Këngëtarja e famshme me origjinë kosovare Rita Ora, njofton se i është bashkuar UNICEF për të ndihmuar dhe për të mbrojtur të drejtat e të gjithë fëmijëve në Kosovë dhe botë. ”Ndihem e prekur dhe e frymëzuar duke punuar me UNICEF-in dhe duke takuar fëmijë e familje këtu në Kosovë, ku jam lindur”. Sipas Orës, shumë gjëra kanë ndryshuar në Kosovë që nga fëmijëria e saj, kohë në të cilën ajo u largua me familjen për shkak të luftës në Kosovë.

Në kuadër të 30-vjetorit të Konventës Ndërkombëtare për të Drejtat e Fëmijëve, Rita Ora thotë se viti 2019 është një vit shumë i rëndësishëm për gjithë fëmijët nëpër botë.

”Ky vit shënon 30 vite që nga premtimi i bërë nga udhëheqësit botërorë për t’i mbrojtur të drejtat e fëmijëve përmes Konventës së OKB-së për të Drejtat e Fëmijëve. Teksa shikojmë progresin që është arritur deri më tash për fëmijët, është po ashtu e rëndësishme ta pranojmë se shumë vajza dhe djem këtu në Kosovë dhe në mbarë botën janë lënë jashtë. Këtë vit unë i bashkohem UNICEF-it për t’iu bërë thirrje udhëheqësve që ta forcojnë përkushtimin e tyre për t’i mbrojtur të drejtat e të gjithë fëmijëve”

Please follow and like us: