Naim Fetaj, “MË LANË EDHE PA KËNGË”, botoi Shtëpia Botuese “BEQIR MUSLIU”, Gjilan 2019, faqe 136, ISBN 978-9951-760-19-5

Në lirikën e sotme shqipe, Naim Fetajhyn si një poet i spikatur, me vargun eksplicit (të qartë), dhe me porosi përmbajtjesore.

“Kompasi më la… e vetë e theva qafën/ Sot e atë ditë… s’e gjeta Itakën”, janë këto dy vargje të shkëputura nga poezia “AUTOBIOGRAFI”, faqe 125, që demonstrojnë opusin e tërësishëm poetik, që manifestohet si një autopsi për vetveten, nënën, atdheun dhe të tjerët. Kjo poezi është një radiogram, është një gjetje fatlume, është një mbushullim lirik përplot melankoli, një lirikë e larë kudo me lot, e çarë me gjëma e dënesje. Kjo që ka shkruar Naim Fetaj, është një poezi ku do të gjejmë lot e këngë përzierë si gotë me verë, mesazhe përmbajtjesore e porosi për jetën, mllef poetik e protestë intelektuale, po më shumë manifestohet si këngë epike të ngjizura në përmbledhjen më të re”MË LANË EDHE PA KËNGË”.

Pa dyshim këto krijimee vërtetojnë këtë konstatim, ndërsapoezitëi japin vlerëlirikës së sotme poetike, sidomos kur shkruan se “Iku dhe kjo verë/ Shiu edhe vjeshta/ Dergjen poetët mbi vargje/ Mbi vargje e vjersha”, poezia “REKUIEM PËR POETËT”, faqe 118.Me një fjalë, janë lirika artistikeqë e bëjnë autorin më të dalluar ndër poetët e dalluar, të cilët me përkushtim shkruajnë poeziqëlexohen me pasion. Vargu i këtyrepoezive është mjaftë i ngjeshur dhe ka një formë eliptike të rrëfimit[1].

 

VETË E ENDËM NATËN

 

Dhe ikte një ditë e vinte një tjetër

Nata më e thinjur nata më e vjetër

 

Kot murosëm gra… ndër ura e kala

 

Vetë e endëm natën

Me njëmijë hata

 

Që atëherë me fajin tonë e rritëm

…shitojmë natën e vajtojmë ditën

 

Faqe 17.

 

Jo vetëm aspekti eliptik, por në poezitë e librit ka një alegori e cila lidhet me mallkimet tona, për të cilat u zë peng bota dhe mbetën legjendë si robi për dhembjet tona. Në anën tjetër sikur kanë zbuluar një zakon të largët, sado i shëmtuar, por duket se gjeneza e dhunëslidhet me sakrifikimine detyrueshëm që detyrueshëm binte vetëm mbi gratë?! Si duket kjo legjendë shekullore prej kohësh ka prekur gjëmat e dhembjeve tona, për të cilat as sot s’kemi guxim të hulumtojmë, nga frika se zbulohen veset e marrëzishme të gjinisë sunduese kundër asaj poshtërueses që mbetet gjithmonë e diskriminueshme.

Poeti Naim Fetaj, si rrallë kush poezinë e mbyllë me varg i cili jep mesazh të fuqishëm në njërën anë, kurse në anën tjetër, metaforën e lidh edhe tek një fjalë e vetme, tek një varg përtej të cilit nuk mund të vazhdohet, pasi ai në mënyrën më artistike, në formë hiperbolike e mbyll vertikalisht kuptimine atij mesazh përmbajtjesor, me porosi të qartë,përmbledhës dhe po aq lirike. “Vjershat si po shkruhen nuk i do kush/ Poeti oborrtar mbet si qeni n’rrush”,poezia “KOHË E PAKOHË PËR POETËT”, faqe 19. Vërejtje kaq të drejtpërdrejt nuk kemi has gjëkundi, por e thënë në mënyrë lirike disi përpihet, megjithatë elita intelektuale duhet ta marrë si vërejtje serioze për të mos u skllavëruar nga interesi, për tu shndërruar pastaj në pronë të paluajtshme për oborrtarët, se “E zezë është vdekja… thuaj/ Kur vdes për së gjalli”, poezia “PËR VRASËSIN TIM”, faqe 22. Sille kah ta sillesh, lirika më të këndshme zor se mundemi me i gjetur, prandaj para se me hulumtuar është më mirë me pranuar se Naim Fetaj është poet i lindur, i cili më shumë se kushdo tjetër stërhollon mendimin artistik, padyshim një shembull i mirë në lirikën e sotme shqipe!

