Shqipëria ka gjetur fitoren e 3-të në këto 6 ndeshje në kuadër të grupit H të Eliminatoreve të Evropianit të 2020-ës, pasi të martën në mbrëmje ka mundur Islandën me rezultatin 4-2, në takimin e sjellë për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar. Pjesa e parë e ndeshjes së luajtur në Stadiumin “Elbasan Arena”, ka nisur më mirë për kuqezinjtë dhe në dy-tre minutat e para luhen në zonën kundërshtare, ku ndërtohen dy raste, ndërsa një rast i mirë për Shqipërinë do të vijë në minutën e 13-të. Goditje e lirë për kuqezinjtë e fituar nga Memushaj dhe është Manaj që provon dy herë, por edhe në vijim të aksionit rokambolesk në zonën islandeze, është sërish ai që godet nga fare afër, por topi rrok shtyllën e majtë pingule dhe përfundon jashtë. Manaj është rrezik i vazhdueshëm në zonën e nordikëve, por edhe pse merr një top të saktë 8 minuta më pas, vonohet në goditje dhe bllokohet nga mbrojtja mike e fiton vetëm një goditje këndi. Islandezët reagojnë dhe dy herë brenda dy minutash është Sigurdson që rrezikon në dy raste të njëpasnjëshme portën e Strakoshës, por pa e gjetur rrugën e rrjetës. Shqipëria kundërpërgjigjet dhe nga minuta e 28-të, deri në të 32-tën, Bare është fajtor në dy raste, pas dy pasimeve të mira të Hysajt, por nuk arrin ta gjejë katërkëndëshin e portës mike. Atë që nuk e bëjnë mesfushorët dhe sulmuesit, e bën Kastriot Dermaku në minutën e 33-të, kur fiton duelin ajron me kundërshtarin dhe godet zgjuarsisht me kokë, duke përshëndetur rrjetën.
Kombëtarja kuqezi provon menjëherë me Manajn, por pa rezultat, ndërsa 10 minutat e fundit, janë islandezët që e mbyllin më kërkues dhe Sigurdsoni provon sërish, por goditja e mesfushorit të Evertonit shkon jashtë kuadratit. Me epërsinë minimale të Shqipërisë do të mbyllet pjesa e parë, ndërsa e dyta nis menjëherë me gol, pasi miqtë përfitojnë nga gabimet e mbrojtjes kuqezi dhe Sigurdsoni ka gjetur rrugën e rrjetës dhe Islanda barazon shifrat në 1-1.
Zgjat vetëm 5 minuta barazia në shifra, pasi Manaj jep një pasim të zgjuar me thembër për Hysajn dhe kapiteni kuqezi nuk gabon i vetëm përballë portierit islandez dhe kalon sërish në epërsi Shqipëria.
Sërish shpërqendrim në mbrojtjen kuqezi dhe është i sapofuturi në fushë, Sigthorson, që prekjen e parë të topit në minutën e 58-të e dërgon në rrjetë dhe Islanda ka barazuar sërish shifrat në 2-2.
15 minuta pasi është futur në fushën e blertë dhe 20 minuta pas goli të barazimit, është Odise Roshi që gjen rrugën e rrjetës, teksa i ndihmuar edhe nga një devijim, e kalon Shqipërinë për herë të 3-të në epërsi.
Roshi e ka rigjallëruar lojën e Kombëtares dhe është ai arkitekti i golit të 4-t të kuqezinjve, me autor Cikalleshin, që gjen kështu në minutën e 82-të golin e tij të 3-të në këto 6 ndeshje eliminatore.
Mbyllet me rezultatin 4-2 në favor të Shqipërisë kjo ndeshje ndaj Islandës dhe kuqezinjtë mbeten në vendin e 4-t, por ngjiten në kuotën e 9 pikëve, 3 më pak sesa nordikët e vendit të 3-të.