Presidenti i Republikës së Shqipërisë, me rastin e 100 vjetorit të shpalljes së Pavarsisë, më 17 nëntor 2012, ka dekoruar Mbretin Zog I, me “Urdhrin e Flamurit Kombëtar”, me motivacionin:
“Figurë madhore dhe qendrore e historisë së Shqipërisë, që hodhi themelet e ndërtimit dhe funksionimit të shtetit modern shqiptar, me orientim të qartë perëndimor europian. Ideator dhe realizues i administratës së parë të shtetit shqiptar, si dhe i një legjislacioni bashkëkohor të niveleve të larta, që do t’i hapte rrugë emancipimit shoqëror dhe zhvillimit të vendit. Personalitet që gjithë jetën e tij e lidhi me fatet e kombit, të Shqipërisë dhe të shqiptarëve”.
Formimi dhe aktiviteti i Ahmet Zogut
Kronikat e kohës na thonë se, familja e famshme Zogu, e ardhur nga vise më në veri të Shqipërisë, u instalua në Burgajet të Matit aty nga fundi i shekullit XV. Familja Zogu, në breza u shqua për kountribute të jashtëzakonshme për të mirën e Matit dhe Shqipërisë.
Ahmet Zogu, djalë i Xhemal Pash Zogut dhe Sadie Emin bej Toptanit, lindi më 8 Tetor 1895. Edukimin dhe njohuritë e para i mori nga mësuesit Dërvish Hima, Sali Torra dhe Hafus Ismeti. Në moshën 7 vjeçare, e dërguan në Turqi për studime, ku mbaroi liceun e Stambollit dhe kursin e oficerëve rezervë. Më 20 korrik 1912, u kthye nga Turqia në Mat.
U angazhua menjëherë në përballimin e sulmeve nga fuqitë ballkanike. Ai arriti të afrojë, organizojë dhe të drejtojë vetë rreth tetë mijë burra të armatosur. Më 28 Nëntor 1912, në shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë, do të përfaqësonte Matin, Dibrën dhe Mirditën, në krye të një përfaqësie prej 26 krerësh të shquar të këtyre trevave. Pas përfundimit të Kuvendit ai u kthye në vendlindje, ku organizoi mbrojtjen e krahinave të Matit dhe Dibrës nga sulmet e hordhive serbo-sllave.
Lufta e Parë Botërore e gjeti Ahmet Zogun në Mat si një komandant të provuar në beteja dhe fitore të realizuara nga guximi dhe drejtimi i tij me mendim strategjik dhe koncepte të qarta taktike. Më 3 Mars 1916, me inisiativën e tij dhe me patriotë të tjerë organizojnë Kongresin Kombëtar në Elbasan, për të diskutuar mbi fatet e Shqipërisë.
Në vitin 1919, Shqipëria që kish mbetur nga kalkulimet gjeopolitike të Fuqive të Mëdha të vitit 1913, rrezikonte realisht copëtimin territorial në favor të fqinjëve shovenë. Në këto rrethana, nën ndikimin e vokacionit dhe formimit të lartë atdhetar, Ahmet Zogu bëhet një ndër protagonistët kryesorë për thirrjen e Kongesit historik të Lushnjës, që u mblodh më 21-31 janar 1920, si përfundim i një marrëveshje të të gjitha viseve të Shqipërisë. Mbarëvatja e punimeve të Kongresit u sigurua ushtarakisht prej Ahmet Zogut dhe pas përfundimeve të tij, miratoi Qeverinë e re, në të cilën Ahmet Zogu u emërua Ministër i Brendshëm, pikërisht në moshën 25 vjeçare. Kongresi i Lushnjës jetësoi pavarësinë e shtetit shqiptar dhe hodhi bazat legjislative për të gjithë institucionet e shtetit.
Më 2 dhjetor 1922 Këshilli i Lartë ngarkoi Ahmet Zogun të formojë qeverinë e re, duke e zgjedhur kryeministër dhe njëherësh edhe Ministër i Brendshëm. Më 23 shkurt 1924, opozita organizoi një atentat brenda Kuvendit Kushtetues dhe plagosi Ahmet Zogun, Kryeministrin e vendit, për shkak se ajo nuk u pajtua që Zogu, me mbështetjen e koalicionit me indipendentistët, siguroi një shumicë të re.
Ahmet Zogu, edhe pse i plagosur rëndë, hyri në sallën ku do të zhvillohej mbledhja e Kuvendit pa dhënë asnjë shenjë alarmi. Për të qetësuar situatën dhe për të shmangur rrezikun e një përleshjeje me armë, me një gjakftohtësi dhe vetpërmbajtje të jashtëzakonshme, iu drejtua kryetarit të Seancës dhe deputetëve: “Zotërinj, nuk është hera e parë në botë që në një parlament ndodh një gjë si kjo që më ndodhi mua. Unë u lutem miqve të mi ta peshojnë rastin me gjakftohtësi dhe ta harrojnë për një çast atë çka ndodhi”.