Këtë konstatim po e ilustrojmë me dy poezi përkushtimi, e para shprehë revoltë e mallkim ndërsa tjetra dhembje e miklim që manifestohet si metamorfozë për dhembjen që ka poeti për mikun e për vëllain, ky i fundit që i paska vdekur më i ri, prandaj e paska mbuluar vargun me kaq zi e me kaq shumë gjëma.

 

DHE IKTE NJË DITË

(Mikut tim… Enver Malokut)

 

Dhe ikte një ditë e vinte një tjetër

Vinte një thirrje a një vendim i vjetër

 

Thirrje kemi kthyer e thirrje kemi marrë

Po askund nuk shkruante:

Kemi për t’ju vrarë…

 

Faqe 113.

 

Në një motërzim tjetër tejet elegjiak, kushtuar të vëllait i cili i ka vdekur më i ri, përbëjnë jo vetëm gamen e tij prurëse, por edhe atë opusin e një krijuesi që ka sjellë sentencën e ndjeshmërisë, një metamorfozë e përjetimit real që e përshkruan deri në ekstazë dhembjene cila manifestohet edhe gjatë leximit të kësaj poezie, qoftë si ndjeshmëri ose përjetim deri në shkallë flijimi.

 

 TË MOS VDISJE TI

(vëllait tim Agimit)

 

Nuk vendosi unë… por po të them diçka

Vdekjen do ta kisha marrë

Rreth qafe në krah

Dhe me gjithë vdekjen isha mbytë në Bunë

Vetëm të mos vdisje ti… më i ri se unë

 

Faqe 115.

 

Të tjera lirikamerren meironizimesarkastike, veçmas kur atakon verbin politik, por autoripërsëri mbetet po aq lirik,i veçantë dhe mjaftë dallues:“Diellin në gji e ruaj me drojë/ Këngën as ujin… kush s’i bëka tojë”, poezia “SI URTI”, faqe 9. Ne e dimë se jeta është sfidë, prandaj disa nga lirikat paraqesin dhembjen si sfidë artistike të poetit ku“Rrathët modern s’i dinte Aligeri/ Të vdesësh për së gjalli… qenka më ferr se ferri”,poezia “DY FJALË SHQIP PËR FERRIN”, faqe 27.

Derisa flijimi për kauzën është virtyt, këto vlera janë virtyte të vlefshme deri në shkallë flijimi. Të mos hamendemi kur nuk dallojmë se kush ka insistuar më shumë për tu flijuar, heroi në luftë për idealin e tij patriotik, apo poeti me përkushtimin e tij kaq lirik, kaq njerëzor, kaq human dhe kaq artistik,e në të njëjtën kohëvargjet kanë një ritmikë, kanë një tingëllimë, kanë një ringjallje, me një fjalë lirika poetike që jetojnë e përjetohen mirë.“Duan të vdesin në këmbë se i këputi malli/ Po vdesin për qyqe/ Po vdesin për së gjalli”, poezia “VALLTARËT E VDEKJES”, faqe 105.

Në anën tjetër vargjet janë me një muzikalitet sikurtë ishin këngë, gjithsesi vargu kudo e kahdonë mënyrë hipotetike mbyllet me një mesazh të fuqishëm artistik.Kjo ritmikë e ky muzikalitet të bënë me përjetime mbresëlënëse edhe pasi libri të jetë përfunduar, edhe atëherë kur mbyllen kapakët e tij, në formë imagjinate disa poezi do të sillen vërdallë, ndjenjaqë përjetohen edhe nëpër ditë të tjera, edhe nëpër natën e errët, sepse struktura e vargut dhe forma shprehëse kanë një kompozicion artistik që secilin e bënë për t’i mbajtur në mend edhe përtej një leximi të rëndomtë, edhe përtej një shfletimi të kujdesshëm, sidomos në tipin e vargjeve: “Në kafen time desh u mbyt një flutur/ Si këngë e vetme dënesja ime e bukur”, poezia “NË NJË QYTET TË HUAJ”, faqe 99.

