Lidhja Demokratike e Kosovës tha të premten se do të pres certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve parlamentare të gjashtë tetorit, para se të zhvillojë ndonjë takim të radhës me Lëvizjen Vetëvendosje.
Të enjten kryetari i lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, bashkë me kandidaten e kësaj partie për postin e kryeministrit, Vjosa Osmani, u pajtuan për formimin e koalicionit qeverisës dhe për vazhdimin e diskutimeve në grupet punuese për hollësitë ë mëtejme.
Të premten kryesia e Lidhjes Demokratike u mblodh për të diskutuar këtë çështje dhe pas mbledhjes zëdhënësi i saj, Besian Mustafa, tha se takimi i radhës do të jetë vetëm pasi që të numërohen të gjitha votat.
“Sot diskutuam për rezultatin e ngushtë me Vetëvendosjen, po presim rezultatin final. Mos të përjashtojmë edhe 40 mijë votat e diasporës. Zhvillimi i takimeve me Vetëvendosjen do të fillojë pas certifikimit të rezultateve nga Komisioni Qendror Zgjedhor. Në momentin që certifikohen rezultatet do të fillojmë bisedimet me Vetëvendosjen. Kemi një rezultat të ngushtë kemi dallim më pak se pesë mijë vota, prandaj do të presim certifikimin e rezultateve” tha zoti Mustafa.
Kryetari i Lidhjes Demokratike, Isa Mustafa, tha më vonë gjatë ditës, pas një takimi me deputetin e parlamentit gjerman Volkmar Klein, se deri në certifikimin e rezultateve “ne natyrisht se do të flasim mes vete do të komunikojmë, do të kontaktojmë, dhe do të shohim që sa më shumë prej çështjeve që janë të hapura, kryesisht çështje të qeverisjes, ato t’i zgjidhim në mënyrë që prej momentit të certifikimit të mos kemi nevojë të kthehemi prapa”.
Ai tha se e “procesi ende nuk ka përfunduar dhe janë dy parti që kanë dalë të parat; LDK dhe Vetëvendosje me një dallim të vogël votash. Fituesi përfundimtar do të përcaktohet me rastin e certifikimit të rezultateve pasi të numërohen të gjitha votat”.
Në lëvizjen Vetëvendosje nuk e kanë komentuar ende këtë qëndrim të Lidhjes Demokratike.
Kur janë numëruar 100 për qind të votave të rregullta, lëvizja Vetëvendosje kryeson me 25.50 për qind e pasuar nga Lidhja Demokratike me 24.83 për qind të votave.
Por edhe më tej nuk janë numëruar votat e dërguara me postë, ato të hedhura me kusht dhe votat e personave me nevoja të veçanta.