Gjithsesi, atentati në Kuvend ndaj kryeministrit Ahmet Zogu e ndërlikoi shumë situatën politike në Tiranë. Për t’i mos i dhënë shkak një ndërlikimi të mëtejshëm të situatës, e cila do të destabilizonte sigurinë e vendit ndoshta në mënyrë të pakthyeshme, më 25 shkurt 1924 Ahmet Zogu dha dorëheqjen nga posti i kryeministrit. Me qetësinë që ruajti ndaj atentatit kundër tij, si dhe me dorëheqjen, ai donte të jepte mesazhin se, më i rëndësishëm për të ishte stabiliteti dhe siguria e vendit.
Megjithë dorëheqjen e Zogut, situata politike dhe e rendit acarohet dhe vendi nis të destabilizohet. Në maj-qershor 1924 opozita organizon një grusht shteti. Qeveria “Vrioni” që u rrëzua më 10 qershor 1924, në ditët e fundit të saj, e kishte emëruar Ahmet Zogun në detyrën e komandantit për shtypjen e grushtit të shtetit në veri. Në qershor 1924, për të mos i dhënë shkas gjakderdhjes, anarkisë totale dhe luftës civile, Zogu largohet nga Shqipëria. Gjykata politike e kundërshtarëve të tij politikë, e dënoi me “vdekje, në mungesë”.
Në dhjetor 1924, me vendim të qeverisë “Vrioni” dhe me përkrahjen e Fuqive të Mëdha, Zogu riktheu legjitimitetin e Qeverisë dhe të pushtetit legjitim të dalë nga zgjedhjet parlamentare të tetor-dhjetorit të vitit 1923 dhe të rrëzuar me rebelim antikushtetues në qershor të vitit 1924. Më 5 janar 1925, Qeveria e Iljaz Vrionit dha dorëheqjen dhe më 6 janar 1925, Këshilli i Naltë e dekreton Ahmet Zogun kryeministër dhe ministër të Brendshëm.
Në shtatë vitet e fundit pas Luftës së Parë Botërore ishin ndërruar 14 qeveri dhe këto më së shumti në vitet 1920-1924. Këshilli i Naltë si institucion kryesor në fatin e qeverive, nën trysninë e politikës së kohës, merrte edhe vendime që nuk shkonin në dobi të stabilitetit të vendit. Për ta zgjidhur një herë e mirë këtë ngërç, por edhe për arsye të tjera, më 21 janar 1925 Kuvendi Kushtetues shpalli “Republikën Shqiptare”, ndërsa dhjetë ditë më vonë, (31 janar 1925) Ahmet Zogu u zgjodh Kryetar i Republikës, duke qenë në të njëjtën kohë edhe kreu i pushtetit ekzekutiv.
Gjatë kësaj kohe Ahmet Zogu prioritet kryesor kishte rivendosjen e stabilitetit në vend, duke mundësuar nënshkrimin e marrëveshjeve të rëndësishme ekonomike, politike e ushtarake, çka forcoi ndjeshëm pozitat e Shqipërisë.
Shpallja Mbret i Shqiptarëve
Nevoja për të ndryshuar regjimin në Shqipëri erdhi si vlerësim i përgjithshëm i situatave reale që kishte dhe po kalonte vendi, por edhe si domosdoshmëri, për të dalë mbi forcat e ndryshme politike dhe mbi krerët lokale, pasi rreziku i grindjeve, intrigave dhe prapaskenave individuale shihej si një problem i madh kombëtar dhe në dëm të interesave të vendit.
Duke marrë parasysh sa më sipër, si dhe faktin tepër të rëndësishëm se, pikërisht në ato vite, situata e sigurisë në Ballkan dhe në Evropë po shkonte drejt përkeqësimit, atëherë për Shqipërinë dhe shqiptarët kudo ku jetonin, nuk kishte zgjidhje tjetër shpëtimi, mbijetese e sigurie kombëtare, përveçse të kalohej në një përqendrim edhe më të madh energjish, përpjekjesh dhe forcash të të gjithë kombit, gjë që u mishërua në zgjidhjen politike të instalimit të Monarkisë. Një përvojë të tillë të përqendrimit të pushtetit politik në kohë rreziqesh të mëdha e kanë përjetuar shumë kombe, pavarësisht se në çfarë forme është bërë ky përqendrim. Kështu pat vepruar dikur Gjermania nën “Monarkun” Bismark. Kështu patën vepruar edhe fqinjët tanë më të afërt, Serbia, Greqia, etj. Shqipëria nuk kishte arsye pse të bënte përjashtim nga ky rregull, përndryshe ajo do të vijonte të bëhej objekt lakmish të egra.
