UEFA ka vendosur që të mos i lejojë të luhen takimet ndërmjet ekipeve përfaqësuese të Kosovës dhe Rusisë, deri në një vendim të radhës.
Vendimi është komunikuar sot nga Paneli i Emergjencave të UEFA-s përmes një njoftimi të publikuar në uebfaqen zyrtare të UEFA-s.
“Duke marrë parasysh rreziqet e sigurisë që ndërlidhen në ndeshjet midis ekipeve nga Rusia dhe Kosova, Paneli vendosi që të dy ekipet të mos përballen më kundër njëra-tjetrës në asnjë garë të ardhshme të UEFA-s deri në njoftimin e radhës”, thuhet në komunikatë.
Nga formulimi i komunikatës së UEFA-s nënkuptohet se rregullore vlen edhe për Kampionatin Evropian 2020 që mbahet verën e ardhshme. Rusia tashmë është kualifikuar për këtë turne. Për më tepër, Euro 2020 do të presë tre ndeshje në grupe dhe një çerekfinale në Shën Petersburg të Rusisë.
Ekipet e futbollit të femrave të të dy vendeve janë tashmë në një grup kualifikues për EURO 2021. Të dyja ndeshjet e parapara të luhen gjatë muajve të ardhshme në Kosovë, respektivisht Rusi, do të zhvillohen në terren neutral.