Kancelarja gjermane, Angela Merkel ka kërkuar “ndërprerjen e menjëhershme të operacionit ushtarak” të Turqisë në Siri.

Këto komente ajo i bëri gjatë një bisede telefonike me presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan, tha një zëdhënëse e Qeverisë gjermane.

Pavarësisht interesave legjitime të sigurisë që ka Turqia, ky operacion po kërcënon zhvendosjen në masë të madhe të popullsisë lokale, po destabilizon rajonin dhe po rrezikon ringjalljen e grupit militant Shteti Islamik, tha zëdhënësja e Qeverisë gjermane.

Turqia ka nisur para pesë ditësh operacionin ushtarak në veri të Sirisë, duke thënë se ka për cak milicive kurdë dhe ata të IS-it, por aleatët perëndimor e kanë kritikuar këtë veprim të Ankarasë.

Ankaraja i konsideron milicitë kurde terroristë dhe thotë se kanë lidhje me Partinë e Punëtore të Kurdistanit, të cilët për dekada bëjnë kryengritje brenda territorit të Turqisë.

Sipas Kombeve të Bashkuara, rreth 130 mijë persona janë zhvendosur pas përshkallëzimit të dhunës në verilindje të Sirisë.