Kalimi nga regjimi i Republikës në regjimin e Mbretërisë ishte, jo vetëm i domosdoshëm, por edhe i ligjshëm. Ahmet Zogu u tregua shumë i kujdesshëm në hapat e tij për ta ndryshuar formën e regjimit në Shqipëri, duke punuar në disa drejtime dhe për të qenë në harmoni me procesin politik, opinionin publik shqiptar, bindjen dhe mbështetjen e marrë nga faktori ndërkombëtar e në veçanti nga Fuqitë e Mëdha, dhe mbi të gjitha me nismat dhe respektimin e proçedurave kushtetuese e ligjore.
Mbas një propozimi të bërë nga disa deputetë, parlamenti vendosi që të merrte në shqyrtim regjimin shtetëror. Mbas zgjedhjeve të parakohshme më 25 Gusht 1928, u propozua ndërrimi i formës së qeverisjes, u formua komisioni i statutit, i cili propozoi ndërrimin e formës së regjimit nga republikë në monarki. Ky propozim u hodh në votim më 30 Gusht 1928 dhe Asambleja Kushtetuese e proklamoi Shqipërinë “Mbretëri Demokratike Parlamentare të Trashëgueshme”. Më 1 shtator 1928 Asambleja Kushtetuese e shpalli Presidentin Ahmet Zogu “Mbret të Shqiptarëve”.
Mbreti Zog I, menjëherë filloi nga puna për reformimin e plotë të kuadrit ligjor, të institucioneve dhe gjithë jetës së vendit. Në këtë kuadër u miratua Statuti Themeltar i vitit 1928. Rendi dhe siguria, sistemi i drejtësisë, të drejtat e njeriut, e drejta e pronës dhe e besimit fetar, administrata e aftë dhe serioze, forcimi i parasë, lëvizja e lirë e shqiptarëve, diplomacia, arsimi, përgatitja e inteligjencës në universitetet perëndimore, ndërtimet botore, zhvillimi i tregtisë, etj., ishin në themel dhe gjeten zbatim në filozofinë Zogiste gjatë kësaj periudhe.
Pushtimi fashist dhe largimi i Mbretit Zog
Italia fashiste kishte kohë që përgatitej për pushtimin e Shqipërisë qoftë në mënyrë “paqësore” nëpërmjet presioneve në fushën politike, ekonomike, ushtarake dhe financiare, qoftë edhe me forcën e armëve. Mbasi dështuan përpjekjet e vazhdueshme dhe ultimatumi i fundit për ta detyruar Mbretin Zog, parlamentin dhe qeverinë shqiptare që të nënshtroheshin, qeveria italiane vendosi të përdorë forcën e armëve për të pushtuar Shqipërinë.
I gjendur përpara provës më të vështirë të kohës, Zogu ideoi qëndresën. Në rastin më të mirë, parashikohej një qëndresë serioze duke shpresuar edhe te mbështetja e ndërkombëtarëve. Në mungesë të kësaj mbështetjeje, sigurisht që qëndresa shqiptare do të ishte simbolike. Për këtë, duke sensibilizuar çfarë po përgatiste Italia kundër Shqipërisë, u bëri thirrje fuqive të Antantës Ballkanike, Fuqive të Mëdha të Europës dhe SHBA që të ndërhynin në Romë, për të ndalur sulmin e Italisë, ose të jepej mbështetja e duhur për të përballuar rrezikun që po i kanosej Shqipërisë. Ndërkohë, ai kishte filluar të organizojë qëndresën ushtarake, duke ndërtuar një koncept të qartë të mbrojtjes strategjike: qëndresë sa të ishte e mundur në vijën bregdetare me qëllim rraskapitjen e forcave pushtuese dhe pastaj, përballimi i tyre me luftë guerilje, duke u mbështetur në terrenin malor të vendit, në patriotizmin shqiptar si dhe në mbështetjen e mundshme nga jashtë. Për këtë qëllim, forcat e gatshme do të vendoseshin për zhvillimin e qëndresës në afërsi të qyteteve-portet kryesore të vendit, ku ishin edhe drejtimet kryesore të mësymjes së forcave italiane, ndërsa forcat më të shumta do të përqendroheshin në thellësi të vendit.