Poezi kaq koncize moti s’kam lexuar.Nëpërvargje e strofa sikurbashkëdyzohet dhembja dhe qëndresa nënjë metaforë të vetme, më duket sikur përgjëron me realitetin jetësor të vet poetit në këto rrjedha jetësore.Si përkushtimesado që duken se poeti shkruan për lavdinë e heroit, ai mesazhin e tij e lidh sikur të kishte ngjizje me fatin e një populli të tërë, por në nënvetëdije lidhet drejtpërdrejt me fatin e intelektualit i cili më shumë se kurrë më parë, sot është i përbuzur, t’huajzuar, injoruar e nënçmuar. Natyrisht edhe vet poeti ka kaluar nëpër kohë të rënda, të cilat si duket i paskan dhënë eksperiencë për ta regjistruar dhembjen kaq dendur kaq dhembshëm: “Sytë na bëjnë xixa se dita s’është e bardhë/ Era dhé na vjen e shkruhemi për të gjallë/ Kemi hequr shumë… e jemi duke hequr/ Mizat i ndoqëm a vetë po brejmë hekur”, poezia “…E SHKRUHEMI PËR TË GJALLË”, faqe 103.

Nëpër poezitë lirike, autori është pranverë me lule, është liria e atdheut është ardhmëria e tij. Nuanca të tilla poetike e artistike, ka me bollëk, por aspekti estetik kudo në secilën strofë dhe në secilin varg është pjesë dominantee strukturës artistike, që llogaritet niveli më i lart kulturor i këtij poeti. E ne, qartë mund të shprehemi se ky është Naim Fetaj, poet nga Dukagjini, i cili në poezi ka inkorporuar tërë mençurin proverbiale të së folmes së zonës, me specifika karakteristike të cilat e bëjnë të dalluar dhe mjeshtër në thyerjen e vargut, për të përçuarmesazhit në mënyrë sa ma artistike.“Mbi Bjeshkën e Strellcit… është një gur që flet/ Po gjuhën kush s’ia di… tash e njëmijë vjet// Po një gjë …nuk e ditën kurrë/ Ishte aty guri… a gjaku u bë gur/ /Ndaj rrinë përmbi të/ Zogja ndonjë flutur/ / Në mjegull rri çdo gjë… pos emrit të bukur”, poezia “GURI I NUSËS…”, faqe 92-93.

Ndonëse nëpër poezi shihet një dhembje e skajshme, duket se poeti nuk ndjehet vet rehat dhe as i lumturuar në kohën kur rrethohet nga veprime të cilat lëndojnë sedrën e intelektualit dhe të qytetarit që jeton në Kosovë, për të cilët frikësohet se do të mbetën “Metaforë e vrarë poetësh/ Në këngë e poezi”, pasi edhe shtresa e intelektuale “Si një lot qepallave mbete/ Lot i ngrirë ndër sy”, vargje që kanë të bëjnë me fatin e Çamërisë, faqe 86.

Megjithatë poezitë kushtuar heronjve, pjesëve të atdheut dhe familjarëve, ose ato të tjerat që shprehin mall, brendapërbrenda kanë dhembje, sikurse edhe përkushtimetdhe heroizma të tjerë mbulohen me sintagmën e “metaforës së dhembjes”, përkatësisht është shndërruar dhembja si metaforë poetike e cila është trajtuar mirë, dendur dhe me korrektësi, pasi siç thotë një varg i poetit na është bërë jeta “Sa pak gëzim… e sa shumë festa”, sepse ”Nata lahet n’gjak… e territ nxi/ Ti Nëntori im… sërish kuq e zi”, poezia “NËNTORI I TRETË”, faqe 85, që dëshmon përpjekjen dhe sakrificën e tërësisë për identitet etnik nacional dhe shtetëror. E kjo dhembje është kudo, preket e përjetohet në forma të shumta, ndërsa dalldisja e aty-këtushme pas lirikavee dashuriçkave është njëelement i moçëm në poezinë shqipe, që brenda librit është deficit i theksuar, por ato që janë,duken si poezi me interpretim të posaçëm.

 

E KAM SHKRUAR DIKUND

 

Dhe vinin vashat e më thonin

A… ti na shkruan vjersha

 

Një vashë doja unë e ma mori vjeshta

 

U bë nuse

Pa ditë e pa pritë

 

(Qiellin me klithma e kam qarë atë ditë)

 

E kam parë si ëndërr edhe për ditë

 

Dhe ikën dyzet e sa vjet

Vaji i saj një katund e vret

 

Faqe 37.

