Me 1 Gusht 1908, Charles Telford Erickson, arriti në Shqipëri për të shërbyer si drejtues i misionit Amerikan Protestant në Elbasan. Që nga kjo ditë, Erickson i është përkushtuar me shumë dashuri e forcë prezantimit dhe mbrojtjes së çështjes shqiptare në Senatin Amerikan dhe në kancelaritë e shteteve të fuqishme të Europës. Në fokus të veprimtarisë së tij dhe të patriotëve shqiptarë që e shoqëronin ishte njohja dhe konsolidimi i pavarësisë së Shqipërisë, në mënyrë të veçantë përparimi në drejtim të prezantimit dhe njohjes së çështjes shqiptare nga SHBA dhe Lidhja e Kombeve të Bashkuara. Për shkak të kësaj veprimtarie, në vjeshtën e vitit 1913, Erickson është sulmuar dhe dëbuar nga qarqet antishqiptare të kohës. Edhe pas dëbimit nga Shqipëria, Charles Erickson nuk e ndali ndihmën dhe bashkëpunimin me patriotët shqiptarë që luftonin dhe punonin për Shqipërinë e pavarur. Erickson ka mbrojtur dhe ndihmuar shqiptarët e shpërngulur nga masakrat shoviniste të kryera në Veri dhe në Jug të Shqipërisë. Erickson bëri përpjekje për të ndalur shpopullimin e trojeve shqiptare përmes procesit të njohur antishqiptarë të shkëmbimit të popullsisë dhe territoreve. Dihet fakti se si në këtë proces famëkeq, shqiptarët konsideroheshin dhe trajtoheshin si turq, si latin, si grek, etj. Pushtimi obskurantist otoman e kishte bërë punën e tij deri në atë masë saqë shumë prej shqiptarëve, kur pyeteshin “çfarë je”,ata konfondonin fenë me përkatësinë etnike dhe përgjigjeshin “jam turk el hamdyrylah”. Për këtë prapambetje të thellë që krijoj dhe la pas pushtimi otoman pesë shekullor, kemi paguar e mesa duket do të vazhdojmë të paguajmë akoma kosto të rëndë shoqërore e politike. Në lidhje me këtë realitet, në vitin 1913, Kristo Luarasi ka shruar: “Në jeni burra kuptohemi. Kujtoj se nuk jena aq budalla sa të mos e marrim vesh që këto lëvizje e këto tarafe janë prishja jonë”. Përçarjet krahinore e fetare, humbja e identitetit kombëtar, tarafet nepotike e krahinore të thurura sipas traditës dhe modelit otoman, kanë shkaktuar dhe akoma vazhdojnë të shkaktojnë prapambetjen dhe vrasjen e ëndrrave të shqiptarëve për zhvillimin dhe përparimin ekonomik, politik e shoqëror. Vazhdimësia e traditës dhe sjelljeve otomane duket edhe në atë rrënimin e vazhdueshëm të kapaciteteve administrative dhe bllokimi i vazhdueshëm i qarkullimit të mirfilltë të elitave dhe ideve progresiste. Kjo ndodh për shkak të shtresëzimit të “plehut të trashë atoman”, siç e quante Camilio Libardi, 1928. Duket që ky “pleh” nuk u pastrua kurrë si duhet nga trupi i politikës dhe administratës së shtetit shqiptar. Ёshtë ky “plehu i trashë otomanë” që kabllokuar sjelljen demokratike dhe kapilarët e funksionimit normal të shtetit dhe shoqërisë shqiptare. Modelet dhe platformat orientale të zbatuara në Shqipëri gjatë këtyre 107 viteve, janë modele konspirative, të dhunshme, varfëruese, përçarëse, stresante e të frikshme. Produkti i modeleve dhe platformave orientale në Shqipëri janë qeverisjet antipopullore dhe përbindëshat që shfaqën dhe sillen herë si bejlerë otomanë, herë si diktatorë, herë si kleptokratë, herë si maskarenj të fshehur nën parullat nacionaliste, etj, e që gjithmonë kanë shkatërruar jetën, mirëqënien dhe ëndërrat e shqiptarëve. Një fjalë e urtë thotë që: “Ajo që harrohet përsëritet në forma dhe përmasa edhe më të frikshme”. Pa e identifikuar e njohur burimin e të keqes, nuk është e mundur ndarja e thellë dhe e prerë e shqiptarëve me të keqen. Mit’hat Frashëri, ka shkruar: “E urrejtur qoftë për jetë ajo administratë, e mallëkuar qoftë ajo orë që solli këmbën e Asiatikut në Shqipëri, që na bëri të rrimë pesë shekuj më pas nga shokët. Pesë shekuj shkuan mbi neve si një hije e zezë, një gur i rëndë mbi mëndjen dhe vetëdijën tonë, një kohë errësire që ment ndryshoi në ç’do ndjenjë njerëzije, ç’do cilësi njeriu të ndershëm.”. Askush nuk e kishte menduar që edhe pas 107 vitesh, Shqipëria do të ishte përsëri peng i mendësisë dhe sjelljeve otomane, gjë që duket në mënyrën se si është abuzuar, vjedhur e sunduar në mënyrën më të keqe të mundshme, njëlloj si në mesjetë. Patriotët shqiptarë, që përpara 100 vjetësh, patën largpamësinë e tyre të admirueshme dhe e adresuan njohjen dhe zgjidhjen e qëndrueshme të çështjes shqiptare në Senatin e SHBA. Rruga jonë e zhvillimit demokratik është ajo që kalon nga Brukseli, Londra dhe Uashingtoni. Përkundrejt faktit që mëndësia dhe sjelljet politike e shtetërore orientale, janë kohë e humbur, janë varfëria dhe shkatërrimi më i madh që mund t’i bëhet shtetit dhe kombit shqiptar. Në këto situata të vështira të prapambetjes së thellë e të gjithanshme otomane, me 2 Shtator 1919, Kristo Daka, Kostandin Çekrezi dhe miku i madh i shqiptarëve Charles Erickson, të mbështetur edhe nga Këshilli Kombëtar Shqiptar i Amerikës, arritën që të paraqesin një dëgjesë mbi Shqipërinë në Komisionin e Jashtëm të Senatit Amerikan. Kjo dëgjesë ka patur një rendësi të jashtëzakonshme për frenimin e copëtimit të mëtejshëm të territoreve të Shqipërisë Londineze e që do të ishte edhe më fatal se coptimet e mëparshme të viteve 1878 dhe 1913. Në këtë 100 vjetor, në lidhje me këtë fakt, po sjellim në vëmendjen e lexuesve pjesë nga përmbajtja e dokumentit 7605 të Kongresit për këtë dëgjesë. Me shumë interes është debati i zhvilluar midis Charles Erickson që paraqiti materialin mbi Shqipërinë dhe kryetarit të Komisionit të Jashtëm të Senatit Amerikan, Z. Henry Cabot Lodge. Lodge e ka pyetur: “Mr Erickson, dua të të bëj një pyetje. Çfarë janë Shqiptarët etnikisht ? Ju flisni për ta që kanë qënë përpara të gjitha këtyre rracave. Çfarë janë ata? Ndërsa Z Erickson i është përgjigjur: “Zoti kryetar, shqiptarët konstituojnë pasardhësinë e rracës së Pellazgëve që ndërtuan kështjellat e mëdha në Ballkan dhe pasi rraca Pellazge erdhi, ata ishin në tre degë. Epirotët, Maqedonasit dhe Ilirët flasin të njëjtën gjuhë ose degë të së njëjtës gjuhë”.
Z. Henry Lodge ka vazhduar me pyetjen: “Gjuha e tyre është rrjedhim i gjuhës Ariane?”. Ndërsa Z. Erickson i është përgjigjur: “Po, me ndërtim është si gjuha Latine”. Ndërsa pyetjes së shtruar nga Z. George Moses, senator dhe anëtar i komisionit të Jashtëm të Senatit, mbi numrin e popullsisë shqiptare dhe përqindjen e popullsisë muhamedane. Erickson i është përgjigjur: “Rreth dy milion e gjysëm Shqiptarë, popullsia është 65% Mohamedanë që jetojnë në harmoni e vllazëri me besimet e tjera”. Ky prezantim i situatës shoqërore e politike dhe problematikave që kalonte vendi përbën një nga hapat dhe përpjekjet e para të elitës politike e shoqërore të shqiptarëve drejt projektit dhe rrugës së sigurtë të suksesit dhe prosperitetit Euro-Atlantik të Shqipërisë. Që nga ajo kohë, çdo hipokrizi apo qëndrim i dyzuar ndaj SHBA dhe Bashkimit Europian, është konsideruar dhe do të konsiderohet si mjerim, vetëdiskreditim dhe defaktorizim i panevojshëm i shqiptarëve në rajon. Modeli politik i bejllëkut krijon varfëri, skllavëri, përbindësha e diktator. Hipokrizia dhe sjelljet e dyzuara me rrugën dhe modelin Euro–Atlantik të zhvillimit, janë kosto të papërballueshme për ekonominë, politikën, shtetin dhe faktorin shqiptar në rajon.