Mbretëria nxiti gjithashtu edhe qëndresën popullore, manifestimet, mitingjet, etj., me qëllim që të krijohej një sfond gjithëpërfshirës kombëtar qëndrese dhe për krijimin e një mjedisi sa më të harmonizuar të ndërgjegjësimit kombëtar kundër pushtimit italian. Por, fatkeqësisht, disa funksionarë të lartë të shtetit dhe shumë elementë të administratës e të ushtrisë, punuan në drejtim të kundërt, madje kishte të tillë të kompromentuar që kishin planifikuar për t’iu kundërvënë Ahmet Zogut deri edhe në asgjësimin fizik të tij.
Duke mos pranuar kushtet dhe ultimatumet e Musolinit, duke mos patur mbështetjen ndërkombëtare dhe as forcën e brëndshme për përballimin e agresionit fashist, Parlamenti shqiptar dhe Mbreti Zog vendosen për ta pritur Italinë fashiste me armë në dorë, ndryshe nga Austria që i ishte nënshtruar Gjermanisë në vitin 1933 pa asnjë kundërshtim apo Çekosllovakia që nuk kishte shkrepur asnjë pushkë më 15 mars 1939 kur u pushtua po nga Gjermania. Duhet theksuar se këto dy shtete ishin shumë më të mëdha se sa vendi ynë dhe të armatosura me armët më moderne të kohës.
Historia flet për një të vërtetë të padiskutueshme: fakti që Italia, përderisa planifikoi dhe futi në operacion ushtarak për pushtimin e Shqipërisë forca, mjete, shpenzime, logjistikë dhe kohë, flet se pushtuesi, të paktën e llogariti qëndresën shqiptare. Këtë qëndresë shqiptarët e bënë dhe Mbreti Zog u rreshtua bindshëm të krahë të Aleatëve Antifashistë dhe kundër Boshtit nazi-fashist.
Pushtimi i Shqipërisë nga Italia Fashiste, më 7 Prill 1939 shënon edhe fillimin e Luftës së Dytë Botërore. Në fund të fundit, pushtimi italian i Shqipërisë nuk ishte thjesht një ndërmarrje midis Italisë dhe Shqipërisë, por pjesë e një strategjie më të gjerë që lidhet me nismën strategjike që mori fashizmi dhe nazizmi për të krijuar raporte të tjera gjeopolitike në Evropë e më gjerë, duke përdorur si instrument forcën ushtarake, domethënë luftën.
Mbreti Zog nuk mund të bënte më shumë se ç’bëri. Ai deklaroi përpara Asamblesë Kombëtare se; “…nuk kam lënë mjet pa përdorur për sigurinë e Shqipërisë” dhe me vendim të Parlamentit, më 9 prill 1939 u largua nga vendi për të shmangur dorëzimin e tij pa kushte.
Familja Mbretërore në emigrim
Gjatë shpërnguljes së detyruar nga atdheu, më 10 prill 1939 Ahmet Zogu vendoset në Greqi ku ndjek rezistencën si dhe organizon funksionimin e qeverisë; më 3 maj 1939 mbërrin në Turqi, ku pritet nga autoritet më të larta të vendit dhe nga shqiptarët; më 30 qershor 1939 niset për në Europë; më 2 korrik 1939 mbërrin në Rumani, ku pritet nga Mbreti Karol i Rumanisë; më 15 gusht 1939 mbërrin në Paris, ku akomodohet në Rezidencën e përkohshme Mbretërore dhe fillon kontaktet zyrtare me autoritetet më të larta të Francës; më 22 qershor 1941 mbërrin në Mbretërinë e Bashkuar, ku qëndroi deri në përfundim të luftës; më 18 mars 1946 vendoset në Egjipt, pas një ftese dashamirëse qëndrimi dhe akomodimi të garantuar zyrtarisht nga Mbreti Faruk i Egjiptit; më 29 gusht 1955 mbërrin në Francë.
Kohët e fundit të jetës së tij, Mbreti Zog vuajti nga një sëmundje e pashërueshme dhe më 9 prill 1961, ndërroi jetë në spitalin “Foch” të Parist. Më 10 prill 1961 u bënë homazhe dhe më 11 prill 1961, u zhvillua ceremonia e përcjelljes së trupit të tij me një kortezh madhështor. Madhëria e Tij Zog I – Mbret i Shqiptarëve, u varros në varrezat e “Thiais Parisien”.
Në njohje dhe vlerësim të personalitetit, kontributeve dhe trashëgimisë së tij historike e kombëtare, më 17 nëntor 2012, me rastin e 100 vjetorit të shpalljes së pavarsisë, shteti Shqiptar organizoi një ceremoni madhështore zyrtare për kthimin e eshtrave të Mbretit Zog në Atdhe, të cilat u vendosën në Mauzoleumin e Familjes Mbretërore në Tiranë.
___________
*ish-Deputet & Kryetar i PLL