 

Këto lirika mjaftë specifike edhe për kah motivi duken sikur të ishin vello nusërie, vaji i saj që një katund paska vra e shituar, por gjëma e dënesja e saj shkoi mbi re, dhe sikurse velloja e saj që valëvitej nga era e puhiza, dukej sikurpo notonte mbi valë e tallaze deti, atëherëkur iafroheshin bregut i ciliqetëson zemrat, në anën tjetër krejt në mënyrë magjepse e ka shndërruar metaforën lirike në valë-valë harmonike,kurse gjatë leximit këto lirika shpalosin, përkatësishtzbulojnë edhe vlera të tjera artistike që janë përpunuar me kujdes.

Në qasjen e tij kritike, poetiSinanSadiku, ka vërejtur se në poezitë e librit “janë kombinuar natyrshëm, në harmoni të plotë ana semantike me anën figurative dhe muzikore të poezisë, gjithnjë duke e shfaqur shpirtin e pasur të autorit, një shpirt artisti, i zgjuar, autokton, i ushqyer dhe rritur në ambientin shqiptar me këngë, legjenda, balada, vaje, thënie të mençura… pa e përjashtuar aspak edhe letërsinë e shkruar, muzikën dhe artin në përgjithësi[2].

Nga ky konstatim duket se poeti Naim Fetaj, si gjithë poetët tjerë ka mision, e ai mision është arti, ndërsa arti jeton më gjatë se prodhuesi i tij, prandaj edhe fjala artistike duhet të jetoj po aq sa arti, ndërsa fjalë artistike e varg artistik pa të vërteta nuk ka, të gjitha këto elemente i gjejmë si ngjizje në lirikat e këtij libri.

 

1.

As nuk ishte dritë as kishte rënë terri

Rreth qafës me dhimbjen

Përbirohej tmerri

 

Mbi shpatulla na ranë e na gërditën jetën

Të sëmurit u lodhën… duke pritur vdekjen

 

Disa i shituan… mes rrugës mbetën

Të lodhurit u sëmurën duke nëmur veten

 

Edhe atëherë kur shpërthen për realitetin që jetojmë, që për fat të keq është bërë i zymtë dhe pa perspektivë, përsëri ka optimizëm, përsëri ka lirizëm poetik e magjik. Këto qe themi ne janë preokupime poetike që nuk përfaqësojnë vetëm vlerë artistike, por e thonë një të vërtetë tragjike me realizmin e së mundshmes që përshkruhet në poezi të këtij motivi. Poeti vlerën e konsideron art, ndërsa veprimet e shëmtuara bien ndesh me konceptin e tij artistik, janë këto disa arsye pse ai detyrohet të protestojë, për të shprehur pakënaqësinë e cila është revoltë e një poeti që ka kuraje për ta thënë mendimin e tij, ashtu drejtpërdrejt dhe pa ndonjë ekuivokë.

 

2.

Disa pa duar disa tjerë pa këmbë

Disave u ranë dhëmbët diku nëpër këngë

 

Mbi gjak e eshtra disa bënë pallate

Vdekjes i ranë në dorë disa… pikën prej shtatë kate

 

Me hile i nisën dhe këngët për dëshmorët

Shtyhen me bjeshkët

Për një bukë skamnorët

 

Kjomënyra semantike e po aq sentimentaleështë shoqëruar përplot me revoltë, është qasjes specifike ndaj ndjeshmërisë,ndaj pakujdesisë qytetare, si të themi një metabolizëm artistik që shpreh karakterin njerëzor, intelektual dhe qytetar të vet poetit. Andaj këtë poezi e mbyll me vargjet:

 

3.

Veç kripa s’na duhet tash e s’di sa mot

Bukë e këngë e faqe

I ulim me lot

 

Poezia: “SI ËNDËRR E THEM PO ËNDËRR S’ISHTE”, faqe 25.

 

Poeti Naim Fetaj, duke jetuar në një vend dhe ambient krejt ndryshe karshi realitetit në atdheun e tij, disa aspekte lirike sikur i ka kompozuar me metodat moderne “3D”, edhe shpërthimet, edhe mllefi poredhe kritikateashpra interpretohen në disa mundësi, në shumë mënyra, po me më shumë fytyra, qëpër fat të mirë i ka shprehur me varg artistik,andaj ashtu siç pranohen të gjitha artet e bukura, edhe fjala artistike pranohet më kollaj, për më shumë kur bëhet fjalë për lirika përmbajtjesore që janë sistemuar si një lloj kronike artistike në një kohë rrëmujë e mjaftë traumatike.

