Njeriu më i pasur i Hong Kongut, Li Ka-shing po dhuron plot 128 milionë dollarë në ndihmë të bizneseve të dëmtuara nga protestat pro-demokracisë që prej muajsh kanë përfshirë qytetin.
Miliarderi 91-vjeçar është shprehur se shpreson që dhurimi të shërbejë si ndihmë për firmat e vogla dhe të mesme, që po përballen me periudha të vështira. Deklarata është bërë e ditur sot nga fondacioni i tij bamirës.
“Ekonomia botërore po ngadalësohet dhe sikur kjo të mos mjaftonte, ekonomia e Hong Kongut po përballet me sfida të pakthyeshme, ndaj ne shpresojmë që kjo të ndihmojë bizneset në nevojë”, thuhet në deklaratë.
Dhurimi i Ka-shing vjen në vazhdim të masave të shpallura kohët e fundit nga qeveria vendase, e cila është shprehur e gatshme të investojë 255 milionë dollarë për të mbështetur ndërmarrjet e vogla në Hong Kong. Në total, qeveria po hedh edhe më shumë miliarda në ekonomi, si një përpjekje për të shmangur recesionin, pasi kriza politike ka goditur biznesin, veçanërisht atë të pakicës dhe sektorin e shërbimeve. Ekonomia po vuan gjithashtu nga ngadalësimi i Kinës prej luftës tregtare.