Artikulli “Shka thotë gojëdhana mi vjetërsi të Mirditës?…” i botuem në Nr. 9-10 (viti 1933) të Revistës së “Hyllit të Dritës”, më shtyen me ju parashtrue gojëdhanat e popullit të Kosovës mbi shpin e Zogollit të Matit, Gjomarkaj të Mirditës, Dërallës të Tetovës e Gjinollit të Prishtinës; katër oxhaqe këto të shqueme ndër gojëdhanat e popullit të Kosovës, dy si përkrahsit e Turkis dhe dy si kundërshtarë të sajë.
Qe se ç’ka thonë gojëdhanat e popullit të Kosovës:
Më nji kohë kur fuqit e Turkis e kishin shtrue krejt Kosovën, vetëm katër vetë nga Malcit e Kosovës nuk kishin ra në dorë dhe seicilli prej atyne të katërtve me pasojsit e vet kishin xanë vend nepër malet e vështira të Malcis së Kosovës dhe kurdoherë qi gjëjshin rasë, bajshin sulmime kundra fuqis Turke si edhe kundrejtë përkrahsve t’asaj fuqije. Këta katër kryetar të Malcis së Kosovës ishin, i pari: Gjini prej Katundit Gjinit të Malcis së Kosovës dhe i dyti Derri prej nji katundi të Hasit afër Kuksit dhe i treti Zogu prej Katundit Zogajt të Malcis së Kosovës dhe i katërti i pari i shpis Gjomarkajve qi ishte nga Qafa e Morinës të Kosovës. Këta të Katër Kryetarët e Malcis së Kosovës i siellshin dame të mëdhaja fuqis turke dhe kështu Turkija kishte vendosë me ç’do mjet t’i bajë për vedi qi të përfitojë prej tyne. Vendosi që të hyej në marrveshtje me ta, tuej i dhanë premtime se do t’i bajke Komandanta e do të i u epke sundimin e ndonji krahine seicillit prej tyne. Me këto bisedime, Gjini, u bind me i u dorzue, të cilit i u dha sundimi i Sanxhakut të Prishtinës ku sunduen bir mbas biri, edhe shpija e tyne mori titullin Gjinolli (d.m.th. biri i Gjinit).
Gjith-ashtu edhe Derri qi banojke në nji katund të vogël, afër Kuksit, pranoj marrveshtjen dhe Turkija këtij i dorzoj sundimin e Sanxhakut të Tetovës ku sundoj brez mbas brezi me titullin Derrolli (d.m.th. i biri i derrit) dhe dy të tjertë nuk pranuen marrveshtjen po vazhduen ne kundërshtim. Sunduesi Turk, tuej pa se këta refuzuen ç’do marrveshtje, përdori fuqin ma të madhe kundra tyne, deri sa i shterngoj të lanë vendin e vet dhe me pasojsit e tyne të largohen tue xanë vend në vise ma të forta; kështu pra Zogu tue u largue nga malet e Kosovës xueni vend në Selitë, kufi me Matin dhe prej atyhit vazhdoj sulmimet kundra Turqve, aq sa shtini në dorë pjesen ma të fortë të Matit tuej i thye dhe forcat e oxhaqeve të Çelës e t’Allamanit të ciltë m’ato kohna veprojshin si axhentat e Turqis. Kështu vazhdoj veprimet e veta dhe populli i atyne krahinave të cilit i dhanë Titullin Zogu i Math. I biri i tij gjithashtu vazhdoj në kundërshtim me Turqit me emnin Zogu i Vogël; kështu qi populli i asaj krahine të parin e quejti Zogu i math e të birin Zogu i vogël. Ma vonë në kohën e të birit Zogut të Vogël u perseriten propozimet e Turqis për nji marrveshtje, dhe ky e pranoj me nji konditë qi në sundimin e Matit të jenë indipendent e vetëm në kohën e luftës të marrin pjesë në favor të Turqis, – kështu ky vazhdoj si Sundimtar i Matit me Titullin Zogolli (d.m.th. biri Zogut).
Gjithashtu i pari i shpis Gjomarkaj po m’at kohë qe shterngue me lanë veëndin e vet dhe me pasojsit e tij xueni vend në Mirditë, kështu qi shpija e Gjomarkajve njifet nga fisi Morinë i Kosovës dhe leja e Pashës së Shkodrës kah viti 1633 ka të bajnë me të parin e Gjomarkajve qi erdhi me pasojsit e vet nga Qafa e Morinës dhe xueni vend në Mirditë e jo me popullin e Mirditës. Ma vonë dhe shpija e Gjomarkajve pranoi marrveshtjen me Turqin me konditë qi ndër luftrat qi do ti ngjajnë Turqis, bashkë me Mirditas të merrte pjesë në favor të Turqis me Titullin Kapiten i Mirditës. Pra mbas gojëdhanave të popullit të Kosovës, shpija e Gjomarkut rrjedh nga fisi Morinë i Kosovës edhe s’ka të bajnë aspak me shpin e Dukagjinit, mbassi si mbas gojëdhanave po t’atij populli në kohën e pushtimit Turk familja e Dukagjinit i madh e i vogël kje marrë rob e dergue në Turki ku fëmijtë e tyne mbassi studjuen në Shkollat e Turkut arrijten me xanë kamë të nalta saqi njani prej tyne me Titullin Ahmet Pash Dukagjini mbajti Komanden e Ushtris Turke në luften e madhe qi bani Turqija me persin i cili pushtoi edhe Kyeqytetin e Persis. Tjetri gjithnji tuej mbajtë Titullin Dukagjin mbërrijti me u ba Jazi-Asqer (Titulli ma i madhi pas Sheh Islamit). Ky i fundit u ba edhe nji nga vjerrshtortë e mdhaj në gjuhën turke.
Kaq sa për ndriqim e per të ju shty qi të vazhdoni hetimet e studimet mbi çeshtje.2)

