënte më shumë përpjekje, jo të gjitha efektet e ndryshimit të klimës do të zhdukeshin. Prandaj, kjo çon në një tjetër domosdoshmëri për kapital: uljen e emetimeve. Nëpërmjet përmirësimeve të vazhdueshme teknologjike dhe investimeve të shumta, ekziston mundësia që të prodhohen rrjete elektrike që nuk kanë nevojë për stacione të energjisë që lëshojnë dioksid karboni. Transporti rrugor mund të elektrizohet, ndërsa për transportin detar dhe atë ajror, ky proces është sigurisht më i vështirë.

 

Por është vërtet marrëzi të mendosh se i gjithë ky proces mund të përfundohet brenda dhjetë vitesh, gjë që pretendohet nga shumë aktivistë dhe madje edhe nga disa Presidentë amerikanë me shpresa të mëdha. Por, përpjekjet e ditëve të sotme, të cilat janë tepër të dobëta dhe të pamjaftueshme për të mos lejuar rritjen e temperaturave dhe përkeqësimin e ngrohjes globale, sigurisht që mund të përmirësohen. Ndoshta përpjekjet për t’i detyruar firmat e ndryshme që të zbulojnë mangësitë që kanë ndikim të drejtpërdrejtë në ndryshimet klimatike, mund t’i vijnë në ndihmë investitorëve të shqetësuar për të ndarë kapitalin në mënyrën më të mirë.

Rritja e çmimit të karbonit, mund të jetë një formë për të reduktuar emetimet e tij, në një nivel që planifikuesit nuk mund ta imagjinojnë. Megjithatë, sado e fuqishme që mund të jetë marrja e kësaj mase, procesi i dekarbonizimit duhet të përshpejtohet dhe të ecë sipas rregullave të mirëmenduara. Problemi me këto politika është se klima i përgjigjet nivelit të përgjithshëm të dioksidit të karbonit në atmosferë dhe jo masave dhe kontributit të një shteti të vetëm. Nuk do të kishte asnjë efekt në përmirësimin e ndryshimeve klimatike, nëse qeveria e një shteti të caktuar do të reduktonte në mënyrë drastike emetimet e veta, ndërsa qeveritë e tjera të mos merrnin asnjë masë. Edhe kjo që u tha sa më sipër nuk është plotësisht e vërtetë, sepse subvencionet e larta gjermane mbi energjinë elektrike të rinovueshme, ndikuan në krijimin e një “bumi mbarëbotëror” në prodhimin e paneleve diellore, gjë që bëri që çmimi i tyre të binte dhe ato të bëheshin më të aksesueshme nga të gjithë, njëkohësisht duke reduktuar edhe emetimet jashtë vendit. Fermat e erës të Britanisë mund të arrijnë gjithashtu diçka të ngjashme. Gjithashtu është më se e vërtetë se në shumicën e rasteve, veprimi i vetëm disa qeverive dhe jo i një pjese të madhe do të jetë një pengesë e madhe në këtë drejtim.

Bisedimet mbi klimën që zhvillohen në Kombet e Bashkuara, trajtojnë në mënyrë të barabartë 193 vende, duke siguruar kështu një forum ku fjala e të gjithëve të dëgjohet. Por tre të katërtat e emetimeve vijnë nga vetëm 12 ekonomi. Në disa prej tyre, përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara, është e mundur të imagjinohen votuesit e rinj në demokracitë liberale që kërkojnë një rivlerësim politik mbi çështjet e klimës, dhe një interes të ri për t’i bërë edhe të tjerët që t’i bashkohen një kauze të tillë.

Një prej gjërave që gjen miratim në masë, është fakti se ndryshimet klimatike do të varen nga reagimi i njeriut, duke nisur nga sot e duke vazhduar në dekadat e ardhshme. Por shumë aktivistë të së majtës nuk mund të imagjinojnë demokracitë liberale të ditëve të sotme që t’i përgjigjen një sfide të tillë në shkallën e duhur. Ata bëjnë thirrje për kufizime të reja, sa i takon prosperitetit individual dhe kontroll gjithëpërfshirës të qeverisë mbi investimet.

Ndërkohë, në krahun e djathtë, një pjesë e madhe shikon vetëm interesin personal dhe duke qenë se janë mirë për vete, nuk janë të interesuar për të kryer detyrimet e tyre në të mirë të njerëzimit. Nëse fryma e sipërmarrjes që filloi të kontrollojë fuqinë e karburanteve fosile në Revolucionin Industrial do të mbijetojë, shtetet në të cilat ajo ka avancuar më shumë duhet të vërtetojnë se disa prej qëndrimeve të mësipërme janë të gabuara. Ata duhet të jenë të gatshëm të transformojnë makinerinë e ekonomisë botërore, pa hequr dorë nga vlerat nga të cilat lindi ajo ekonomi.

Disa të tjerë pretendojnë se dëshira ndaj rritjes së vazhdueshme të kapitalizmit e kthen këtë të fundit në mënyrë të pashmangshme kundër një klime të qëndrueshme. “The Economist” mendon se ky pretendim është i gabuar, por gjithsesi ndryshimi i klimës mund të jetë sidoqoftë vdekja e lirisë ekonomike, së bashku edhe me shumë gjëra të tjera. Nëse kapitalizmi do të mbajë vendin dhe qëndrimin që i takon, ai duhet të vazhdojë gjithashtu lojën e tij.