 

Dreqi e mori botën

E unë në mes

 

Me njëmijë dreqen linda

Me dymijë po vdes

 

Dhe ende i them të birit

e dreqit vetë… mirëmëngjes

 

Poezia: “KUKAMË”, faqe 33.

 

Ose…

 

Kanë ikur përrallat… ikën edhe këngët

Prej tmerrit i shtrëngojmë dhëmbët

 

(Buzëqeshjen tonë dhe gazin)

I futëm n’parantezë

 

Dhëmbë e nofulla i kemi protezë

…për faqe të zezë

 

Poezia: “PËR FAQE TË ZEZË”, faqe 34.

 

Siç e kemi theksuar edhe në pjesën e fillimit, Naim Fetaj, dallon nga poetët tjerë, për vargun e thyer, për mendimin metaforik dhe shprehjen artistike që ka, po sidomos për gjuhën elokuente që mjeshtërisht e ekzaktësisht e ka inkorporuar nëpër tekstin e poezive.

Më duket si askush tjetër, ky poet e laton mendimin e vet, nuk bjerr kohën dhe nuk shkruan atë që mendon, por e matë dhe mendon mirë atë që shkruan,për të përçuar në mënyrë besnike e mjaftë metaforike mendimin dhe porosinë që ai dëshiron. Ja disa metafora të arritshme e me porosi të fuqishme: “Këngën as ujin… kush si bëri tojë”; “Gaz u bëra para botës/ Gjithë jetën me bythën jashtë”; “E zezë është vdekja… thuaj/ Kur vdes për së gjalli”; “Dielli përherë i lindur është/ Po terri i bie veç marrëzisë sonë”; “Trimat i lash vetëm/ Rrenës duke i kënduar”; “Qentë…, kur bien n’qytet/ Qençe i pshurrin lulet”; “Tash e sa vjet kërkojmë shpëtimin/ A i vrasim gjelat kur ndjellin agimin”; “S’ka pula as zogëza as këngë s’ka përmbas/ Kah cungu i vdekjes… hijes i shkon pas…”; “Një këngë e zezë më sillet mbi kry/ Si polifoni/ Hajde vëlla hajde… armiku im i zi”; “Po kënga ku mbet/ Historinë kurrë s’e shkruam vetë”; “Gogësimë në veri… tërmet në jug/ Hijet e urës vjellin vrer e tug’/ Hija e Evropës mbi Ibër si murg”; “Dhe pëllumbat i vranë…/ Sërish n’gjuhë të nënës/ Ndjellin veç hatanë…”; “Disa as ujin nuk e kanë pirë/ Se u mësuan qençe… duke lëpirë”; “Vajtonim ne e vajtonin lista/ Një det hej e mbuluan plisat”; “Ju nuk zgjoheni më/ Ne vdiqëm për së gjalli”; “Do i blenë… do i tutën… do i vranë/ Liri i thënçin… belbëzuan disa”; “Në kafen time desh u mbyt një flutur/ Si këngë e vetme dënesja ime e bukur”; “Mjegulla bie mbi net/ As dera s’shihet ku mbet”; “Kemi hequr shumë… e jemi duke hequr/ Mizat i ndoqëm a vetë po brejmë hekur”; “Po një gjëmë që të djeg më zi se zjarri/ Është kur Nëna t’vajton për së gjalli”, janë vetëm disa nga metaforat e shumta që shkëlqejnë ndryshëm e thyeshëm nëpër këtë mozaik lirikash eksplicite(të qarta).

Për të mos krijuar një pamje tjetër të këtij vështrimi kritik, mund të pajtohem me konstatimin e të tjerëve se lirika e Naim Fetajt, ka një pamje kristalore të cilën, ta sillesh kah ta sillesh, rrezaton shkëlqim që përjetohet mirë, prandaj për figurshmërinë eliptike, të përpunuara me kaq kujdes, poeti e ka përcjell besnikërinë artistikesi mesazhe kuptimplota dhe me porosi specifike, ekthyernë një përmbajtje të gjerë kuptimore.