_______________

1.- Salih Vuçiterna. “Nji gojdhanë mi shpin e Zogollit, Gjomarkaj, Derallës e Gjinollit”. Revista “Hylli i Dritës”, vjeta X, nr. 9, shtator, v. 1934. fq. 442-444. / Botohet i plotë dhe sipas origjinalit, përveç titullit, që është vendos në krye të shkrimit nga përgaditësi për botim për këtë gazetë, nga Ramiz Lushaj/
Në këtë vështrim duhet të kemi parasysh: Në kohën e botimit të këtij shkrimi Ahmet Zogu ishte Mbret i Shqiptarëve. Duhet veçuar fakti se asokohe Tropoja, Hasi e Kukësi përfshiheshin në një prefekturë të vetme, në Prefekturën e Kosovës (Malcia e Kosovës). Konceptimi etno-historik si Malësi ishte për Malësinë e Mirë, për Malësinë e Gjakovës. Nënvizojmë se Zogajt janë pjesë etno-historike e administrative të rrethit të Tropojës.

2.- Salih Vuçiterna është një nder personalitetet shqiptare të shek. XX. Ai u lind në Vushtrri të Kosovës (8 prill 1881) dhe ka vdek në Burgun e Burrelit (4 tetor 1947). Arsimin e mesëm dhe të lartë i kreu në Stamboll. Ka qënë një nga njerëzit e afërt të Mbretit Zog i Parë. Ishte ministër i Punëve Botore të Shqipërisë (1928-1930). Deputet në Parlamentin Shqiptar (1921-‘25, 1928-’30, 1937-’39, 1943). Antar i Senatit Shqiptar (1925-’28). Drejtor i Normales të Dibres (1910-’12), drejtor i arsimit i Prefekturës së Drinit (1919-’14), inspektor arsimi në Shkodër (1919), nënprefekt i Matit (1919-’20), nënprefekt i Tiranës (1920), Prefekt i Prefekturës së Drinit (Dibrës) në vitet 1920-’22). Autor i librit “Pikla t’arta heroizmi nga jeta e Mbretit dhe Nanës Mbretneshë” (1937). Përktheu Evlia Çelebiun nga osmanishtja “Sejahatnames” të Evlia Çelebiut, etj. Ka shumë shkrime të ndryshme në shtypin shqiptar e të huaj.

Please follow and like us: