Një aspirinë në ditë na mbron nga ndotja e ajrit. Ky është studimi i fundit nga universiteti i Columbias, Harvardit dhe Bostonit. Sipas Agjencisë për Mbrojtjen Mjedisore, ky medikament mjekësor mbron mushkëritë tona dhe redukton me 50% dëmtimin e tyre nga ndotja mjedisore.

Për arritjen e këtij rezultati shërbyen të dhënat e 2,280 personave në Boston, një nga zonat më të ndotura në Shtetet e Bashkuara. Për më shumë se një muaj u realizuan analiza të mirëfillta dhe nisur nga testet e bëra u konstatua se aspirina shërben si një “mburojë” për mushkëritë, pavarësisht moshës, gjendjes shëndetësore apo faktit se pacienti është duhanpirës. Mosha mesatare e pjesëmarrësve ishte 73 vjeç.

Ky ilaç, i quajtur ndryshe me përbërësit mjekësor si acidi acetil salicilik, mbron organin e frymëmarrjes nga mikrogrimcat e dëmshme që vijnë kryesisht nga djegia e karburantit të automjeteve dhe termocentraleve. Gjithsesi, mjekët paralajmërojnë të mos e teprojmë me këtë medikament, me synimin për t’u mbrojtur nga grimcat bakteriale që qarkullojnë në ajër.

Studimet amerikane kanë treguar deri tani se aspirina ul rrezikun e kancerit, sëmundjeve të zemrës dhe së fundmi minimizon problemet në rrugët e frymëmarrjes.