 

PAS LUFTE

 

Zërin e zogjve e vodhëm atëbotë

E i thamë diellit nuk duam lot

 

Nuk duam plumba… nuk duam prita

Pas lufte pastaj krisi zezëdita

 

Edhe zogjtë e malit i shitoi shita

 

Ku të errte nata

Nuk të zbardhte dita

 

Mbeti dhe kënga

Këmishë mbi njëmijë thika…

 

Faqe 5.

 

Natyrisht, poezia e Naim Fetajt, është e ndikuarnga zhvillimet që ndodhin në hapësirën që e shoqëron dhe rrethon autorin, ose ato zhvillime janë indikacione për t’ia ngjallur emocionet krijuese, prandaj vlen për ti kritikuar ose për ti ironizuar, edhe kështu përmes poezisë. E ky verb parasëgjithash ka një vlerë artistike për të komunikuar më mirë me lexuesin dhe shoqërinë në përgjithësi. E gjithë poezia e këtij libri është art më vete kurse syzhetë dhe hijet e figurave artistike herë bëhen heronj e herë vrasës të heronjve, jo vetëm kaq por vrasës të së tashmes, të nesërmes dhe ardhmërisë,fenomen ky i cili luftohet edhe përmes kësaj mënyre artistike!

 

LETËR PA ADRESË…

 

Ti i vrave zogjtë… ti e vrave verën

Ti më flet për mollët… ti e tremb pranverën

 

Ti e ndale stinën… ti ma ndale frymën

Ti më flet për erën… ti ma shpove shpinën

 

Ti më flet për etjen… ti këndon mbi krua

Tash e njëzet vjet… ti po më vret mua

 

Ti më flet… më flet… ti më flet pa nda

E qielli lotët i këput pa pra…

 

(Hossanabaraba…)

O vëlla… o i jemi vëlla…

 

Faqe 53.

 

Naim Fetaj, tashmë një poet i konsoliduar e ka të qartë misionin, vullneti nuk i mungon, prandaj lexuesi, sigurisht bashkë me ta edhe unë,presimngaAi, shoqërisë sonë për ti dhuruar edhe libra të tjerë, të kësaj natyre e të këtij niveli. Sukses Naim be Fetaj!…

 

St. Gallen, 05.09.2019.

 

 

SHËNIME PËR AUTORIN

 

 Naim Fetaj, u lind më 7 shkurt 1961, në Strellc të Deçanit. Shkollën Fillore e kreu në vendlindje, ndërsa atë të mesme në gjimnazin “Vëllezërit Frashëri”, në Deçan. Ka mbaruar Fakultetin Filozofik – Dega Letërsi dhe Gjuhë Shqipe në Universitetin e Prishtinës. Der më 5 korrik 1990 ka punuar si gazetar në programin dokumentar të Televizionit të Prishtinës. Nga viti 1991 e këndej, jeton dhe vepron në Gjermani. Naim Fetaj, pos gazetarisë, është marrë vazhdimisht edhe me poezi. Ka botuar në të gjitha gazetat dhe revistat e kohës, në Kosovë, por edhe në Maqedoninë e Veriut dhe në Shqipëri. Është bartës i shumë shpërblimeve letrare dhe autor tekstesh i disa këngëve. Është përfshirë edhe në shumë vëllime të përbashkëta poetike, ndërsa deri më tash ka botuar katër vëllime me poezi. Jeton në Gjermani.

 

VEPRAT POETIKE:

  1. “YJET BËJNË ROJE”, poezi, botoi biblioteka “PLEJADA”, redaksia e botimeve “RILINDJA”, Prishtinë 1987, faqe 62.
  2. “TERRINË PËRTEJ DIELLIT”, poezi, botoi Shtëpia Botuese “ARTINI”, Prishtinë 2013, faqe 94, ISBN 978-9951-8893-0-8
  3. “VEZULLIMË THINJASH”, poezi, botoi Shtëpia Botuese “BEQIR MUSLIU”, Prishtinë 2015, 112 faqe, ISBN 978-9951-594-64-6
  4. “MË LANË EDHE PA KËNGËN”, poezi, botoi Shtëpia Botuese “BEQIR MUSLIU”, Gjilan 2019, 136 faqe. ISBN 978-9951-760-19-5

 

[1]SinanSadiku: “Shpërfaqja e pakënaqësisë përmes shprehjes eliptike përplot muzikalitet”, Dardanë, 05 gusht 2019.

[2]SinanSadiku: “Shpërfaqja e pakënaqësisë përmes shprehjes eliptike përplot muzikalitet”, Dardanë, 05 gusht 2019.